Seanca gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka filluar këtë të hënë dhe të katërt ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.
Pasi është bërë konstatimi i palëve prezente në gjyq, bashkë me avokatët mbrojtës, ish-krerëve të UÇK-së paraprakisht u janë lexuar paragrafët e aktakuzës së ndryshuar dhe ata janë pyetur nëse e kuptojnë atë.
I pari u pyet ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili u shpreh “E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”.
Më pas, u pyet Kadri Veseli dhe shprehu pakënaqësinë me vonesën më shumë se 1 vjeçare të gjykimit. “E kuptoj, shpreh pakënaqësinë time për një vonesë 1 vjeçare e gjysmë”, tha ish-kryetari i Kuvendit.