Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka caktuar masën e sigurisë arrest në shtëpi për Arlind Gjokutajn, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, për drejtorin tjetër të kësaj ministrie Fatmir Hoxhajn dhe për përmbaruesin gjyqësor Alban Rulin.
Dy zyrtarët dhe përmbaruesi akuzohen nga Prokuroria se kanë shpërdoruar detyrën duke lejuar një skemë të vjedhjes nga buxheti i shtetit të një shumë prej 1.2 milionë Euro si kompensim për pronën ndaj qytetarit Ilir Thana.
Prokuroria thotë se skema është vënë në jetë nga Thana, i cili ka marrë konsensusin e përmbaruesit gjyqësor Alban Ruli. Ky i fundit ka marrë përsipër të interpretojë një vendim të vjetër gjyqësor i cili ishte ekzekutuar në vitin 2015 dhe ka nxjerrë një urdhër të ri ekzekutimi për pronën e rivlerësuar.
Me këtë urdhër që sipas Prokurorisë është i paligjshëm, përmbaruesi ka kërkuar nga Ministria e Financave të kompensojë Thanën në vlerën e 1.2 milionë Eurove.
Prokuroria e Tiranës thotë gjithashtu se sekretari i Përgjithshëm Arlind Gjokutaj ishte në dijeni të procedurës së parregullt dhe kompensimit të këtij shtetasi, nga një memo e përpiluar në 14 Shtator të 2022, por pavarësisht kësaj, është vijuar me ekzekutimin e vendimit për kompensimin.