Hakan Calhanoglu do të ketë edhe sot në dorë çelësat e mesfushës zikaltër, kur në regji do t’i duhet të zëvendësojë Marcelo Brozovic, një pozicion në të cilin vetë turku ka pranuar se nuk është në maksimumin e tij në intervistën që ka dhënë pas ndeshjes për “Amazon Prime Video”. Mesfushori ka komentuar klimën në kampin zikaltër para Barcelonës, dhe ka treguar sekretin që riktheu Interin te fitorja.
“Unë tani luaj në regji, nuk jam mësuar të jem në atë pozicion këtu, edhe pse në kombëtare kam qenë shpesh në këtë rol me një tjetër mesfushor pranë meje. Barella dhe Mkhitaryan më kanë ndihmuar shumë dhe mendoj se ia kemi dalë të bëjmë një punë të mirë”.
“Inzaghi donte që ne të punonim më shumë për skuadrën, jo të mendonim si individë dhe të martën ndaj Barcelonës këtë bëmë. Kemi vrapuar më shumë dhe jemi mbështetur te njëri-tjetri me shumë kurajo, dëshirë dhe zemër. Sipas meje në ndeshjet e fundit para Barçës na ka munguar pikërisht zemra. Tani duam vetëm të vazhdojmë në këtë mënyrë, të punojmë drejt sukseseve pa u ndalur”.
“E dimë shumë mirë atë që na pret në ‘Camp Nou’. Ata janë të tensionuar dhe të nevrikosur, kanë zjarrin brenda dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por ne do të japim maksimumin. Nëse punojmë dhe luajmë për 90 minuta në mënyrën që kemi bërë deri më tani, e nëse jemi të bashkuar, ka shumë pak skuadra që mund të fitojnë ndaj nesh”.
“Para ndeshjes së kaluar ndaj Barcelonës, Lukaku dhe Onana më kanë këshilluar që të shënjestroj të djathtën e Ter Stegen-it, pasi në atë krah ai është më i dobët. Lukaku pastaj është një mungesë e rëndësishme pasi një lojtar me forcën e tij dhe me topin nën këmbë ndihmon për të nxjerrë të gjithë skuadrën para. Jemi të qetë kur një me cilësitë e tij ka topin dhe i kam thënë të nxitojë me rikuperimin, pasi na duhet”.