Partia Demokratike shkon një hap më afër bashkimit. Përfaqësuesit e grupimeve Berisha-Basha, kanë diskutuar për daljen me një kandidat të vetëm në zgjedhje lokale, si të vetmen mënyrë për të mundur Edi Ramën. Në takimin e parë, Gazmend Bardhi dhe Edi Palaka biseduan për të gjetur dakordësi duke lënë pas përçarjen prej më shumë se një viti.
Kur vjen puna që opozita duhet të mundë Edi Ramën duhet të mblidhen të gjitha forcat. Ende pa folur Gjykata e Apelit se kujt i takon zyrtarisht Partia Demokratike, nënkryetari i Rithemelimit Edi Paloka dhe Gazmend Bardhi si përfaqësues i “Grupimit Basha”, kanë bërë një takim ku ka rënë dakord që të kenë një kandidat të përbashkët që do të shkojnë në zgjedhjet vendore. Shpatat që prehën për njeri-tjetrin duket se janë futur në këllëf, duke kuptuar se të ndarë ishin një kafshatë shumë më e lehtë për Ramën. Por vetë Berisha nuk do një bashkim me kushte. Ai pohoi nga selia blu se nuk ka kushte që të hyjë në bisedime me grupin e Alibeajt, për të dalë më pas me kandidatë të përbashkët për zgjedhjet lokale. Para takimit me aleatët joparlamentarë, Berisha tha për mediat se nuk do të heqë dorë nga primaret, pasi ato janë kusht i ekzistencës së PD. “As nuk ka kushte. Mirëpres cilindo që dëshiron të kandidojë, të propozojë, të debatojë, hapje e plotë dhe totale. Nuk tërhiqem nga Primaret, janë një kusht i ekzistencës së kësaj force. Nuk tërhiqet jush. S’ka kërkuar njeri që të tërhiqet nga Primaret.”, tha Berisha. Kur kanë mbetur rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve lokale duket se berisha ka mundur të rezistojë, duke detyruar “Grupimin Basha” që të pranojë të ulet në bisedime për të gjetur një kandidat të përbashkët. Nga ana tjetër përfaqësuesit e PD-së që pretendojnë se mbajnë logon dhe vulën, që përfaqësohen njga “Grupimi Basha”, janë disi të kënaqur pasi e quajnë veten faktor, për aq kohë sa pjesa tjetër i thërret në bisedime.
Takimi mes Palokës dhe Bardhit
Grupi i deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeajn (Grupimin Basha), brenda Partisë Demokratike, kanë mandatuar Gazment Bardhin për të negociuar me palën tjetër, mbështetësit e Sali Berishës, në mënyrë që PD-ja të dalë me një kandidat të vetëm në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Deputeti i PD-së, Gazment Bardhi në një prononcim për mediat sqaroi pozicioni e tij se është mandatuar nga grupi i Alibeajt për të negociuar me grupin e Berishës. Ai tha se nuk bëhet fjalë për negociata, por bisedime për të parë modalitetet për të mundur Edi Ramën në zgjedhjet lokale. “Në dijeninë time zoti Berisha ka caktuar zotin Paloka për të biseduar. Do të kontaktoj me zotin Paloka. S’do negocioj me zotin Paloka, do të bisedoj me të për të hulumtuar mundësinë që demokratët të kenë një kandidat të përbashkët për zgjedhjet lokale. Me këtë rriten shanset për të fituar zgjedhjet. Nuk bëj bisedime para kamerave. Do të bisedoj me zotin Paloka për të parë se kush është grupi i kolegëve që përfaqëson zoti Paloka. Do shprehim qëndrim. As nuk hyjmë me kushte, as nuk pranojmë kushte, se nuk pranojnë demokratët”, tha ai. Më pas ka ardhur edhe një njoftim nga Partia Demokratike, në të cilën shkruhet se janë kundër kandidatëve alternativë. “Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të PD-së zgjidhje e vetme për t’u përballur me regjimin e Edi Ramës në zgjedhjet lokale është bashkimi i çdo zëri opozitar dhe përballja me një kandidat të vetëm të PD-së dhe opozitës në zgjedhje. Me qëllim diskutimin e çdo mundësie të sinqertë për bashkëpunim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka mandatuar zotin Gazment Bardhi për të kontaktuar dhe për të hulumtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe daljes në zgjedhje lokale me një kandidat të vetëm të PD-së dhe opozitës”, thanë ata përmes një njoftimi. Para mbledhjes së zhvilluar në kryesinë e Kuvendit, një pjesë e mirë e tyre u shprehën absolutisht kundër daljes me kandidatë alternativë, si në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022. “Mendoj dhe gjykoj që do të ketë patjetër kandidatura të përbashkëta”, tha deputeti Bledion Nallbati. “Çdo diskutim tjetër tej këtij objektivi shkon në funksion të Ramës”, u shpreh Arbi Agalliu. Ndërsa Grida Duma, deputete e Partisë Demokratike që mban anë nga Berisha dhe Alibeaj tha se vetëm një kandidat duhet të jetë përballë atij të Partisë Socialiste. Ajo tha se demokratët presin një opozitë të unifikuar. “Një kandidat, absolutisht askush nuk ka më të drejtën ta çojë PD-në në skenarin e 6 marsit. Duhet të përpiqemi të gjithë për një kandidat. Le të diskutojmë brenda dhe të qëndrojmë gjithmonë me interesin më të mirë të demokratëve dhe të opozitës. Opozita dhe demokratët, dhe më gjerë se demokratët, presin një opozitë të unifikuar”, tha Grida Duma. Flamur Noka është shprehur se tashmë është koha e duhur për të reflektuar dhe se nuk është kurrë vonë. “Koha për të reflektim nuk është kurrë vonë. I falënderoj. Tërheqja e padisë i jep sinjal demokratëve që jemi bashkë për një qëllim. Por sigurisht, ka kohë gjithmonë”, kështu është shprehur Flamur Noka. Pas ftesës së Berishës për të dalë me një kandidat për zgjedhjet lokale, erdhi dhe një reagim pozitiv nga grupi i Alibeajt që pohoi se ishin të gatshëm për të diskutuar për të dalë me kandidatë të përbashkët, në interes të PD dhe opozitës, kundër qeverisë Rama.