Ish-presienti Ilir Meta, aktualisht kreu i Partisë së Lirisë është në procedim penal nga Prokuroria Anti Korrupsion, pas një kallëzimi të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri. SPAK i është drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një kopje të vetëdeklarimit si dhe Drejtorisë së Gjendjes Civile përsa i takon mbiemrit të tij.
Ish-Presidenti Ilir Meta ka rënë në “duart” e SPAK. Ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka kërkuar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit të Kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Shkresa që SPAK i ka drejtuar KQZ i referohet Metës si ish-deputet. Ajo thekson se informacioni kërkohet për llogari të hetimeve që kjo strukturë ka nisur në kuadër të kallëzimit nga ish-deputeti Halit Valteri, i cili ka akuzuar Metën për lobim me të ardhura të paligjshme.
Ish-presidenti i ka mohuar këto akuza ndërsa kërkesës së prokurorisë, Meta iu përgjigj duke nxjerrë një tjetër shkresë që SPAK i ka drejtuar drejtorisë së gjendjes civile ku kërkon informacion mbi gjeneralitetet e tij. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se SPAK ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik, duke e cilësuar edhe një herë reformën në drejtësi si Ramaforma. Përveç Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, SPAK ka kërkuar informacion për ish-presidentin Ilir Meta edhe nga Gjendja Civile. Përmes një shkrese dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, SPAK kërkon të dijë gjeneralitetet e vërteta të Ilir Metës. Ish-presidenti ka deklaruar më herët se mbiemri i tij i vërtetë është Metaj dhe jo Meta. Por pas këtyre kërkesave e gjithë ish-LSI i është vërsulur SPAK-ut dhe shefit të saj Arben Kraja. Deputeti Petrit Vasili përmes një postimi në rrjetet sociale, shkruan se për “inceneratorë SPAK është me pushime, ndërsa del në punë vetëm për “gjeneralitetet” e Ilir Metës”. Sipas tij, bashkë me SPAK mori fund përfundimisht edhe reforma në drejtësi. “Për inceneratorët SPAK është me pushime. Del në punë vetëm për “gjeneralitetet” e Ilir Metës. Mos mendoni se SPAK pushon! Punon SPAK, punon! Ja dhe një provë tjetër e punës së madhe të jashtëzakonshme edhe në kulmin e vapës! Kerkon “Gjeneralitetet” e Ilir Metës ne mes te gushtit, firmos edhe nga jashte pa qene ne zyre, se keto janë direktivat më madhore që kanë marrë nga Tao Tao, per te prodhuar lajme shashka vetem e vetem se eshte Rama ne hall e me ujin gjer ne gryke. Ndërkohë SPAK vetëm dje ka marrë 50 dokumenta asgjesuese për inceneratorët, për 430 milion euro të vjedhura dhe të grabitura nga Edi Rama, Erion Veliaj, Damian Gjiknuri,Armando Subashi dhe plot e plot të tjerë se lista eshte pafund.
Por për këto qindra dokumente për Inceneratoret SPAK eshte me pushime, ja qe nuk leviz dot dhe nuk i punon dora, por per Ilir Meten, qe e njeh gjithe Shqiperia bejne sikur kerkojne gjeneralitete. SPAK vetëdeklaroi asgjesimin dhe shndërrimin në zorrën qorre të Edi Ramës duke u vendosur qartësisht në shërbim të hapur mafies së inceneratorëve. Bashkë me SPAK mori fund përfundimisht edhe reforma në drejtësi. SPAK u vendos ne krah te Mafias se Inceneratoreve dhe te antiligjit dhe kunder detyres qe te hetoje te çoje pas hekurave hajdutet e qeverise te kapur me nje mal me dokumente, fakte e prova. Lodhje e kote. Inceneratoret nuk mbulohen dot me perralla vere me “gjeneralite” sepse afera e Inceneratoreve do te rendohet keq e me keq”, shkruan petrit Vasili. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka, ka sulmuar kreun e SPAK, Arben Kraja, pas kërkesës drjetuar KQZ-së, për formularin e dekriminalizimit të të Ilir Metës. Në një postim në Facebook, Caka shkruan se Ilir Rexhep Metaj ka kaluar Vetting-un e njerëzve që e kanë vlerësuar në 30 vitet e tij në politikën më aktive. “Ky hetuesi i komunizmit, i ka verifikuar gjeneralitetet e tij? Ilir Rexhep Metaj ka kaluar Vetting-un e njerëzve që e kanë vlerësuar në 30 vitet e tij në politikën më aktive dhe nuk ka nevojë t’ia bëjë verifikimin Beni i komunizmit. Merru me inceneratorët Beni dhe mëso të ecësh vetë, jo me hapat e Taos dhe Edvinit që i ndërron gjeneralitetet dhe kartelat sipas volisë”, shkruan Caka.
Historia
Debati për mbiemrin e Metës u rihap pas deklaratës së Autoritetit të Dosjeve të Ish-Sigurimit të Shtetit. Në media u aludua gjerësisht se personi me inicialet I.M, që kishte bashkëpunuar me ish-Sigurimin ishte ish-presidenti Ilir Meta(j). Por do të kishim të bënim me një skandal të përmasave të mëdha, nëse gjeneralitetet e ish-presidentit janë në të vërtetë Ilir Metaj, ndërkohë që të gjitha dokumentet zyrtare përfshi edhe dekretet janë firmosur me emrin Ilir Meta. Një kërkesë i është dërguar edhe KQZ-së për t’i mundësuar SPAK-ut formularin e vetëdeklarimit të Metës, që edhe në këtë rast, nëse do të rezultonte i vetëdeklaruar me emrin Ilir Meta, dhe në gjendjen civile si Ilir Metaj, do të konsiderohej si deklarim i rremë.
