Projektligji i ri i prezantuar në Komisionin e Ligjeve parashikon kompensime jo më pak se 10% e vlerës së pronës si dhe parashikon një mundësi të re për dosjet e patrajtuara.
Ministria e Drejtësisë prezantoi të martën në Komisionin parlamentar të Ligjeve projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.133/2015 Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, në përmbushje të detyrimeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese. Ndryshimet në ligj adresojnë vendimin e 7 majit 2020 të GJEDNJ-së në çështjen “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, i cili e ka shpallur të papranueshme skemën e re të qeverisë me ligjin e 2015-ës për trajtimin dhe kompensimin e pronës. Ndryshimet kushtëzohen dhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2021, e cila shfuqizoi disa prej dispozitave të këtij ligji si të papajtueshme me Kushtetutën. Zv. ministja e Drejtësisë, Adea Pirdeni tha para deputetëve se “projektakti përmban dispozita për formulën e përllogaritjes së vlerësimit financiar për pronat që rezultojnë me zë kadastral të ndryshuar dhe për të cilët garantohet tashmë kompensimi të paktën në masën 10 përqind të vlerës sipas zërit kadastral aktual”. Ajo sqaroi se projekligji detyronte rishikim të vendimeve përfundimtare të marra nga Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) me skemën e vjetër të përllogaritjes dhe se bëhet fjalë për 4672 vendime që impaktohen nga skema e re. “Në çdo rast është e garantuar se vlerësimi financiar i vendimeve përfundimtare për kthimin dhe kompensimin e pronës si dhe i vendimeve që kanë njohur vetëm të drejtën e kompensimit duhet të sigurojë që subjekti i shpronësuar të përfitojë jo më pak se 10 përqind të vlerës sipas zërit aktual kadastral”, tha ajo. Vlera e parashikuar nga qeveria për rivlerësimin e këtyre vendimeve sipas zv/ministres kap shifrën 18.5 miliardë lekë dhe ATP-ja do të ketë një afat 3 mujor për të bërë rillogaritjen. Ndryshimet në ligj po ashtu parashikojnë një mundësi të re për 6950 dosje të patrajtuara, ndërsa Pirdeni tha se ata që i janë drejtuar gjykatave mund të riaplikojnë nëse heqin dorë nga gjykimi. Afati i ri ligjor për trajtimin e tyre do të jetë 31 dhjetor 2024. “Projekligji i njeh të drejtën subjekteve që kanë tërhequr kërkesat e patrajtuara për njohje të pronës ose i janë drejtuar gjykatës së shkallës së parë që të heqin dorë nga gjykimi i çështjes dhe të paraqesin kërkesë pranë ATP-së”, tha Pirdeni, duke shtuar se kjo dispozitë vlen dhe për ata që i janë drejtuar gjykatës administrative për vlerësimin financiar të pronës. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet bëjnë dhe rregullimin e autorizimit ligjor për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar radhën dhe prioritetin e formave të kompensimit. Deputetët e opozitës e cilësuan të një rëndësie të veçantë dhe kërkuan që të ishte ministri i Drejtësisë që të mbronte ndryshimet në komision, si dhe një seancë dëgjimore me grupet e interesit. “Partia Demokratike e ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese dhe jemi para një realiteti të ri, ku qeveria detyrohet ta rishikojë pasi kjo gjykatë i ka shfuqizuar disa dispozita, ndaj këtu duhet të jetë ministri”, tha Dhurata Çupi. Kërkesën e mbështeti dhe Oerd Bylykbashi, i cili shtoi se miratimi i ndryshimeve duhet të marrë kohën e duhur, pasi sipas tij, ligji “duhet të ketë kuptim si t’u kthejë pronën pronarëve dhe jo të bëhet një instrument për të mos e kthyer pronën”. Kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka e cilësoi seancën vetëm prezantuese dhe njoftoi deputetët se në seancat e tjera komisioni do të ketë diskutime edhe në bazë të sugjerimeve e komenteve që do të adresohen në platformën e konsultimit publik./BIRN
Klosi prezantohet në Vlorë, Gjiknuri shfajëson Ahmetajt: Kishte punë
Blendi Klosi u prezantua, këtë të martë, në Vlorë si drejtues politik i Partisë Socialiste për këtë qark, pas largimit të Arben Ahmetajt nga ky post. “Besoj do të bëj punët e mira të nisura për sa i përket mirëmenaxhimit dhe organizimit politik”, tha deputeti i qarkut, Damian Gjiknuri, i cili shoqëroi Klosin në prezantim. I pyetur për mungesën e Arben Ahmetajt në Vlorë, Gjiknuri tha: “Për këtë është përgjigjur edhe kryeministri, janë lëvizje normale para fushatave zgjedhore, ku secili lojtar pozicionohet në vendin e tij në mënyrë që skuadra të japë maksimumin e vet. Ahmetaj është lajmëruar, por mesa di ka qenë i angazhuar me punë të tjera”. Klosi ka qenë edhe më parë drejtues politik në Vlorë, në vitet 2007- 2009. “Për këdo është nder i madh të bësh jetën e partisë në Vlorë. Është përgjegjësi e shumëfishtë për të arritur të njëjtat rezultate që kjo parti ka arritur, që ka dëshmuar që gjithmonë ka dalë të jetë e suksesshme sepse ka qenë bashkë”, tha ai. Klosi është pyetur për mungesën e Bashkisë sërish në këtë mbledhje. “Detyra jonë është të jemi bashkë me qytetarët. Mos u përpiqni të ndani popullin. Vlerësimi për gjithsecilin bëhet si u shërben qytetarëve. Shumë shpejt do të fillojmë procedurat për punën e kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin”, shtoi Klosi.
Nënshkruhet marrëveshja, kompania spanjolle bëhet pjesë e konsorciumit Albgaz
Konsorciumi shqiptar AlbGaz do të bashkëpunojë me kompaninë energjitike spanjolle Enagás për disa projekte që lidhen me nxjerrjen dhe transportimin e gazit në vendin tonë. Marrëveshja është nënshkruar nga Ministrja e Energjitikës dhe Transportit, Belinda Balluku, ministrja spanjolle për Tranzicionin Ekologjik dhe Sfidën Demografike, Teresa Ribera si dhe përfaqësuesit e dy kompanive të gazit. Kjo marrëveshje i hap rrugën kompanisë Enagas për t’u bërë zyrtarisht pjesë e konsorciumit AlbGaz, përmes posedimit të aksioneve si dhe bashkëpunimit të mëvonshëm për zbatimin e disa projekteve të përbashkëta studimore. Aleanca midis dy kompanive parashikon gjithashtu vlerësimin e pjesëmarrjes në projektet e gazit natyror dhe gazit të rinovueshëm, aktualisht në zhvillim në Shqipëri dhe në rajonin e Mesdheut. Marrëveshja e parë mes dy kompanive u nënshkrua në muajin qershor dhe hidhte themelet për të bashkëpunuar në zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri, për të kontribuar në sigurinë e furnizimit me energji dhe dekarbonizimin e ekonomisë së Shqipërisë, duke zhvendosur karburantet ndotëse dhe promovimin e gazeve të rinovueshme. Pjesë e Albgaz është edhe kompania taliane shtetërore e gazit, SNAM.