MES KUJTIMESH…
Nga Teuta Dhima

Egziston një shprehje e mirënjohur: “Kur shkruani një libër, nuk jeni ju që e zgjidhni temën, është tema që ju zgjedh juve”. Konkretizimin e saj unë e gjeta midis rreshtave të shkruar të kujtimeve biografike të shkrimtares Anisa Markarian.
Markarian është vendosur në qendër të rrëfimit duke zgjedhur të rrëfejë në vetën e parë. Kjo vendosje, për lexuesin ndonjëherë mund të jetë disi e sforcuar, pasi jo të gjithë lexuesit që prej fillimit duan të identifikohen me autorin që rrëfen, të shohin realitetin me sytë e tij/saj. Në rastin tonë, nuk e pata aspak të vështirë, madje them që kam bërë udhëtimin më të bukur, më komod, të pasur me ndjesi të këndshme, duke krijuar një marrëdhënie autor-lexues shumë mbresëlënëse.
E veçanta në këto kujtime nuk qëndron vetëm në zgjedhjen e rrëfimit në vetën e parë, por edhe në pikënisjen e tyre. Rrëfimi zë fill që me ardhjen në jetë të autores më 4 korrik 1962. Kuptohet që nga kjo pikënisje e deri në moshën 4- vjeçare, kur ajo do t’i fiksojë vetë kujtimet e veta, do të bazohet në atë çfarë i kanë treguar familjarët. Një zgjedhje simpatike të qenurit protagoniste që prej lindjes. Personalisht më krijon idenë se autorja merr në dorë plotësisht frerët e rrëfimit, duke u bërë një udhërrëfyese. Kujtimet i përkasin fashave moshore të ndryshme, ku autorja i ka emërtuar edhe me tituj domethënës, si për të dashur të dritësojë ato më të rëndësishmet, megjithëse kujtimet janë shumë të dashura dhe bëhet e vështirë të zgjedhësh mes tyre. Disa piketa për jetën e saj, Markarian na i ka sjellë edhe në tregimin me titull “Sënduku i kujtimeve”, titull të cilin e mban edhe vëllimi me tregime i botuar nga Çabej, 1999, por ato mbeten shumë pak, krahasuar me ato që na sjell te “Shtëpia te Selvia”.
Rrëfimi i Markarian-it nuk ka kthina. Drita e sinqeritetit të saj e bën edhe më të bukur çdo detaj,aq sa jo pak herë të vjen të thuash: – edhe unë…
Ma do mendja që shumë prej jush i kanë ulur në tepsinë e fatit për pëmbushjen e ritit bestytnor, shumë prej jush kanë patur një sërë nofkash simpatike brenda familjes, siç i ka pasur autorja jonë: topolake, mis domatje (i pëqente lëngu i domates në biberon), gjirafa, qafëlejlekja etj.
Pak më sipër, përmenda faktin që janë temat që na zgjedhin. Historia e secilës familje në vetvete është e rëdësishme për t’u shkruar, pasi mbetet një pasuri për brezat, por sjellja e kujtimeve të familjes Markarian, përbën një mision të përmbushur të pinjolles së kësaj familjeje, Anisa Markarian.
Isha e vogël kur shihja filmin “Në çdo stinë” dhe dëgjoja prindërit të flisnin për aktoren Anisa Markarian dhe origjinën e asaj armene nga babai. Kjo sikur e vishte në sytë e mi me një tjetër tis hijeshije të bukurën Anisë.

E ku ta dija unë, që të qenurit armen, ka qenë një nga faktet që ka kthyer në një kalvar rininë e babait të saj, Agop Markarian dhe e ka përndjekur atë derisa mbylli sytë? Të gjitha këto andralla autorja nis e i rrëfen vetë, por vende- vende serviret nga rrëfimi brenda rrëfimit, kur e ëma i tregon ngjarjet nga libri “40 ditët e Musa Daghut” ku rrëfehet historia e 4500 qëndrestarëve armenë të grumbulluar në Malin e Moisiut , në verën e viti 1915. Apo kur nëna e pyet të shoqin se çfarë mban mend nga vendlindja. Agop Markarian nis e tregon për relievin e thyer, stacionin e trenit, shkollën ku mësonte, zjarrin e madh që ra në qytet dhe njerëzit mikpritës dhe bujarë.
Autorja mban mbi vete një copëz të kësaj historie familjare, pasi mban emrin e gjyshes së saj të cilin i biri, nuk mban mend ku e ka varrosur bashkë me të atin, të dy viktima të tifos së zorrëve, që iu mori jetën në moshë shumë të re. Sipas të atit, Anisa i ngjan gjyshes, ecën si ajo, por është më e gjatë, ndërsa Marku, i vëllai, i ngjan krejt gjyshit. Për Agop Markarian-in, fëmijët e tij janë dyfish të dashur, pasi i mbajnë edhe emrat e prindërve, një kujtesë e dhimbshme që e mundoi derisa mbylli sytë, larg të dashurve të tjerë, pa pasur mundësinë t’i ritakonte.
