Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Bilisht, ku makina e Marsel Buçit u shkrumbua nga një zjarr që dyshohet se është i qëllimshëm.
Në një prononcim për mediat, babai i Buçit, ka hedhur akuza ndaj Deizi Arapit, e njohur si “gangsterja” e Bilishtit.
Dyshohet se bëhet fjalë për një çështje hakmarrjeje dhe lidhet pikërisht me Deizi Arapin, vajzën problematike, e cila më herët e ka akuzuar Buçin se ka qenë i përfshirë në djegien e mjetit të saj disa javë më parë.
Ndërkaq, lidhur me ngjarjen janë shoqëruar në komisariatin e Devollit rreth 15 persona, për t’u marrë deklarimet lidhur me djegien e mjetit të Marsel Buçit.
Sipas informacioneve, mes të shoqëruarve është edhe Deizi Arapi, ndërsa shtetasit e tjerë janë persona që mund të kenë dijeni, apo persona që kanë pasur konflikte më parë me Buçin.
Vetë Buçi ka deklaruar në polici se dyshimet e tij janë tek Deizi Arapi, pasi ajo ka përmendur emrin e tij kur iu dogj makina e saj.