Pas dokumentarit të Inside Storyt të transmetuar mbrëmjen e djeshme në Top Channel, ish-ministri Ylli Manjani ka reaguar lidhur me deklaratat e tij në këtë dokumentar.
Përmes një statusi në facebook, Manjani thotë se “Për çështjen e inceneratorëve kam mbajtur qëndrim publik të qartë dhe i qëndroj të gjitha qëndrimeve të mia”, por sipas tij “dokumentari në tërësinë e tij ishte agresiv dhe me konkluzionet të papjekura. Ishte një përmbledhje me çerek të vërtetash por të lidhura brenda një llogjike jobindëse”.
Manjani gjithashtu ka deklaruar se i ishte kërkuar një intervistë nga kryeredaktori i këtij programi me temë politikanët dhe karriera.
STATUSI I PLOTË
Dua të sqaroj miqtë e mi dhe, më këtë rast edhe armiqtë e mundshëm mbi praninë time në dokumentarin e Inside Story të transmetuar mbrëmë në Top channel, dokumentar të cilin sapo e pashë në internet.
1. Më është kërkuar një intervistë nga kryeredaktori i këtij programi me temë politikanët dhe karriera. E pranova që ta jap këtë intervistë.
2. Kur e dhashë intervistën as që e kisha idenë se cila ishte tema dhe objekti i dokumentarit. As nuk u interesova sepse nuk e bëj asnjëherë këtë gjë. Madje as se kur do transmetohej nuk e dija.
3. Përpjekjeve të gazetarit për të folur për përfshirjen e Ben Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve iu shmanga me një arsyetim të thjeshtë: nuk dua të bëhem pjesë e drejtësisë popullore të supozimeve. Përveç kësaj, për 15 muaj jam ulur në të njëtjën tavolinë pune me Benin dhe i qëndroj përgjegjësisë solidare. Nuk shkon në asnjë rrethanë të thuash sot “i thashë..” apo “s’isha dakord..” , apo shprehje të tilla.
4. Për çështjen e inceneratorëve kam mbajtur qëndrim publik të qartë dhe i qëndroj të gjitha qëndrimeve të mia. Mbetem kritik me mënyrën si është copëtuar e përçudnuar kjo çështje nga SPAK. Mbi të gjitha akuzat me hetime të copëzuara,të paplota dhe të paprovuara janë të papranueshme.
5. Mbetem kritik i mënyrës bolshevike drejtësisë penale, ku nuk sqarohet e vërteta, por bëhet pis personi.
6. Konsideratat e mia në atë dokumentar, janë të natyrës së përgjitshme dhe të palidhura nga unë me çështjen “Ahmetaj”.
7. Gjykoj se dokumentari në tërësinë e tij ishte agresiv dhe me konkluzionet të papjekura. Ishte një përmbledhje me çerek të vërtetash por të lidhura brenda një llogjike jobindëse.
8. Është e drejtë e medias të bëjë edhe konkluzionet e saj, por gjykimi publik me konkluzione të paprovueshme është i gabuar.
Sidoqoftë, kjo është një gjë që i takon personave të përmendur aty. Desha vetëm të sqaroj pozitën time dhe qëndrimet e mia aty,të cilat i kam mendime që i shpreh rregullisht në hapësirën publike.