Nga Luan Rama
Para shumë kohësh revista e njohur franceze Paris-Match bënte të njohur lajmin sensacional se ishte gjetur portreti i humbur i tablosë së famshme të Gustave Courbet, ”Origjina e Botës”, të quajtur kështu nga historianët e artit, por jo nga Courbet. Që nga kjo ditë ekspertë të ndryshëm të artit janë treguar disi të kujdesshëm të pranojnë menjëherë se bëhet fjalë për “kokën e prerë” të kësaj tabloje që mendohet se më parë ka qënë një tablo e madhe, duke i lënë vëndin më vonë tablosë së prerë të quajtur “Origjina e Botës”. Prerja e tablove nuk është e panjohur në historinë e artit, madje dhe pikturat që janë bërë mbi piktura të tjerë në modelin e “palimpsestit”, si në disa tablo të Delacroix e shumë të tjerëve, të pakënaqur nga puna e mëparshme. Por kjo ngjarje është me interes pasi bëhet fjalë për një nga tablotë më emblematike të erotizmit, e cila pas një peripecie me shumë se një shekullore, u rigjet dhe hyri në koleksionin e Musée d’Orsay, një nga më modernët e Evropës dhe të botës, tablo që tërheq për vite me rradhë vizitorët më të shumtë të këtij muzeu. Një lloj “Xhakonde” erotike me portret të humbur.
Gazetarja franceze që botonte shkrimin rreth këtij sensacioni artistic, Anne-Cécile Beaudin, tregon historinë e një amatori arti që nuk do ta bëjë të njohur emrin e tij, i cili gjatë një dite shiu kishte hyrë në sallonin e një antikuari parizian dhe atje i kishin mbetur sytë tek një portret mjaft interesant, por që antikuari as që e njihte autorin e saj. Për 1400 euro, ai e morri i gëzuar tablonë e vogël, në dimensioned 41×33 cm dhe me të në dorë u largua me bindje se atë portret duhej ta kishte pikturuar një dorë mjeshtri. Cili vallë? Vështirë t’i përgjigjej kësaj pyetje. Dhe kështu nga dita ne ditë, kureshtja e shtyu të shkojë në kërkim të autorit të saj. Fatmirësisht një vulë pas pëlhurës së vjetër shënonte emrin disi të gjymtuar të tregëtarit të kësaj tabloje. Dhe duke shfletuar në bibliotekën e Luvrit lidhur me tregëtarët e fundit të shekullit XIX ai gjeti se bëhej fjalë për firmën “Deforge-Carpentier”.
Kështu me emrin e këtij tregëtari ai mundi të përcaktonte se kjo tablo ishte pikturuar në kohën midis viteve 1858-1869, pasi më pas, ky tregëtar kishte vdekur. Dhe ai mendonte se mund të ishte një tablo e Manet, apo e Fantin. Dikush i kishte thënë se mund të ishte një Courbet nga mënyra e pikturimit. Dhe një çast ai e besoi se mund të ishte kështu sepse Courbet, në 1866 kishte pikturuar tablonë Gruaja me papagall që sot gjëndet në «Metropolitan Museum» të Nju Jorkut, një nudo të mrekullueshme, shtrirë në shtrat duke mbajtur majë gishtërinjve të saj nje papagall. Ishte një modele që kishte qënë e dashura e Courbet, pasi më parë «Jo irlandezja», Joana Hifferman, kishte qënë modelja dhe e dashura e mikut të tij, piktorit të njohur James Whistler që ato kohë krijonte në Paris dhe adhuronte mikun e tij Courbet. Atëherë, ky amator arti, pronari i ri i «kokës së prerë”, iu drejtua ekspertit të njohur të Courbet-së, CNE (Compagnie Nationale des Experts) të specializuar për veprat e artit e më pas Jean-Jacques Fernier, të «Intitutit Gustave Courbet» i cili iu përkushtua shumë shpejt kësaj aventure, meqë ishte eksperti kryesor i veprës së Courbet dhe autor i katalogut të plotë të veprave të Courbet. Nëse në fillim ky ekspert ishte dyshues, me analizat spektografike, kimike, rezet X, etj, shpejt ai do të bintej se së pari, kjo tablo ishte pikturuar nga Courbet dhe së dyti, ajo duhej të ishte pjesë e një tabloje më të madhe, nga e cila ishte shkëputur «Origjina e Botës» si dhe portreti por dhe pjesë të tjera të tablosë që s’dihej se në ç’muzeume mund të gjëndeshin. Analizat treguan se gjithçka korrespondonte midis atij portreti dhe Origjinës së Boptës»: pigmentet e ngjyrës, penelata kafe, dinamika e kokës dhe e trupit të «Origjinës së Botës», coha e linit me përbërje identike, pra 14×15 fije për cm². Po kështu dhe fijet e penelit kishin të njëjtën hapësirë si në penelin që kishte punuar mbi tablonë «Origjina e Botës». Madje eksperti Fernier, skicoi dhe se si mund të kishte qënë tabloja fillestare, të cilën padyshim Courbet nuk mund ta shiste, as ta prezantonte në sallonet e artit. Madje askush nuk mund ta mbante qoftë dhe në muret e shtëpisë një tablo të tillë, për më tepër aq të madhe. Vallë ishte vetë Courbet që e kishte prerë tablonë duke pranuar t’i japë Halil Beut, ambasadorit otoman vetëm pjesën erotike?