Lidhja me aromat, parfumet e shtëpisë prindërore është aq e fuqishme sa as koha që kalon nuk e zbeh, veç e vesh me mall. Mall për çdo skutë, mall për çdo objekt që autores i materializohet dhe merr formën e sëndukut të babait, makinës së tij. Në kujtimet e Markarian-it, ndihet qartë respekti, dashuria, dhimbja për atin. Ajo, ishte djali i tij i parë, jo më kot e thërriste bir. Ajo e përshkruan atë si një njeri jo vetëm të ditur, por të kulturuar, të duruar, të dashur.
Një figurë shumë e dashur që na vjen në këto kujtime, është Zika, nëna e autores. S’ka nevojë për shumë fjalë për të kuptuar vlerësimin e autores për të. Ajo, ndryshe nga babai, nuk e ka problem t’i tregojë gjërat e sëndukut të saj. Nëna i tregonte ndodhitë që lexonte, gatuante gjëra të mrekullueshme me duart e saj dhe Anisa pyeste veten: Ku e gjen kohën për t’i bërë të gjitha? kur sheh nënën e saj që pasi ka shtruar tryezën për miqtë, paraqitet para tyre me fustanin festiv dhe baluket me onde.
Afërdita është një tjetër figurë bosht në kujtime. Ajo e ka rritur, ka qenë pranë saj në orët kur nëna duhet të ishte në punë, por jo vetëm kaq, dhoma e saj ishin vendi ku gjente shpëtim sa herë bënte ndonjë prapësi të vogël.
Ndjesi nga më të ndryshmet provon kur lexon kryetitujt në këto kujtime: A. A M; Tepsia e fatit, Shtëpia te Selvia, Standardizim; M.A.M; Ngelësja; Cifla jete; Habemus Kanoçe; Ishte viti 1971; “ Iquaranta giorni di Mussa Dagh”; Para marsh!; Lajmëtarja; Neps fundviti; Në punë vullnetare; Kohë ëndërritëse; Thërrmija qelizore; “Mirënjohje; Ora e Frëngjishtes; N.D. E; Uji fle armiku s’fle; Mirë se vini në Albanistan; Fletëanketa personale, Parandjenjë.
Një vajzë që rritet… Ajo është herë një lajmëtare e përkushtuar që nxiton udhëve të Tiranës, herë një çapkëne mbi biçikletë e shkathët si një djalë, herë e merakosur për provat e recitimit, herë e menduar, shpeshherë kurioze për ç’ka brenda sënduku i babait, herë duke mbajtur ditar, ose siç shprehet vetë ajo, duke i zbrazur barkun, unit tënd të dytë.
Një përzierje ndjenjash provova kur lexova “Shtëpinë te Selvia”. Jo pak herë u preka, po nuk i fsheha lotët, i lashë ato të rridhnin faqeve si një parade ndjenjash të pastra, të provokuara nga ky rrëfim. Jo pak herë qesha, po, po, qesha e ngacmuar nga batuta e zgjuar dhe e papritur e autores si:
I kam fituar me djersën e ballit dhe me fuqinë e këmbëve (iu referohet të hollave që i jepnin kur shpërndante ftesat e dasmës), ose kur gjejnë një zgjidhje për të ngrënë bajamet dhe arrat në sirtarin me çelës. Domosdo, nepsi e bën gjeni autoren. Ha arrat bosh dhe lëvozhgat i ngjit me tutkall.
E sa e sa batuta të tilla simpatike do të numëroja mes atyre rreshtave të shkruar me aq dashuri, aq sinqeritet dhe aq guxim. Guxim për ta parë të vërtetën në sy, guxim për të vuajtur dhimbjen e babait të saj që as shtëpinë e tij nuk e gëzoi e shijoi siç duhet.
Shtëpia te Selvia, nuk është thjesht një vend, ajo është shtëpia e dashur prindërore, është një vatër kujtimesh, ajo është vite të jetuara që autorja i ka përjetësuar në një libër që do t’u mbetet trashëgim brezave.
Nëse babai do të kishte pasur mundësinë ta lexonte këtë libër, me siguri do të thoshte: – Rrofsh o bir!
Dhe ti Anisë e dashur, mos u ndiej xheloze për të gjitha bashkëmoshataret e tua që shëtitën krah për krah me baballarët e tyre, rrugëve të Tiranës (referuar fjalëve të autores në libër). Ndihu krenare, pasi babanë dhe familjen i përjetësove denjësisht në një libër.