Reagon Halit Valter: Ta lëmë SPAK të kryejë hetimet. Kam besim!
Pasi Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, (SPAK) ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta, pas kallëzimit të depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri, vjen një reagim nga ky i fundit. Ish-deputeti deklaroi se ka besim se drejtësia do të triumfojë dhe se pret nga SPAK të kryejë hetimet. “Ta lëmë SPAK të kryejë hetime mbi kallëzimin e bërë. Kam shumë besim që drejtësia do triumfojë.”, tha Halit Valteri. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një shkrese i kërkoi informacione zyrtare KQZ-së për formularin e dekriminalizimit për Metën. Hetimi po bëhet në funksion të procedimit penal nr.122 të vitit 2022, të bërë nga ish-deputeti Valteri. Kujtojmë se Meta ka dorëzuar forumlarin e dekriminalizimit në vitin 2013, kohë edhe kur ka kandiduar për deputet.
Kim “fundos” Metën: Nuk je i paparekshëm
Ish-presidendti Ilir Meta pasi është vënë në dijeni për kërkesën drejtuar KQZ-së nga SPAK ka reaguar në rrjetet sociale duke e qujatur Arben Krajën “spurdhjakun” e partisë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Yuri Kim e cila i ka kthyer një përgjigje nga “Tëittet” Metës se nuk mund të jetë i paprekshëm.
Ilir Meta është i njohur për përplasjet që ka krijuar me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim. Edhe dje shefja e diplomacisë ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Metës. Në një kohë që Meta i është drejtuar SPAK-ut për hetimin, kryesish të inceneratorëve, duket i prekur që SPAK është kthyer kundër ti. Ai në një reagim të vetin, në rrjetet sociale ka përdorur një gjuhë jo etike ndaj kreut të SPAK Arben Kraja. Kur “thika kthehet pas”, meta nuk përmbahet. Ai e ka quajtur spurdhjakun e partisë Arben Krajën i cili sipas Metës po i del krah bandës së inceneratorëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale Meta shkruan se “Spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve”. Mes të tjerash ish-presidenti ka publikuar edhe një shkresë, ku SPAK i kërkon informacione Drejtorisë së Gjendje Civiles, mbi gjeneralitetet e Metës. “Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më! Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!” shkruan Meta. Pas deklaratës së Metës ka qenë ambasadorja KIM e cila ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Metës duke theksuar se para drejtësisë nuk ka asnjë të paprekshëm.
Reagon Yuri Kim
Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar, pasi Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta, si dhe pas sulmeve të kreut të SPAK, Arben Kraja nga zyrtarët e Shtëpisë së Lirisë. Në një postim në Tëitter, diplomatja amerikane shkruan se “të pushtetshmit që mendonin se janë të paprekur, tani janë të shqetësuar”. Sipas saj askush nuk është mbi ligjin. “Kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët – dhe përpjekjet e tjera për të prishur reformën në drejtësi në Shqipëri, nuk duhet të pranohen më si “normale”. Kjo sjellje nuk i përket një vendi që është në NATO, ka hapur negociatat për anëtarësim ne BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe/ose të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani ata janë të shqetësuar, mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Ndërsa reforma në drejtësi zbatohet dhe jep gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet më e qartë dhe më e qartë se askush – ASKUSH – nuk është mbi ligjin”, thekson Yuri Kim.” Më herët, zyrtarë të Shtëpisë së Lirisë, sulmuan kreun e SPAK, Arben Kraja, duke thënë: ‘Beni, ky hetuesi i komunizmit i ka verifikuar gjeneralitetet e tij?”.
Deklarata e Yuri Kim, reagon Partia e Lirisë, “Dënojmë sulmet e Ramës ndaj SPAK”
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me hetimet e SPAK. Në një postim në Facebook, Blushi thekson se Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK. Blushi thekson se Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale. “I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj”, shkruan Blushi. “Mbështetim të gjitha thirrjet që dënojnë sulmet dhe presionet banale politike të Edi Ramës ndaj SPAK dhe Drejtësisë. Partia e Lirisë është e vendosur për të ndihmuar dhe inkurajuar çdo ditë SPAK, siç po vepron, duke e furnizuar me prova të pakundërshtueshme dhe dokumenta origjinalë që provojnë botërisht vjedhjet e tmerrshme të Edi Ramës dhe bandës së tij, kryesisht nëpërmjet aferës së inceneratorëve. Partia e Lirisë pret me durim që SPAK të veprojë pa vonesë ndaj kallëzimeve penale dhe që abuzuesit me taksat e shqiptarëve të marrin menjëherë ndëshkimin e merituar dhe të shumëpritur nga populli shqiptar. I bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë nga cilësimet e SPAK, si krijesë të PS, siç bëri në Kongresin e Partisë së 9 majit kur tha ndër të tjera se: “SPAK-u nuk do ekzistonte po të mos ekzistonte kjo parti”, sepse të tilla kërcënime dhe shantazhe nga partia-shtet kompromentojnë rëndë funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe të bazuar vetëm në ligj”, shkruan Blushi.