* * *
Vite më parë, kur tabloja e gjetur e «Origjinës së Botës» hynte në Musée d’Orsay, në vitin 1995, për mua kjo ishte një sensacion i madh, ashtu siç ishte akoma më shumë për historianët e artit por dhe për publikun artëdashës. Pra unë nxitova ta shikoja në muret e muzeut kur Jack Lang, ministri i Kulturës, inaguronte hyrjen e saj. Ishte kjo ngjarje që më shtyu më vonë të shkruaja romanin Camera obscura-Origjina e Botës të botuar nga «Globus R». Një titull me dy pjesë, pasi në këtë roman plekseshin dy linja: ajo e një fotografeje shqiptare të vendosur pas hapjes së Shqipërisë në Paris, e vlerësuar me «nudot e saj të kuqe», të ekspozuara në disa galeri, reflekse këto të «kohes totalitare» dhe historisë së kësaj tabloje mitike me atë që e kërkoi apo e komandoi këtë tablo tek Courbet, Halil Beu, ambasadori i Turqisë otomane në Paris, amator arti dhe një pinjoll i gardës së afërt të Mehmet Ali Pashës të Egjiptit, të cilët ishin të gjithë shqiptarë besnikë. Pra dy linja ku pikëtakonin çenzurën, seksin, nudon, lirinë personale dhe lirinë e artit. Nga ana tjetër tabloja na mundëson dhe të njihemi me jetën tronditëse të piktorit të kësaj vepre, artistit të epokës revolucionare, i cili me ardhjen në pushtet të monarkistëve përfundoi në burg, nga ku e nxorrën thjesht për të vdekur. Por le të tregojmë se ç’kishte ndodhur me Courbet dhe si e pikëtakoi krijimtaria, arti, me një ambasador të tillë. Ja çfarë kisha shkruar ato kohë né shënimet e mia…
* * *
Në kornizën e asaj tabloje, një perde veluri hapej ngadalë duke zbuluar seksin e një femre. Personazhet që ndodheshin në atë sallon duke shqyer sytë, papritur lëshonin pasthirma. Kurrë në jetën e tyre nuk kishin parë një tablo të tillë. Ishte një kryevepër… Kjo ndodhte në Paris, në vitin 1867 në sallonin e ambasadorit otoman, i cili ishte një pinjoll i familjes shqiptare të Mehmet Aliut të Egjiptit. “Origjina e botës”… Kjo tablo e famëshme e pikturës erotike botërore dhe një nga emblemat më të njohura të saj, gjëndet sot në Musée d’Orsay, në Paris. Me shumë piktorë dhe miq shqiptarë shpesh jam gjëndur para saj. Madje në inkoshiencë këmbët së pari më kanë çuar drejt sallës ku gjëndej ajo. Një tablo që padyshim ka hyrë sot në mitologjinë moderne: seksi, origjina e krijimit, ku midis shumë pyetjeve që spektatori bën para saj, njëra prej tyre qëndron pezull: “D’où venons-nous?” (“Nga vijmë ?”). Me historinë e kësaj tabloje lidhen emra të shumtë të botës artistike pariziane të asaj kohe, që nga autori i saj Gustave Courbet (Kurbe), duke vazhduar me Saint-Beuve, Theophil Gautier, Flaubert, vëllezërit Goncourt e mbi të gjitha vallë ideatori? pronari i saj i parë Halil Beu (Khalil Bey, apo siç quhej ndryshe dhe Khalil Sherif Pasha). Shpesh here piktori Courbet e kishte pyetur veten se përse ai ambasador simpatik preferonte aq shumë nudot dhe për më tepër i kishte kërkuar ti pikturonte diçka që askush nuk kishte guxuar ta pikturonte deri në atë kohë: seksin e femrës. Një ndërmarrje e çuditshme, e çmëndur, madje e rrezikshme. Edhe pse Parisi ishte mbushur me “maison close” apo ndryshe “shtëpitë publike”, çenzura nuk mund ta pranonte ekspozimin në publik të një tabloje të tillë. Ishte viti 1866 dhe figura