Nga Shpëtim Luku
Sot u mbushën dy vjet që mikun tonë Ilir Adili nuk e kemi mes nesh. Nuk e keni patur mes nesh fizikisht, pasi, si kujtim, si imazh e si mbresa që ai ka lënë tek ne, miqtë e tij ai ka qenë çdo ditë i pranishëm ndër ne.
Thonë se koha shëron çdo plagë, mirëpo këto dy vite nuk kanë arritur t’a mbushin boshllëkun e madh që ka lënë tek familja e miqtë e tij Iliri.
Tek ata qe i deshi dhe e deshën, i respektoi dhe e respektuan, i vlerësoi dhe e vlerësuan. Tiranës i mungon prej dy vitesh një qytetar i kompletuar e i angazhuar për problematikat e saj, nga ata që ka aq shumë nevojë ky qytet.
Biznesit i mungon një protagonist model, i cili kurdoherë kishte plane e vizion për diçka të re.
Kurse neve miqve të tij na mungojnë bisedat, diskutimi dhe shkëmbimi i ideve me të, batutat, reagimet reciproke me humor e të qeshura.
Kaluan dy vite e do kalojnë plot vite të tjerë. Ajo që është e sigurtë dhe jo klishe që thuhet në të tilla raste është se Ilir Adili do jetojë me ne, me atë portret që ai ka tek ne: një njeri i ditur, i kulturuar, i qytetëruar, i dashur e i gjendur.