Ish-kryeministri Sali Berisha është i sigurt se zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin 2023 do të fitohen nga Partia Demokratike. Në një takim me deputetët suedezë, Berisha tha se qeveria është konsumuar dhe se në Europë zgjedhjet po fitohen nga e djathta.
Sali Berisha i ftuar në një tryezë ku të pranishëm ishin deputetë suedezë, të partisë simotër të PD, Moderaterna, ka vendosur theksin tek rëndësia që PD i ka dhënë votës, teksa akuzoi socialistët për heqjen e votës brenda llojit të tyre. Kryetari i PD u shpreh se demokratët e kanë vetë në dorë fitoren e zgjedhjeve vendore te 2023 dhe risolli në vëmendje rikthimin e së djathtës në pushtet në shumë vende të Europës. “Sot PS-ja nuk voton më për asnjë të zgjedhur të saj. Më së fundi Edi Rama hoqi votën për kryetarët e degëve të PS dhe riktheu modelin tipik të Enver Hoxhës. Besoj se ne së bashkua vendosëm një standard të ri këtë vit. Vendosëm një standard duke votuar. Ne kemi votuar këtë vit sa asnjë parti tjetër dhe më shumë se kurdoherë në historinë tonë. Dhe kemi bërë mire”, është shprehur Berisha. Duke u ndalur tek situata politike Sali Berisha ai tha se janë ezaurim për PS tre mandate. Berisha deklaroi se PD është për herë të tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Ai shtoi se për herë të parë në 30 vite dora e qeverisë është shtrirë mbi opozitën duke i krijuar idenë shqiptarëve sikur Rama është i pandalshëm. “Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Kemi pasur një qeveri të bazuar në skandale. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës. Në një mënyrë apo një tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite. Dora e qeverisë u shtri mbi opozitën dhe te shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita i bën fresk atij. Në këtë kontekst PD ndodhej para alternativës për ekzistencë, to be or not to be. Unë mendova se ajo duhet të ekzistonte. Por ajo që të ekzistonte duhet të ndryshonte në mënyrë rrënjësore. Të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar. Ndryshe ata nuk kanë asnjë arsye që të na besojnë ne. Në një vit ia kemi dalë dhe kemi shënuar rritje për t’u paraqitur para shqiptarëve”, deklaroi Berisha.
Primarët
Ai tha se nëse do të ketë ndryshime positive në Partinë Demokratike qeveria do të jetë nga ana e PD-së. “Ne vendosëm primaret për zgjedhjen e qeveritarëve vendore. Në standardet më të mira ata do të zgjidhen nga anëtarët dhe mbështetësit tanë. Ne kemi një unë jo të lehtë për të bërë drejt fitores, por në fitoren e kemi në dorë vetë. Në raste se ne vazhdojmë serinë e ndryshimeve pozitive, që prej shoqëria shqiptare nga ne, ne kemi të gjithë trashëgiminë, kemi të gjithë programin për të ardhmen, për tu dhënë përgjigjen më të mirë sfidave që na presin”, tha mes të tjerash Berisha.
Porositë e Berishës
Ish-kryeministri Sali Berisha ka porositur strukturat e Partisë Demokratike që të shtojnë angazhimin në rrjetet sociale si formë komunikimi me shtresën gri të elektoratit. Berisha u shpreh se partia në pushte ka një dominancë me postimet në rrjetet sociale edhe pse sipas tij interesi për ta është dy herë më e ulët se për opozitën. “Partia në pushtet sot na dominon në rrjetet sociale. Kanë më shumë se 2-fishin e postimeve në krahasim me ne. Por ata nuk kanë një gjë. Nuk kanë interesin e publikut. Interesi i publikut është dy herë më i madh për opozitën. Por sa e shfrytëzojmë ne këtë gjë?! Duhet të ecim drejt shtresës gri. Kjo përcakton fitoren. Duhet të jemi në lartësinë e misionit. Kërkohet që secili nga ne të ketë një program ditor. Çdo anëtar i yni të bëjë takime”, u shpreh Berisha.