e asaj gruaje të shtrirë u krijua e gjymtuar (?), në një kuadër jo fort të madh, pothuaj me përmasa natyrore : 46cmX55 cm. dhe ku imazhi pritej sipër gjunjëve dhe fill mbi gjoks. Pra ajo nuk ishte një figurë e plotë, (ose jo?) nuk kishte as fytyrë, këmbë apo duar. Megjithatë ajo figurë, aq natyrore, me seksin në plan të parë, të jepte një ndjesi mahnitse, admirimi, mirësie dhe një ndjesie thellësisht humane dhe aspak epshndjellëse. Dukej sikur një dorë perëndie ta kishte xhveshur deri tek gjinjtë si për të zbuluar një nga magjitë e botës, apo më mirë zanafillën e jetës dhe konvulsionin e saj. Kurrë ndonjë piktor i periudhave dhe epokave të mëparshme nuk kishte guxuar ta paraqiste këtë imazh “flagrant”. As afresket e Antikitetit në Pompei (në lupanarët e ngushtë rrethuar me afreske dhe skena seksi), as duart e një Boticceli, Ticiani, Memling, Raffaelo. Kodet e moralit e për më tepër Inkuzicionet e të gjitha llojeve fetare apo publike, i kishin ndaluar klasikët, neoklasikët, rilindasit dhe pasardhësit e tyre të hidhnin në teloja, linja e ngjyra, atë imazh, i cili padyshim nuk ishte më pak i bukur dhe njerëzor se sytë, buzët, gjinjtë e një gruaje… Ndoshta Courbet ishte i sigurtë për fatin e hidhur të tablosë së tij, duke menduar se ajo do të zhdukej shumë shpejt. Ishte si një vdekje e paralajmëruar. Cili vallë do të ishte inkuizitori i saj? Në ç’turmë drush do të digjej?
Halil Bey (1831-1879) ishte një pinjoll me origjinë shqiptare. Siç shkruan një studjues francez, ai ishte biri i një luftëtari shqiptar që kishte ndjekur pas Mehmet Aliun kur ai kishte zbarkuar në Egjipt me treqind kalorësit e tij. Studjuesi tjetër Michel Haddad thotë se ai ishte i familjes së Mehmet Aliut dhe se kishte lindur në Assiut të Egjiptit në 1831. Që i vogël, në moshën 6 vjeçare ai ishte dërguar në Paris, ku zakonisht dërgonin për tu shkolluar fëmijët e tyre familjet e dinastisë së Mehmet Aliut (si dhe një nga djemtë apo nipat e vezirit). Pas studimeve në një kolegj ushtarak, «Collège Militaire Egyptien», dhe më pas në rini të tij ai erdhi përsëri në Paris si student i universitetit francez e më pas si Komisar i pavjonit otoman në “Ekspozitën Universale” të Parisit. Më vonë ai do të hyjë në diplomaci, duke u angazhuar nga Porta e Lartë e Stambollit. Ambicioz, njeri i librave dhe i kulturës, shpejt do të emërohej ministër fuqiplotë i perandorisë otomane në Athinë e më pas si ambasador në oborrin e carit të Rusisë, në Saint Petersburg. Pikërisht nga Rusia ai do të vinte ambadador në Paris, një post aq i preferuar nga ai. Disa studjues thonë se ai zgjodhi Parisin meqë ishte frankofil si dhe për faktin se donte të shërohej nga sifilisi që kishte marrë nga aventurat me një kaukaziane. Me ardhjen në Paris, një tjetër jetë do të fillonte për të. Ai u vendos në hotel «Brancas», në 24, “Boulevard des Italiens”, ku instaloi dhe rezidencën e tij me një bibliotekë të madhe dhe një sallë bilardoje, fare pranë ambasadës otomane. Por ajo që do ta bënte të famshëm atë do të ishte koleksioni i tij i pikturës. Halil Beu e adhuronte pikturën. Muret e salloneve të rezidencës së tij filluan të mbuloheshin me tablo të mrekullueshme si nga Ingres, Delacroix, Corot… Mbi të gjitha binin