Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) kanë mbështetur vendimin për heqjen e imunitetit të Andrea Cozzolino dhe Marc Tarabella, me kërkesë të autoriteteve belge në lidhje me hetimin e “Katargate”, një prej skandaleve më të mëdha korruptive që tronditësn ndonjëherë institucionet europiane.
Duke miratuar propozimin e miratuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore të martën, eurodeputetët vendosën këtë të enjte, heqjen e imunitetit të deputetit italian Coçolin dhe atij belg Tarabella. Vendimi iu komunikua zyrtarisht dy deputetëve dhe organeve kompetente.
Kujtojmë se më 18 janar, ish-eurodeputeti italian, Antonio Panzeri, i akuzuar për skandalin e korrupsionit në PE, ra dakord që të rrëfente gjithçka për shtetet e përfshira dhe skemën e funksionimit të skenarit. Ish-deputeti i Parlamentit Evropian, një nga katër të dyshuarit që mbahen në Belgjikë, dyshohet se ka marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin e Brukselit.
Panzeri ishte përfshirë në një organizatë kriminale e cila dyshohet se u përpoq të drejtonte zgjedhjet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian në këmbim të ryshfetit.
Katari ka mohuar ashpër se është përpjekur të fitojë ndikim përmes dhuratave dhe parave, ndërsa Maroku gjithashtu ka hedhur poshtë me forcë akuzat se ka kërkuar ndikim në çështje të tilla si të drejtat e peshkimit dhe statusi i diskutueshëm i Saharasë Perëndimore.