I lindur pas vdekjes së tre vëllezërve të tij, pastori Akil Pano është rritur midis dashurisë pa kushte. Teksa ka ndarë pjesën e vështirë të historisë së tij në “Rudina” në Tv Klan, ai tregon edhe të bukurën, një dhuratë nga e cila e ka marrë pikërisht në këtë periudhë festash, në vitin 1993. Një puthje në vigjiljen e Krishtlindjes, njësoj si në filmat hollivudianë që flasin për traditën e puthjes poshtë veshtullës të njeriut të zemrës për të përjetësuar dashurinë, i solli shoqen e tij të jetës.
Akil Pano: Në 24 Dhjetor, në vigjilje të Krishtlindjes, në vitin 1993, unë ndava dashurinë time me vajzën që doja pikërisht para se të shkonim te ajo festa e kishës ku do të festohej Krishtlindja.
Rudina Magjistari: U fejuat apo i deklarove dashurinë?
Akil Pano: Unë i deklarova asaj dashurinë. Dhe ajo ma ktheu mbrapsht idenë e një dëshire për të marrë mundësinë dhe kohën për t’u njohur më shumë dhe më nga afër, por aty këmbyem dhe puthjen e parë, përqafimin e parë dhe natyrisht që u bëra me krahë. Jo vetëm dhashë, por që natyrisht edhe mora, mora dhuratën më të madhe që mund të marrë një person, shokun e jetës.
Pra kemi 29 vite të lumtura së bashku. Në këtë udhëtim kemi pasur natyrisht lot, kemi pasur momente përballjesh, betejash, vuajtjesh, probleme me ekonominë, veçanërisht në fillimet tona, por që duke qëndruar së bashku me njëri-tjetrin, kemi parë që është e mundur, jeta bëhet e mundur, betejat bëhen të mundura, jeta merr kuptim kur ti kupton dhe zbulon që ti mund të jetosh për dikë tjetër.