në sy nudot ku shkëlqente në veçanti Banjo turke e Ingres apo Vajza me papagall, (La femme au perroquet), që do t’ja blente më vonë Courbet-së. E dashura e tij e re, Jeanne Tourbey, ishte aktore por dhe një femër mjaft joshëse e libertine për kohën, për të cilën do të përgjërohej dhe Flaubert, siç dëshmojnë dhe letrat e tij të dashurisë. Por Halil Beu e kishte kult të bukurën, femrën, nudon. Cora Pearl, një nga të dashurat e mëvonshme të tij, shkruante se “Halil Beu ishte nga më të jashtzakonshmit dhe madhështor në gjithë qënien e tij. Ai të donte si një artist dhe të trajtonte si një xhentëllmen i madh. Në gjithçka ai kishte kultin e së bukurës». Në rrethet artistike pariziane e dinin se në darkat që shtronte Halil Beu, do të gjenin gjithnjë vajza të bukurat, madje nga më të bukurat e Parisit. «Bukuria mbi të gjitha» – ishte deviza e këtij njeriu që s’kishte asgjë prej beu, veç origjinës së tij. Ai ishte një referencë e vërtetë perëndimore. «Halil Beu ishte me shtat mesatar dhe shumë i shëndoshë, me sy miopë dhe të skuqur, me buzë të trasha, por ai ishte mjaft i dashur dhe inteligjent», shkruante në kujtimet e saj një tjetër e dashur e tij, zonja Marie de Colombier. Nga ana e tij, drejtori i gazetës Le Figaro, Henri de Villemessant, shkruante: «Sapo erdhi në Paris, ai shpejt u bë i njohur për famën e një njeriu me sqimë dhe me shpirt artisti. Çuditeshim të dëgjonim nga goja e tij vlerësime që ishin karakteristike për rrethet tona intelektuale. Ishte një lojtar i mrekullueshëm bixhozi dhe njeri mjaft simpatik».
Një ditë, Halil Bey pa te disa miq të tij një tablo të Courbet, një nudo, dhe menjëherë u interesua të blinte diçka nga ky mjeshtër i madh. Ishte shkrimtari dhe akademiku francez, miku i tij Saint-Beuve që do ta njihte me piktoritn Courbet. Ai shkoi menjëherë në studjon e piktorit për të blerë një tabllo të ngjashme. Në studion pariziane të piktorit, në Rue Hautfeuille, Halil Beu u mahnit nga një tablo që ishte para tij. Ishte Psyché et Venus apo siç do të quhej nga kritikët Vajzat që flenë (Les dromeuses). Ishin dy vajza të shtrira në shtrat, të lëshuara në një gjumë si pas një akti sekual. Në të vërtetë ishte një tablo lazbikesh por me një bukuri mahnitëse. Ai kërkoi ta blejë menjëherë por fatkeqësisht ajo tablo ishte blerë po atë mëngjes nga dikush tjetër. Megjithë këmbënguljen e Halil Bey-it dhe një pagesë më e madhe, Courbet nuk mund ta kthente fjalën e dhënë. Atëherë Courbet bleu një tablo tjetër, por sidoqoftë ai do të rikthehej përsëri në studion e mikut të tij të ri për të bërë një porosi tjetër, kësaj rradhe diçka që piktorin e kishte befasuar. Ndoshta ambasadori otoman i kërkoi një tablo me seksin e femrës, apo ndoshta papritmas Courbet ia nxorri atë nga rradha e tablove të sapo mbaruara. Ndoshta, sidoqoftë, ambasadori i kërkonte diçka të veçantë, tepër intime, seksin e femrës. Atij nuk i interesonte portreti apo dekori përreth. Duhej vetëm seksi. «Përse vallë, mos donte të fiksonte objektin që ishte bërë burim i sëmundjes së tij apo pse ndryshe nga të tjerët sensibiliteti i tij ishte më i madh pikërisht ndaj saj. Për më tepër, Halil Beu angazhohej të jepte 20 mijë franga, një shumë e jashtëzakonshme për atë kohë.
