Nga METUSH SKEJA
Paragjykimi është një ndjenjë e gjykim negativ ndaj një grupi dhe i pjesëtarëve të tij. Ai na prin kundër një individi thjesht se e identifikojmë anëtar të një grupi të caktuar ku ne nuk bëjmë pjesë. Shekujt e shumtë të pushtimit e të shtypjes nga perandoritë e mëdha kanë lënë pas një barrë të rëndë paragjykuese ndaj shqiptarëve dhe mes shqiptarëve. Pas qytetërimit të shkëlqyer ilir ne, shqiptarët, u pushtuam nga romakët, bizantët, sllavët e jugut, osmanët. Pushtimi më i vështirë dhe me pasoja ka qenë sundimi osman. Prona në këtë perandori ka qenë e padishahut, i cili ua jepte pronën në përdorim njerëzve që i shërbenin besnikërisht. Osmanët kanë sjellë njerëz nga Azia si sundimtarë në tokat shqiptare. Aziatikët kanë pasur paragjykime të skajshme për shqiptarët, ndonëse nuk e kanë ditur fjalën paragjykim. Shoqëria shqiptare, gjatë perandorive pushtuese, ka qenë e polarizuar në një shtresë të pasur e shumica e varfër. Bejlerët, agallarët, spahitë, subashët, kajmekamët, midirët, të pakulturuar për vete, duke perceptuar veten me status të lartë, kërkonin njerëz që të qëndronin poshtë tyre. Ata kanë qenë të nënshtruar ndaj sunduesit, qeveritarit, ushtarakut të qendrës, të cilët kishin fuqi dhe ndëshkues ndaj atyre që ishin poshtë. Pushtuesit na quanin ne shqiptarëve “njerëz inferiorë” dhe “ata” vinin të na zhvillonin. Pushtuesit vetquheshin me status të lartë e ne shqiptarëve me status të ulët. Vetë institucionet e shteteve pushtuese të instaluara në Shqipëri përhapnin e mbanin gjallë paragjykimet. Sajonin e mbillnin mes individëve, fshatrave e krahinave, paragjykime të tmerrshme. Po sjell për lexuesin dy pasazhe, për të konkretizuar, se si shprehet i zgjedhuri i serbëve ndaj shqiptarëve. Kryeministri i Serbisë, një antishqiptar i tërbuar, më 1912, shprehet: “Ndryshimi në mes të shqiptarëve të veriut e të jugës nuk është vetëm në fe. Ata ndryshojnë edhe kombësisht, me gjuhë, me zakone, e me gojdhana. Ndërmjet sish ka ndryshime antropologjike.”(Vlladan Gjorgjeviç,” Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, Tiranë,2015,f.79). “Shqiptarët gjinden edhe në gradën e zhvillimit parahistorik. Ata mund të quhen vetëm një grumbullim sinergjik”.(Po aty, f. 172). Jo më pak paragjykues kanë qenë edhe grekët. Kryeministri grek, Venizellos, deklaronte në Konferencën e Versajës, 1919 se: “Grekët deklaruan që ishin më të qytetëruar se shqiptarët, por, ndërkohë, ata kishin kryer barbarizma tmerruese.” (Margaret Macmillan,Paris,1919, Tiranë, 2006,f.420)”. Shqiptarët janë raca e vetme që Evropa nuk mund të qytetëronte.” (po aty,f. 416). Popujt e gadishullit ballkanik i kanë dhënë botës lindjen e filozofisë, demokracisë, letërsisë etj. Por, ata vetë kanë qenë të paragjykuar nga popujt e tjerë të Europës. Kancelari gjerman Otto Bismark i quante popujt e Ballkanit si hajdutë bagëtish.
Vetë shqiptarët janë njerëz autoritarë. Në vitin 1942-43, ushtria pushtuese italiane armatosi e u dha rrogë 600 burrave nga Luma e 300 nga Dibra dhe i nisi për të bërë zap popullin e Vlorës, duke vrarë firmëtarin e Kongresit të Lushnjes e heroin e Luftës Vlorës-1920, Qazim Koculin. Duke mashtruar e shfrytëzuar njerëzit e varfër, pushtuesit italianë nxitnin grindjet e ndarjet veri-jug. Veprim djallëzor! Që pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, qarqe djallëzore antishqiptare sllavo-greke, kanë përhapur ndarjen jug-veri. Në regjimin komunist ekzistonte një absurditet si vetë regjimi. Popullsia ndahej në dy klasa, klasa e ulët, fshatarësia kooperativiste dhe klasa e lartë klasa e punëtore. Fshatarësia diskriminohej, paguhej më pak, ushqehej keq, kishte pak investime, përçmohej, quhej injorante. Klasa punëtore-klasë drejtuese. Kjo ishe politikë zyrtare, ndërkohë që popullsia e fshatit përbënte 65% të popullsisë së vendit. Etiketimet e mësipërme janë paragjykime, shprehi, ndjenja ,mendime dhe besime negative ndaj objektit të paragjykuar të ashtuquajtur fshatarësi kooperativiste. Mangësitë e fshatarësisë në shkollim, veshje, mënyrën e jetesës tyre i lidhin me cilësime të brendshme të personalitetit. Sukseset me faktor të jashtëm, duke u dhënë rëndësi situatës. Si t’i bjerë monedha, si leku, si shqiponja, janë të humbur. Kur dalin mirë gjejmë shprehjen “Vepron ashtu për t`u dukur”, ose: ”çdonjëri në atë vend ashtu do të vepronte”.Kur gabojnë, thonë “ashtu janë, kjo pritej”.
