Gazetari Adriatik Doçi shprehet se vendimi i Prokurorisë së Tiranës për mos nisjen e hetimeve rëndon akoma më shumë pozitat e ish-presidentit Ilir Meta.
“Ky vendim rëndon pozitat e ish-presidentit Meta. Është një vendim që konfirmon të gjitha dyshimet për një bashkëpunim të mundshëm të Ilir Metës me ish-Sigurimin e Shtetit. Prokuroria me këtë vendimmarrje tregon se prokuroria nuk ka parë as dyshimet. Prokuroria nuk ka hapur një dosje penale, e ka mbyllur që në fazën fillestare”, u shpreh gazetari në një intervistë për Euronews.
Prokuroria e Tiranës vendosi që të mos fillojë një procedim penal ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve, pas kallëzimit të bërë disa javë më parë nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Prokuroria bëri të ditur se duke nisur nga kallëzimi i Metës, por edhe bazën ligjore mbi të cilën ka operuar Autoriteti i Dosjeve, nuk ekzistojnë rrethanat e mjaftueshme për regjistrimin e procedimit penal, i cili lidhet me ekzistencën e figurës apo figurave të veprës apo veprave penale.
Pasi bëri kallëzimin, Meta sqaroi se kallëzimi është bërë për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i ka bërë ky institucion ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Ish-presidenti është politikani i lartë me inicialet I.M që pretendohet se figuron në dosjet e Sigurimit të Shtetit.