Vallë kush pozoi për të. Jeanne de Tourbey, mikesha e Halil Beu? – siç thonë disa kritikë apo dashnorja e Courbet? Në atë kohë, në Paris kishte ardhur piktori amerikan Whistler, i cili e mbante Courbet si mjeshtrin dhe të preferuarin e tij. Kishte ardhur nga Londra duke sjellë me vete dhe të dashurën dhe modelin e vet Joanna Hifferman, një irlandeze. Madje Whistler dhe Courbet shkuan të pikturonin në Normandi dhe bashkë me ta shkoi dhe «Jo» siç e thërrisnin shkurt ata. Pikërisht në Normandi, Courbet bëri një portret të saj duke e titulluar «Bukuroshja irlandeze». Atë vit kilianët u ngritën në revoltë kundër spanjollëve dhe Whistler, si internacionalist që ishte, u nis t’i ndihmonte, ndërkohë që irlandezja e tij do të bëhej modelja e Courbet dhe dashnorja e tij, siç ndodhte në të gjitha rastet midis modeleve dhe piktorëve. Do të ishte ajo që do t’i pozonte dhe për tablonë e habitshme Origjina e botës. Por sigurisht tabloja nuk do të kishte titull të veçantë. Madje Courbet nuk do ta nënshkruante, pasi ajo nuk do të ekspozohej në asnjë sallon arti. Madje personazhi në të s’kishte as këmbë, as kokë. Kjo “prerje” e kuadrit (vallë a ishte kështu?) dukej se e bënte atë akoma më universale, duke mos e lidhur me një portret konkret por si të ishte pjesë e një figure anonime, e një prej mijra bijave të Evës… Imagjinoni gëzimin e Halil Beu-t kur ai shkoi të shikonte tablonë e mbaruar. Një karrocë e mori tablonë dhe e vendosi në rezidencën e tij. Padyshim, ajo s’mund të vendosej në muret e sallonit. Vëndi i saj do të ishte një vënd intim dhe Halil Bey zgjodhi banjën e tij, një banjo e madhe me një vaskë prej mermeri në ngjyrë rozë.
Apartamentet e Halil Bey-ut ishin sallone gazmore dhe gjithnjë plot njerëz, si sallonet e famëshme të Aleksandër Dumas, i cili s’kishte nevojë të bënte ftesa se njerëzit niseshin dhe pa ftuar. Por sigurisht, tregimi i tablosë rezervohej për njerëz të veçantë dhe të afërt. Në mbrëmje, pas buke, pasi të ftuarit kishin marrë nga një alkol digjestiv, zhvillohej ceremoniali i famshëm i zbulimit të magjisë. Nga banja sillej kavaleti i madh me tablonë e mbuluar nga një perde veluri. Ishte diçka misterioze të shihje atë ceremonial. Perdja hapej ngadalë dhe ja ku zbulohej para të gjithëve ai seks femre i pikturuar me një realizëm të jashtëzakonshëm nga Courbet. Maxime Du Camp, fotograf dhe shkrimtar, botuesi i Madame Bavary të Flaubert, pasi e kishte parë një mbrëmje tablonë, kishte shkruar në kujtimet e tij: ”Tabloja ishte fshehur nën një pëlhurë jeshile dhe kur e hapje atë shtageshe i habitur pas një pikture me përmasa natyrore ku dukej trupi i një gruaje pikturuar në një mënyrë të mrekullueshme, prekëse, konvulsive, “con amore” siç thonë italianët, duke thënë kështu fjalën e fundit të realizmit”. Një ceremoniali të tillë i referohet dhe intelektuali Leger, i cili kujton një bisedë të gjeneralit Gambetta, që në një darkë tek Halil Beu, bashkë me Courbet, kishte parë tablonë e famshme. “Një mbrëmje, në shtëpinë e Halil Beu të gjithë panë tablonë e tij duke thënë fjalët më entusiazte e të ngrohta. Në fund pas gjithë atyre habive, Courbet u kthye nga ata duke u thënë: «Dijeni se Ticiani, Veronese, Raffaelo dhe unë, kurrë nuk kemi pikturuar tablo më të bukur se sa kjo…» Rreth kësaj tabloje pëshpëritej kudo në rrethet