Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka deklaruar se kandidatët e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ janë zgjedhur të gjithë me vizion, për të qeverisur bashkitë.
Gjatë fjalës së tij nga Lezha, bashkë me kandidatin për bashkinë, Pashk Gjoni, Meta u shpreh se kandidatët e Rilindjes nuk kanë as vizion dhe nuk janë zgjedhur për të qeverisur qytetarët, por si shërbëtorë të PS-së.
“Modeli i krijuar në Tiranë i qeverisjes qendrore është edhe këtu, modeli i arrogancës, diskriminimeve politike ndaj qytetarëve dhe mungesës së transparencës.
Me fitoren e koalicionit edhe në këshillin e bashkisë së Lezhës do kemi mundësinë të instalojmë një model afatgjatë të përkushtimit dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve. Kandidatët tanë superiorë sepse kanë dalë nga një proces me në qendër vullnetin e anëtarësisë. Rilindja nuk zgjedh njerëz për vizionin, por shërbëtorë që më pas t’i përdorin për të firmosur, si në rastin e inceneratorëve.
Modeli ynë është i uljes së taksave, jo i rritjes së tyre në mënyrë arbitrare. Jam i bindur se pas 14 majit do i bëjmë të qartë çdo qytetari të Lezhës resurset e këtij qyteti dhe do marrim mendimin e tyre për veprat në këtë qytet. Simpatizantët e PL jam i bindur se do të votojnë në mënyrë bindësi kandidatin e “Bashkë Fitojmë”.
Koalicioni ynë është një koalicion afatgjatë, jo vetëm për zgjedhjet e 14 majit, dy shtyllat janë çrrënjosja e monizmit dhe referendumi”, tha Meta.