Aleatët dhe partnerët e NATO-s do të ndihmojnë Kievin të forcojë mbrojtjen ajrore pas sulmeve ruse ndaj objekteve civile në Ukrainë. Ky zotim u bë sot gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel që në qendër të diskutimeve kishte zhvillimet në Ukrainë. Po sot, forcat ukrainase kanë njoftuar për çlirimin e territoreve të reja me rëndësi strategjike në rajonin e Khersonit.
Zhvillimet e fundit në Ukrainë me theks të veçantë sulmet ajrore ruse ndaj objekteve civile ishin tema kryesore e diskutimeve në Bruksel mes ministrave të mbrojtjes të NATO-s dhe vendeve të tjera aleate.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se sulmet e fundit kanë nxjerrë në pah “ligësinë dhe mizorinë” e luftës së Rusisë, ndërsa u zotua se SHBA dhe aleatët do të ndihmojnë ukrainasit të mbrojnë vendin e tyre jo vetëm nga sulmet e fundit.