Rezultatet e ulëta në mësime të fëmijëve të grupeve të paragjykuara, paragjykuesit ua atribuojnë mungesës së aftësive dhe motivacionit të ulët dhe jo kushteve social ekonomik ku rriten. “Dhënia e gjykimeve, duke përdorur steriotipe, bën që edhe njerëzit më të zgjuar të marrin vendime prej budallai.”(Anita Ëoolfolk,”Psikologji edukimi”,Tiranë, 2011 f.285). Durrësi është qyteti më pak paragjykues. Ai është porti kryesor i Shqipërisë. Profesor Hasan Ceka thotë se Durrësi si qytet i ka fillimet e tij në shekullin e gjashtë para erës sonë. Durrësi ka kulturë qytetare para qytetërimit grek e romak. Duke qenë portë komunikimi me botën përgjatë historisë, edhe njerëzit janë më të hapur, më pak paragjykues. Kryeqytetet, duke qenë kozmopolite, janë më pak paragjykuese. Shqiptarët janë njerëz me vetëbesim të lartë. Kanë personalitet autoritar. Kanë emocione të forta. Shpesh herë fanatikë. Tradicionalë. U pëlqen ndjekja e rregullave. Kanë përdorur kanunin. Kanë mendime e ndjenja negative ndaj atyre që nuk i zbatojnë rregullat. I respektojnë e u nënshtrohen njerëzve autoritarë. Janë dyshues e mosbesues ndaj grupeve të tjera e pjesëtarëve të tyre. Rilindja jonë Kombëtare, krahas të tjerave, ka edhe një meritë të ndritur, nuk gjejmë asnjë dokument ku të ngjall urrejtje ndaj krahinave dhe fqinjve. Sami Frashëri, mysliman nga Jugu, e quante vëlla Pasho Vasën, katolik nga veriu. Në vitet e demokracisë është shtuar popullsia qytetare. Njerëzit vishen mirë, kanë të njëjtat marka makinash, ushqehen njësoj, marrin lëndët ushqyese e vitaminat të domosdoshme për organizmin. Sidomos Tirana. Kjo ka pluset e veta, pakëson paragjykimet. A janë shqiptarët konformistë? Shpeshherë po. Veprojnë si bën shumica. Njerëzit i fshehin paragjykimet për shumë arsye, për t’u pranuar, për mos u dukur anadollakë. Por i nxjerrin në sipërfaqe kur i paragjykuari gabon. Në këtë rast merr dënimin maksimal nga paragjykuesit. Këtë dënim nuk ia japin pjesëtarëve të grupit të tyre për të njëjtin gabim. Paragjykimet kanë rrënjë gnosologjike. Thuhet se njerëzit janë “kopracë me njohjen”. Ato i organizojnë mendimet shoqërore në kategori sa më të mëdha. Kjo çon në steriotipe e tejthjeshtëzime. Punëmarrësit kanë besimet e tyre. I pyesin punëtorët se nga janë. Nëse punëtori është nga grupi shoqëror i paragjykuar e ka shumë të vështirë të pranohet nga punëdhënësi. Nuk testohet për punën që do të bëjë, ose testimi bëhet sipërfaqësor. Në 30 vite demokrac, i nuk ka fituar konkursin asnjë kandidat me bindje opozitare në administratë shtetërore, por vetëm nga partia fituese. A thua se asnjë opozitar nuk ishte i aftë!? Paragjykimet partiake ua errësojnë arsyen jurive të punëmarrësve. Sa herë ka ndërruar shumica politike, kanë ndërruar edhe të gjithë drejtuesit e shkollave, spitaleve, policisë, burgjeve, ujësjellësit, energjetikës, pushtetit lokal. Edhe kur janë bërë konkurse, ato kanë qenë ritual i rremë, farsë e mykur. Më keq është kur paragjykimi që shoqërohet me sjellje negative. Kjo çon në diskriminim. Një sjellje diskriminuese është racizmi e seksizmi. Në fillim, lëndohen, pastaj urrehen. Sot ka shumë djem e vajza nga vendi ynë që po studiojnë në Perëndim. Është shtuar numri i studenteve nëpër universitete shtetërore e private. Është rritur popullsia qytetare. Nga ana tjetër,pesha e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor po rritet. Të gjitha këto reduktojnë paragjykimet sociale.
A po vdes paragjykimi? Paragjykimet janë vargoj. Më 25 maj 2020, në Minesota u vra G. Floyd, një burrë me ngjyrë afro-amerikan, 46 vjeç gjatë një arrestimi për gjoja se kishte përdorur një faturë të falsifikuar. Por, nëse G.Floid do të kishte qenë i bardhë, policia do të ishte sjellë ndryshe. Më pas e gjithë SHBA u përfshi nga demonstratat e dhunshme. Ky rast zgjoi paragjykimet, që rrinin të fjetura e të mbuluara edhe në demokracinë më të mirë të globit. Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, në emër të popullit amerikan, i kërkoi falje vajzës së George Lloyd. “Ai që paragjykon është njeri i pellgurinave ujëfjetura prej nga shpifen edhe nuk ka mbi krye qiellin e kaltër, por një drizë”-thotë Viktor Hygo.