Nga Klajd Gorica
Astrit Greva, Gjovalin Shkurtaj, Valter Shtylla, Xhevat Lloshi, Petri Qendro, Petraq Kolevica, Ksenofon Dilo, Pëllumb Kulla, Petraq Sotiri, Vladimir Prifti, Afërdita Onuzi, Zhani Ciko e të tjerë – janë figura për të cilat nuk dëgjojmë të flitet shpesh, edhe pse i përkasin pa kurrfarë hezitimi etiketimit VIP, very important person. Ndoshta për zgjedhje të tyre, ndoshta për mungesë vizioni apo ndoshta për mungesë hapësire në mediat shqiptare dhe jo vetëm. Pasi në 30 – 40 vitet e fundit dallohet qartë prirja për të nxjerrë në ekran e për të drejtuar kamerat edhe drejt individit të thjeshtë, kushdo qoftë ai, me kusht që të krijohet konflikt, zhurmë dhe debat.
Kur televizioni lindi, do ish e paperceptueshme që individë të çfarëdoshëm të dilnin edhe sikur shkarazi me figurë, e jo më të shprehnin mendimet e tyre ashtu bruto para kamerës. Përkundrazi, gazetarët e redaktorët, në një farë mënyre shërbenin si filtra pikërisht për të marrë më të mirën, e kulturës, sportit, artit, politikës. Kësisoj që prej viteve 40 në të pavetëdijshmen tonë u krijua mendimi se “ajo çka thuhet në televizor është e vërtetë”. Besoj të gjithë e kemi përdorur si argument të paktën një herë në jetë shprehjen “- E dha radio apo televizori”. Kjo sepse vërtetë figurat që intervistoheshin ishin të sprovuara në njohuritë e dijet e tyre.
Por me shtimin e online-streaming si një alternativë, që nuk ka kufij si televizioni linear me maksimumi 168 orë në javë prodhim, dhe për më tepër lindjen e konceptit të përmbajtjes së gjeneruar nga përdoruesi, përqendrimi vetëm te përmbajtja elitare do ishte vetëvrasje. Kërkohet sasi, fundja arti është subjektiv dhe struktura e përvojës njerëzore dikton që të përshtatemi me atë që na ofrohet, aq më tepër kur kjo e fundit na ngacmon dopaminën. Kjo mënyrë funksionon, mjafton të shohim se cilat janë gjinitë e programeve më të përfolura në vendin tonë – Show dhe Reality – patjetër argëtuese por shpesh herë shumë larg të të qenit edukues dhe informues. Pra rritja e dopaminës nëpërmjet argëtimit të vazhdueshëm , me mediat sociale nxitëse të varësisë, na ka futur në një rreth vicioz, ku e kemi të vështirë të ndjekim e kërkojmë programe të vërteta me “vipa” të vërtetë, që shpesh as nuk e duan këtë etiketim. Një program të tillë pa shumë zhurmë por me sqimë dhe shije rreket të sjellë Ben Andoni për shembull, një gazetar, i cili kompromisin mbi cilësinë, thjesht nuk e pranon dhe klikimet, aq të kërkuara ndër mediat e sotme i’a ka lënë kohës. Ndoshta sepse “Autor” me profile, intervista, histori nga personalitete të shquar të letrave dhe botës akademike shqiptare është nga ato programe “timeless” të palidhur me kohën por me veprën, sepse puna është çelësi që përcjell suksesin te njeriu. Vepra nuk i bën njerëzit, ata e bëjnë veprën.
Programe të tilla janë vlerë për çfarëdolloj arkive, janë të vyera për mendjet kritike dhe një visar për studentët që hulumtojnë vërtetë për punët e tyre. Shembull botëror me synim këto lloj programesh është bashkëpunimi gjermano-francez i ARTE, i cili është i vetëdijshëm për audioncën e kufizuar vetëm 2.9% por besimplotë për nivelin e atyre që e ndjekin. Poa ashtu edhe BBC me një sërë prodhimesh të shkëpututra nga dëshirat e aty për atyshme të publikut. Vipat e vërtetë nuk kanë K, pasi thjesht nuk u’a ndjen për to, ata duan prekjen njerëzore, pyetje të goditura dhe të parapërgatitura pas një pune hulumtuese, pra një staf profesionist përballë. Pastaj K-të do vijnë me kalimin e kohës.