Deputeti demokrat Agron Shehaj, në fjalën e tij në Kuvend ka bërë me dije se policia ka mbyllur biznesin e tij dhe ka sekuestruar ambientet ku operonte ky biznes, pa asnjë leje apo urdhër nga prokuroria, duke e quajtur këtë një akt hakmarrjeje dhe përpjekje për t’i mbyllur gojën.
Por pas kësaj deklarate, drejtuesja e Kuvendit Ermonela Felaj iu drejtua duke i thënë se kjo është një çështje në konflikt interesi dhe se “këtu jemi për hallet e njerëzve”.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe deputeti i PD Edmond Spaho, i cili i tha Felajt se me sjelljen e saj po degradon Kuvendin.
“Me sjelljen tuaj po e degradoni parlamentin, përveç veprimeve që bën vetë maxhoranca, duhet që dhe ju këtu të thyeni rregulloren. Me shumë shqetësim e pashë ndërhyrjen tuaj nga kolegut, që në asnjë rast nuk ngriti çështjen e bizneseve të tij, por çështjen e fjalës së lirë dhe presionin politik që i është bërë për të mbyllur gojë. Në vend t’i dilni në krah i kujtoni kodin e etikës. Tregoi që prokuroria nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë ndaj tij. Ç‘bëni more, çështje kjo punë kështu? Pse kjo arrogancë kaq e madhe? Thirrini mendjes e tregohuni pak realisti”, tha Spaho.