Panorama e protestës ndryshon nga një ditë në ditën tjetër. Dje u zhvillua protesta e tretë para Parlamentit e cila është tkurrur në numër krahasuar me atë para një jave, ndërsa ajo që u vu re ishte se veç Metës nuk kishte asnjë aleat tjetër politik.
Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe ish-kryeministri Sali Berisha paralel me zhvillimin e seancës plenare u zhvillua edhe protesta e Partisë Demokratike pak metra nga dera e Kuvendit. Me të njëjtin skenar si në dy protestat e shkuara, demokratët u grumbulluan sërish para oborrit të Parlamentit. Këtë herë, mbështetësit ishin më të paktë në numër, ndërsa Sali Berisha u bashkua me ta pas gati 90 minutash. I pranishëm në tubim ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili tha se ai vinte nga Partia Socialiste, por sipas tij është e patolerueshme që të përjashtohen nga parlamenti gra të nderuara. “Unë vij nga PS, duhet të them një histori si u arriti ky Parlament deri këtu që përjashton gra e deputetë të nderuar. Sepse ai është në gjendje shumë të rëndë, por edhe sepse e ka shuar PS-ja dhe Shqipëria vuan nga kartonokracia”, tha Meta. Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, i ka bërë thirrje socialistëve që t’i japin sipas tij dënimin e merituar Edi Ramës. Meta tha se ai i dorëzon një nga në të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe së fundmi po thotë se ‘do ia fusë edhe Arbën Ahmetajt’. “Ju deputetë të PS-së mblidhuni të mos keni një fat si PASOK-u. Sikur çdo demokrat dhe demokrate do të punonte me 1/5 e pasionit të tij nuk do të ngelej asnjë bashki në hartën e Shqipërisë të votonte për këta hajdutë”, tha Meta. Kemi të bëjmë me një bandë që është deligjitimuar plotësisht. Kur ngrihet populli ngrihet llogaridhënia, bien çmimet”, tha Meta. I përjashtuar nga punimet e Kuvendit, deputeti Oerd Bylykbashi tregoi se kryeminisitri Edi Rama ka frikë nga çështja McGonigal, ndaj pengon çdo nismë të marrë nga opozita për hetim parlamentar: “Ai ka frikë nga kjo çështje, ai do të pranojë çdo lloj gjëje që mos t’i dalë llumi i kësaj çështjeje, në SHBA nuk mbyllet kjo çështje, FBI-ja i shkon deri në fund”. Sali Berisha hedh akuza se Edi Rama ka përdorur charter-in për t’i bërë presion ministrave të tij që të firmosin dokumentet për djegësat. “Ju po protestoni kundër një njeriu io cili vazhdon të vjedhë ditën dhe natën me aferën e djegësave. A e dini ju se djegësat 420 milionë euro kanë vetëm një njeri kryesor dhe ky është Edi Rama. E dini ju se charter i tij është përdorur për t’u bërë presion ministrave të tij që të firmosin dokumente për djegësat? A e dini ju se me Erion Veliajn vjedhin në cdo ton mbetje që derdhen në Sharrë? 18 mmilionë euro nga djersa juaj. Meta foli për rrogat e pensionet. Në 2013, shqiptarët i kishin më të lartat në rajon. Po sot ku janë? 30-40 % më të ulëta se në Kosovë se qeveritë e tjera nuk vjedhin si ky, se mendojnë që taksat janë të qytetarëve dhe duhet të përdoren për shkollat e tyre e spitalet e tyre”, tha Berisha.
Aleatët braktisin Berishën
Në protestën e ditës së djeshme, Sali Berisha u mbështet vetëm nga Ilir Meta, ndërsa u braktis nga aleatët e tjerë të së djathtës. Ndonëse me Vangjel Dulen ka firmosur një koalicion për bashkëpunim në zgjedhjet e 14 majit, ky I fundit nuk shfaqet në protestat e thirrura para Kuvendit nga Sali Berisha. Ndryshe nga protesta para kryeministrisë, edhe aleati tjetër Fatmir Mediu nuk u duk në protestë. Bashkë me të, as kreu i LZHK Dashamir Shehi, apo Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste. Me ardhjen e Berishës në selinë blu, krah PD nuk shfaqet më as Shpëtim Idrizi që së fundmi ka nisur bashkimin e votave me maxhorancën. Protesta e radhës e opozitës do të jetë në 3 mars, në orën 12:00, para Kryeministrisë.