Analisti Lorand Qafoku ka komentuar zhvillimet e fundit mbi aksionin “Metamorfoza” ku u fundos një grup kriminal dhe u lëshuan 15 urdhër-arreste.
Përgjimet që autoritete franceze nxorrën nga aplikacionet “Sky”, zbuluan jo vetëm si funksionon porositë e vrasjeve me pagesë por dhe se shumë drejtues policie i shërbenin bandave kriminale.
Sipas Qafokut personazhet që kanë për detyrë të luftojnë krimin sot janë bërë pjesë e krimit dhe e bandave, ushqehen financiarisht prej tyre dhe marrin direktiva prej tyre.
“Nuk ka gjë më të rëndësishme për tu trajtuar se kjo situatë. Çështjet politike në Shqipëri ikin vijnë, politika me luhatjet e saj, kështu është dhe do jetë.
Por problemi intervenimit të krimit tek drejtuesit e policisë, në prokurori, tek drejtuesit e institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, është plaga më e rëndë që i ndodh shtetit shqiptar.
Në këtë nivel kurr nuk ka ndodhur. Një pjesë e këtyre emrave që kanë dalë, funksionarëve të policisë janë oficer karriere.
Ajo që dhemb shumë në këtë histori është që PS ka bërë një mega premtim që kurrë krimi nuk do jetë i lidhur me policinë, ndërkohë që jo rezulton që jo vetëm është i lidhur por është i lidhur në nivele shumë të larta.
Ne nuk kemi rend në polici, jo më të mendojmë të kemi rend në shoqëri e siguri në Shqipëri. Kjo është gjëja më e pështirë, më e ndyrë që dëgjojmë dhe këtu humbet besimi ndaj policisë.
Koka të policisë rezulon që marin urdhëra nga kapo të krimit, kjo është gjëja më e rëndë që mund ti ndodhë institucioneve të sigurisë”, tha ai.
Duke folur më tej ai u ndal dhe tek çështjet e SPAK, ndërsa paralajmëroi ndryshime në qeveri në shatator.
“Më në fund qeveria ka një opozitë të fortë, dhe ky është SPAK. Për herë të parë ne shikojmë politikanë të majtës që janë të tronditur. Deri dje ishn krenarë edhe për bëmat e tyre, sot nuk është kështu dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha që ka ndodhur në këto 33 vjet në Shqipëri. Pa dyshim është meritë e Amerikanëve dhe e PS e cila po e kalon këtë provë dhe ne po e shikojmë këtë tronditje.
Prova tjetër është se si do e mirëpresë PD kur në SPAK të shkojnë një nga një eksponentë të saj.
Këto dite në kemi parë se si PD merr në mbrojtje Ahmetajn. E mira është që politikanët i ka zënë frika, ata që kanë futur duart në paratë e shtetit se jo të gjithë.
Pastrimi politikës ka filluar, nuk mendohej 5 vite më parë, që një pjes e mazhorancës të jenë në qeli, të jenë 10 politikanë, zyrtarë të niveleve më të larta dhe zv kryeministri të jetë në kërkim.
Nuk e merrni me mend çfarë tronditje pa pësuar mazhoranca, jo më kot priten të bëhen lëvizje të tjera në shtator dhe shumë ministra, zv.ministra, drejtorë të rëndësishëm që janë në krye të institucioneve dhe që kanë futur duart në arkën e shtetit pritet të mos jenë më dhe Ramës i intereson ta bëjë këtë operacion para se SPAK tu shkojë në zyrë.
Sepse sot ideja është a do shkojë SPAK në zyrën e një ministri, drejtori dhe ti hedhë prangat atje! Dhe Rama e din këtë. Ai kërkon ta pastrojë qeverinë që SPAK të mos ti shkojë në zyrë.
Kështu shtatori pritet të ketë shumë ndryshime edhe në qeveri por edhe në drejtim të institucioneve të rëndësishme që menaxhojnë buxhete të llahtarshme parash”, tha Qafoku.