Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumani, si të lidhur me Ramën, duke e cilësuar si “komisari politik i PS-së”. Dy çështjet kryesore që është ndalur janë inceneratori i Tiranës dhe dosja e skandalit Rama-McGonigal, për të cilën Berisha tha se nuk po hetohet.
Edhe pse jemi në prag të zgjedhjeve vendore, ish- kryeministri Sali Berisha është ndalur para gazetareve tek lidhjet e qeverisë me SPAK-un. Në deklaratën e përjavshme me mediat, Berisha sulmoi SPAK-un, duke thënë se ky institucion është një seksion i Partisë Socialiste, gjë, të cilën sipas tij, e konfirmoi edhe vetë kreu i saj, Altin Dumani. “Jam para jush për t’ju deklaruar shqiptarëve se SKAP-i është një institucion kryekëput seksion i PS. Një mburojë e padepërtueshme e korrupsionit, vjedhjeve monstruoze të qeveritarëve shqiptarë. Të organizatës kriminale që organizohet nga Edi Rama. Nuk kam pasur asnjë, ua kam deklaruar shqiptarëve këtë në mënyrat më të përsëritura, natyrisht bazuar në fakte, në qëndrime të pakundërshtueshme të këtij institucioni”, është shprehur Sali Berisha. Ai tha se janë dy fakte shumë të rëndësishme që tregojn lidhjen mes Dumanit dhe Ramës. “Këtë e konfirmoj në mënyrë përfundimtare. Deklarata e kreut të SKAP-it, Altin Dumani për 2 nga çështjet më tronditëse, më themelore të korrupsionit në Shqipëri, për problemin e Inceneratorëve dhe problemin e Uotërgejtin e shekullit të 21-të, problemin Rama-McGonigal. Lidhur me problemin e Inceneratorëve, tragji-komedia e kësaj afere është e pakufishme.”, u shpreh ndër të tjera Sali Berisha. Ish-kryeministri vijoi më tej duke iu drejtuar Dumanit e duke e akuzuar atë dhe institucionin që ai drejton në lidhje me aferën e Inceneratorit të Tiranës, duke i përmendur pretendimin se nuk dihen se kush janë pronarët e tij. “Inceneratori i Tiranës, është një kontratë e cila u kushton shqiptarëve 420 milionë euro mbi bazën e firmave që janë vendosur në këtë kontratë. Inceneratori i Tiranës u shpall nga Altin Dumani, komisari politik i SKAP-it, si një sipërmarrje që nuk i dihen pronarët. Ky incenerator gllabëron çdo ditë si lubi qindra e mijëra euro të taksapaguesve shqiptarë nga një grup mafioz, i cili ka në krye Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Erion Veliajn, dhe disa emra të tjerë”, është shprehur Berisha.
Porositë e Berishës për Dumanin
Ish- kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar edhe dy porosi për kreun e ri të SPAK Altin Dumani. “Dy fjalë do t’i them z.komisar Dumanit se pretendimi juaj, se nuk dihen pronarët iu akuzon shumë rëndë ju dhe institucionin tuaj. Së pari, le të marrim për të vërtetë atë që ju thoni, se nuk bllokoni dot fondet se nuk dihen pronarët. A mund t’ju thoni shqiptarëve: çfarë iu pengon ju zotëri, të dërgoni në gjykatë aferën, sepse ju paraqitët si pretekst pretendimin se janë arbitrazhet. Çdo arbitrazh është i detyruar të marrë parasysh vendimin e gjykatës së vendit. Në afera të tjera është procedurë në këtë mënyrë, por ajo nuk ishte SKAP, ishte Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ju nuk e dërgoni dot në gjykatë, sepse jeni në kontrollin dhe në mbështetjen e plotë të asaj bande që vjedh shqiptarët. Së dyti, kontrata e Inceneratorit të Tiranës është e firmosur në shkeljen më flagrante të kodit civil të Shqipërisë. Nuk ka gjykatë që nuk rrëzon atë kontratë, për sa kohë në Shqipëri dhe kudo në botë, kodi civili është kushtetuta e kontratave. Ju nuk e bëni këtë, sepse ju jeni mburojë e qeveritarëve që kryejnë këtë vepër mafioze, këtë vjedhje të tmerrshme”, deklaroi më tej Berisha.
Berisha i hap sfidë Ramës në podcast
Sali Berisha dhe Edi Rama duket se betejën e kanë nisur edhe përmes teknologjisë. Pas njoftimit që Rama bëri se së shpejti do të nisë podcast-et e tij, ka reaguar edhe Sali Berisha, i cili thotë se diçka të tillë e ka bërë më parë, madje thekson se podcast-in e parë e ka regjistruar dhjetorin e kaluar. Ish-kryeministri ka sfiduar kreun e qeverisë Rama, që të përballen së bashku, sic thotë Berisha “Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin”. Kryeministri Rama njoftoi dje për nisjen e podcast-it të tij “Flasim”, ku ftoi edhe kundershtaret e tij, duke theksuar “nëse e pranojnë ftesën”. Këtë ftesë e ka pranuar Berisha, ndërsa ngelet për t’u parë nëse e njëjta gjë do të ndodhë edhe nga ana e kryeministrit Rama. “Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin”, shkruan Berisha. “Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re. Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj. Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar”, është shprehur Berisha. sipas tij, ai është gati që të përballet me Ramën në çdo mundësi elektronike të re apo të vjetër. “Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin. Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time”, ka thënë Berisha.