Zyrtarizimi i Lulzim Bashës si kryetar i PD-së zyrtare, asaj të mbetur pas skizmës së madhe, e ka shtuar atë në menunë politike edhe një herë si “protagonist të imponuar”. A do i shpëtojë Basha “nënçmimit” të Ramës dhe sulmeve nga dyshja e agresuar Berisha-Meta që shohin armiq kudo? Mbi zhvillimet në kampion opozitar, por edhe brenda qeverisë së trazuar nga drejtësia e re, komentojnë për gazetën “Fjala”, analistët Frrok Çupi, Lorenc Vangjeli dhe Erald Shulla.
Nga Fernada Cenko
Në një kohë tjetër, zgjedhja e kryetarit të ri të PD-së do bënte lajm kryesor, por kaloi si pa shumë bujë kur gjithçka pritej, pa ndonjë befasi në përballjen mes Lulzim Bashës dhe Gjegj Hanit. Fitoi Basha, por në një proces të kundërshtuar nga aleatët e tij brenda partisë para një viti, kur Basha hahej dhëmb për dhëmb me Berishën, mikun e 16 viteve rresht dhe armikun e tanishëm, e madje edhe të së ardhmes. Megjithë kundërshtitë, akuzave për shkelje statutore, apo dyshimeve për garë false, Basha zyrtarisht ka marrë drejtimin e partisë. Disa njërëz pranë tij, përfshi edhe një pjesë të anëtarësisë, janë besimplotë se Basha tanimë që nuk ka Berishën si “tutor politik” do arrijë të ringrejë partinë, aq sa me votë të largojë Edi Ramën nga pushteti. Të tjerë dyshojnë shumë se Basha është po i njëjti që atë post kryetari kërkon ta shfrytëzojë për të mbetur në politikë, qoftë edhe me një grusht deputetësh. Koha do e tregojë, por disa shenja janë të mjaftueshme për të kuptuar se në grafikun politik në vend, ulje-ngritjet janë aq të mëdha sa në pak muaj i forti bëhet i dobët dhe ai i dobëti merr fuqi. Basha në ditët e para të zgjedhjes si kryetar është mjaft aktiv, madje edhe takimet jo vetëm i mban në orarin e përcaktuar, por ndonjëherë është edhe para në kohë. Rregullimi i “orës” mund të jetë hapi i parë… Ndërsa në artikulimet publike vijon të mbajë si refren vetingun e politikanëve dhe listat e hapura në zgjedhje, dy “fabula” të dala boje pasi “vetingun” e politikanëve duhet ta bëjë drejtësia, ndërsa listat e hapura janë në dorën e vetë Bashës dhe askush nuk e ka shtrënguar që t’i mbyllë. Një shenjë që Basha “nuk ka ndryshuar” është se nuk zhgënjeu aspak kur përmendi për të disatën herë radhazi fjalinë e shkurtër: “Beteja sapo ka nisur”. E sigurt është që Basha me atë “partizë” me logo të madhe nuk do ketë asnjë justifikim radhe se “nuk e linte Berisha të bënte kryetarin”. Dikur Basha nga ambasadorë amerikan quhej “yll në ngjitje”. Sa u ngjit dhe si ra koha e tregoi, por në katundin tonë politik, ku politikani në pushtet ankohet si “qytetar i papunë” dhe qytetari pa punë sillet si “pushtetar i rëndësishëm”, gjithçka mund të ndodhë. Kur të ndodhë a do jetë Basha aty me “lugën në brez”? A do e përballojë Basha “nënçmimin” e Ramës dhe sulmet e dyshes Berisha-Meta? Mbi zhvillimet në kampion opozitar dhe ndikimet e drejtësisë në qeverisje komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Frrok Çupi, Lorenc Vangjeli dhe Erald Shulla.