artistike pariziane. Edhe Theophil Gautier që ishte një njohës i mirë i Egjiptit dhe i Turqisë (shpesh e quanin “Turku”) e kishte parë atë tablo te ambasadori otoman dhe i kishte kushtuar një poezi. Por rituali i zbulimit të asaj tabloje, pas disa vitesh nuk do të zhvillohej më. Halil Beu ishte thirrur në Stamboll, në përfundimit të misionit të tij diplomatik. Por që të kthehej, së pari atij i duhej të shiste gjithë koleksionin e tij. Si mund të kthehej me Origjinën e botës apo Vajzat që flenë? Ku t’i çonte gjithë nudot që kishte mbledhur në sallonet e tij? Për më tepër nga njeriu i pasur që kishte zbarkuar në Paris me 15 milionë franga, ai tashmë kishte shumë borxhe dhe duhej t’i shlyente sa më parë. Një vilë që kishte në ishullin Mitilenë, ishullin e famshëm të poeteshës Safo, ai u detyrua ta shesë ashtu si dhe një vilë në Paris. Shitja e koleksionit të Courbet u bë me një njoftim të posaçëm, ku katalogu rreth pikturave u hartua me një parathënie të Theophil Gautier. Mes tablove ishte dhe një tjetër tablo e famshme e Courbet : Venus duke ndjekur Psyché-n nga xhelozia. Por në shitjen e këtij koleksioni nuk figuronin Origjina e botës dhe Vajzat që flenë. Tablonë e fundit ai ia shiti një baritoni të operas franceze, Jean-Baptiste Faure, por gruaja e tij u bë aq xheloze nga prania e tablosë në sallonet e saj me dy femrat nudo në shtrat sa ai u detyrua shumë shpejt ta rishesë. Enigmë do të mbetej sigurisht Origjina e botës. Çfarë u bë me të? Sigurisht, për ambasadorin Halil Beu, ndarja nga kjo tablo ishte e vështirë, gati e pamundur. Megjithatë Halil Beu u kthye pa të në Stamboll. Vitin e fundit në Paris ai ishte martuar me një nga të dashurat e tij, Julie de Neverly, me të cilën kishte një vajzë, Suzanën, e cila më vonë do të quhej Sherife Pasha. Nga Stambolli, shumë shpejt ai u dërgua ambasador në Vjenë, ku më pas u thirr si Sekretar Shteti e pastaj ministër i Drejtësisë së Portës së Lartë. Më vonë, Halil Beu, njeriu me sqimë dhe apasionuesi i çmëndur i pikturës, do të bëhej ministri i Jashtëm i perandorisë otomane. Për tablonë Origjina e botës do të flitet më vonë, dhe pikërisht kur Halil Beu do të rikthehej përsëri si ambasador në Paris. Por ai tashmë ishte një njeri i sëmurë dhe i thyer. Vëllezërit Goncourt e pikasin tablonë tek galeristi parizian La Narde, apo më tepër një tregëtar antikuaresh ekzotike nga Orienti i Largët. Ky do të ishte dhe njoftimi i fundit për të. Po më vonë? Në fillim të shekullit, baroni hungarez Ferenc Hatvany, i cili jetonte mbi lumin Buda, në Budapest, vjen në Paris. Ai ishte piktor, studjonte pikturën dhe një ditë, në vitin 1910, në galerinë “Bernheim Jeanne” gjeti Origjinën e botës. Ai e njohu tablonë e mjeshtrit te tij të preferuar. Pas studimeve ai kthehet në Budapest bashkë me tablonë e Courbet. Por edhe ai, që tabloja mos të shihej nga të tjerët, sipër sipër kishte vendosur një pikturë tjetër: peisazhi i një kishe apo kalaje nën dëborë. Në vitin 1944, në vilën e baronit Hatvany u vendos një komandaturë gjermane. Baroni me origjinë çifute ishte fshehur dhe akush nuk mori vesh se çfarë ndodhi më pas me tablonë e Courbet. Një gjë është e sigurtë: tabloja bashkë me një sërë pikturash të tjera, pas rënies së Budapestit ishte marrë nga Armata e Kuqe sovjetike dhe ishte dërguar në Rusi. Ferenc