Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë ndarë punët e tyre në këtë bashkëpunim. Ish kryeministri Sali Berisha po merret me organizimin e protestave në Tiranë si dhe me politikën në Parlament, ndërsa takimet në terren po zhvillohen nga Ilir Meta.
Punët në opozitë janë ndarë. Ndërsa ish- kryeministri Sali Berisha po merret intensivisht me politikën e madhe në Tiranë, Ilir Meta, i cili ndodhet dhe jashtë Parlamentit po zhvillon takime me strukturat e Partisë së Lirisë dhe të Partisë Demokratike për të maksimizuar votat në zgjedhjet e 14 Majit. Kreu i demokratëve është treguar më aktiv në aktivizimin e demokratëve në protesta, ndërsa Ilir Meta ka qenë më i tërhequr, por ka marrë pjesë në tubimet e thirrura nga Sali Berisha. Mosprezenca e tij në Parlament e bën më të tërhequr Metën, ndërsa plotëson Berishën në aktivitete të tjera. Berisha ka kohë që nuk ka dalë në takim me strukturat përveç se ka pasur takime periodike me drejtuesit politik të rretheve, për të aktivizuar “revolucione” dhe “mosbindje civile”.
Berisha në Këshillin Kombëtar
Në një mbledhje të zhvilluar dje me Këshillin Kombëtar, kreu i PD Sali Berisha tha se pas revolucionit, faza tjetër në të cilën ndodhet kjo parti, është puna për të fituar në zgjedhjet e 14 majit. Kreu i PD tha se dandidatët duhet të shumëfishojnë çdo përpjekje për rezultate të shkëlqyera, por paralel me veprimtaritë e revolucionit. “Tani kërkohet një fazë tjetër, në të cilën nga mëngjesi deri në darkë duhet të punojmë për fitoren në zgjedhjet lokale. Kandidatët tanë duhet të shumëfishojnë çdo përpjekje për rezultate të shkëlqyera, por kjo duhet të shkojë paralel me të gjitha format, qëndresë, veprimtaritë e evolucionit tonë. Revolucioni i ‘90 nuk u ndërpre, ia arriti qëllimit,. Askush nuk mund të mendojë se revolucioni do na shmangë nga procedurat kushtetuese elektorale, jo dhe jo. Por askush nuk duhet të mendojë se ato janë zgjidhja, zgjidhja janë kur kombinohen me revolucionin. Nuk duhet të dekurajohemi, të mos mendoni për asnjë çast të tërhiqemi”, tha Berisha. kryetari i demokratëve ka inkurajuar të pranishmit se do të të jenë më të fortë në luftën kundër Ramës dhe në zgjedhjet e 14 Majit. “Ne nuk u mposhtëm. A ishim ne prej shkëmbi? Jo! por më e fortë se shkëmbi, janë idealet që ne besojmë, dhe kjo është arsyeja që na mbështesin ne. U ngritën në këmbë, nuk u mposhtën, nuk u përkulën, refuzuan çdo kërcënim… ndaj u them se kjo provë e madhe na faktoi ne se ishim njerëz të pamposhtur në idealet tona. Kjo nuk ishte një betejë për veten tonë, por për çdo shqiptar, i cili beson se vendi duhet të ketë sistem demokratik dhe se pa opozitë nuk ka demokraci. Kjo ishte një betejë për çdo shqiptar. Kurrë ndonjëherë nuk kemi sakrifikuar më shumë për të gjithë shoqërinë tonë, sesa në këtë udhëtim. Sot jemi në një etapë të re të betejës. Dështoi për asgjësimin tonë. Rrugën nuk e kemi të shtruar, vështirësi të mëdha na presin, por jemi më të fortë dhe kemi çdo potencial për t’i kapërcyer”, tha Berisha.
Meta takim me PD në Durrës
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një status në Facebook shkruan se qeveria Rama ua ka bërë shumë të vështirë jetesën qytetarëve të Durrësit, duke nisuar nga problemet me drejtësinë, apo edhe kostot. Gjithashtu thekson se Durrësi ka shumë arsye të forta për të votuar ndryshimin dhe për të ndëshkuar ‘sektin e rilindjes’. Qytetarëve të Durrësit u hiqet Gjykata e Apelit, do t’u hiqet edhe Gjykata e Shkallës së Parë Administrative, ndërkohë u është hequr edhe Zyra e Kadastrës, që është transferuar në Tiranë. Pra, qytetarëve të Durrësit, “Rilindja” vetëm ua ka larguar shërbimet, j’ua ka bërë tepër të vështirë marrjen e drejtësisë, u ka rritur kostot për shkak të distancës dhe nuk ka ofruar asnjë lehtësi, përveçse ju ka shtuar pa fund hallet dhe vështirësuar jetën. Ndaj Durrësi do të votojë masivisht për Ndryshimin, për të ndëshkuar sektin e “Rilindjes”, që e përdor Durrësin vetëm për të vjedhur e plaçkitur pasuritë e tij dhe taksat e qytetarëve. Vota për Igli Carën i jep fund nëpërkëmbjes të qytetarëve të Durrësit dhe rikthen Llogaridhënien për çdo taksë të paguar dhe shërbim të ofruar!