Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot plani nstrategjik 5-vjeçar të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë. Veliaj tha se ujë 24 orë në Tiranë është një projekt mëse i realizueshëm, falë një sërë investimesh të kryera në këto 8 vite nga Bashkia e Tiranës, por edhe investimeve që janë parashikuar në vijim.
Kryebashkiaku përmendi burimin e Gurit të Bardhë, si projektin që do ndihmojë në realizimin e qëllimit për 24 orë ujë.
“Tirana ka nevojë dëshpëruese për një burim të ri uji dhe Guri i Bardhë është lajmi më i mirë që kemi sot. Ndaj, jam vërtet i inkurajuar që kemi gjetur financimin dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët e AKUM-it dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës”, tha ai.
Veliaj kujtoi se “në kohën e Saliut dhe të Ilirit, kur drejtonin Bashkinë e Tiranës, nuk kishte ujë falas, por thjesht e paguanin të tjerët, edhe për ata që nuk e paguanin faturën”. Sot, – shtoi ai, – faturat paguhen në mënyrë proporcionale për ata që e përdorin, prandaj ndërmarrja e UKT-së është në gjendjen financiare më të mirë që ka qenë ndonjëherë në historinë e saj.
“Sot është një përrallë nga e kaluara; sot ne e dime që kemi një tubacion që vjen nga pika A në pikën B, kemi ulur humbjet, duke future sistemin “SKADA”, i cili na tregon realisht atje ku kemi humbje në rrjet. Humbje në rrjet ka në çdo bashki, edhe në bashkinë e Nju Jorkut, edhe në bashkinë e Londrës, por sot jemi në ditën ku kemi humbjet më minimale që ka pasur ndonjëherë UKT-ja,” nënvizoi kryebashkiaku.
Ndërkaq, Veliaj kujtoi se çmimi i ujit në Tiranë është në fashën më të ulët në vend.