Hatvany, filloi të kërkonte koleksionin e tij dhe më së fundi ra në gjurmë të tyre. Por ai mundi të marrë vetëm një pjesë të tyre përmes një “allishverishi” me një oficer rus, i cili i a ktheu ato në shkëmbim të një shume të madhe. Pas luftës, Ferenc Hatvany erdhi te jetonte në Paris dhe ai e shiti atë tablo. Eshtë pikërisht koha kur në vitin 1954, Origjina e botës bije në duart e psikanalistit të njohur Jacques Lacan dhe gruas së tij, Sylvia Bataille, një aktore e njohur e asaj kohe. Por ata nuk do ta mbanin atë në Paris, por do ta fshihnin në shtëpinë e tyre në fshat. Çuditërisht, edhe ata do t‘i kërkonin mikut të tyre piktorit Andre Masson (kunati i Sylvia-s), që tu bënte një pikturë tjetër të të njëjtit format që ta vendosnin mbi tablonë e Courbet. Masson vizatoi vetëm linjat e tabllosë së Courbet : Origjina e botës në një formë më të pranueshme. Dhe në shtëpinë tyre, në një mjedis miqsh, përsëritej i njëjti ritual si në sallonin e Halil Beu-t: pas darke, para të gjithëve, Lacan zbulonte Origjinën e botës. Të njëjtat habira dhe pasthirrma entusiazte. Kështu kishte ndodhur dhe para Picasso-s, i cili kishte pohuar: „Realiteti, diçka e pamundur!“
Shumë vite pasi Lacan vdiq, Sylvia Bataille premtoi t’ia dhuronte këtë tablo „Musée d’Orsay“-it. Dhe kështu do të ndodhte një ditë të vitit 1995, kur vetë ministri francez i Kulturës, në mungesë së Sylvia-s që sapo kishte vdekur dhe ajo, do të inaguronte hyrjen e Origjinës së botës në këtë muze. Ky rast, do të nxiste shumë historianë të artit që t‘i riktheheshin historisë së krijimit të saj: dhe padyshim pikëtakimi i tyre i parë ishte me dy personazhet kyçe të kësaj tabloje: porositësin dhe krijuesin e tij, me autorin Gustave Courbet dhe adhuruesin e parë Halil Beu. Halil Beu vdiq në vitin 1897, kur sapo ishte kthyer nga Parisi në Stamboll, i sëmurë nga sifilizi; ndërsa miku i tij Courbet kishte vdekur dy vjet më parë nga një çirozë dhe hidropozi, një sëmundje që e fryn trupin jashtë mase. Por vdekja e artistit ishte e dhimbshme sepse ai sapo kishte dalë nga burgu ku dergjej prej kohe, meqë monarkia e konsideronte revolucionar. Gjatë Komununës së Parisit, Courbet ishte zgjedhur Komisar i Arteve dhe ai kishte dhënë urdhër për shëmbjen e obeliskut kushtuar Napoleonit, e cila ishte ngritur në „Place Vendome“. Madje atij i a sekuestruan gjithë tablotë që i kishin mbetur, ashtu dhe atelerin dhe shtëpinë e tij, duke e dënuar me një shumë të madhe, e cila do të përdorej për ringritjen e obeliskut. Por Courbet nuk do ta shihte ngritjen e atij obelisku që sot gjëndet në „Place Vendome“. Ai u fsheh në Zvicër ku vuajti për disa vjet gjersa vdiq në Paris. Origjina e botës na rikujton edhe sot atë udhëtim të gjatë të erotikës dhe të sensualitetit në historinë e artit botëror ku pleksen shumë emra të gjigandëve të pikturës, na kujton atë rrugë të vështirë „heretikësh“, drejt emancipimit njerëzor nga tabutë e së kaluarës. Me të drejtë historiani francez i artit Thierry Sabatier e konsideron atë tablo si „heraldika femërore“, jo vetëm për nga mjeshtëria e krijimit artistik por së pari mendoj për nga kurajo për ta prezantuar atë jo si pornografi por si një vënd të ngjizmës njerëzore, e cila tashmë s’mund të fshihet dhe as të mënjanohet nga vetë ekzistenca njerëzore, nga gëzimet dhe tragjeditë e mëdha…