Viti 2023 ka nisur me rekorde të reja, për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë.
Sipas të dhënave, vetëm përgjatë katërmujorit të parë të këtij viti, gati 1.7 milionë shtetas të huaj hynë në territorin e Republikës së Shqipërisë për t’u numëruar si “turistë”.
Por përvec plazheve të bukura të jugut që janë kthyer në kryeqender të mediave botërore, turistët e huaj në Shqipëri, kanë shumë më tepër se kaq për të shijuar.
Qender atraksioni për turistët nga rajoni, Evropa, por edhe më gjerë, është edhe Tirana.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.
Ajo që tërheq më shumë vëmendjen e turistëve është pjesa historisë, e komunizmit, muzetë që janë hapur, Bunk’art 1 dhe 2, “Shtëpia me Gjethe”, Piramida e Pedonalja.
Por jo vetëm kaq, 15 km larg qendrës së Tiranës, arrihen lehtë atraksione kulturore si Kalaja e Petrelës, vendbanime antike, Kalaja e Dorëzit, Mali i Dajtit, lehtësisht i arritshëm, ku ka ushqim të mirë, ka hipizëm, vendpushime me kampera, Baldushku, Peza, Ndroqi, etje. Kanionet e Erzenit janë gjithashtu pikë tjetër që frekuentohet shumë.
Pra në pak kilometra gjen thuajse të gjitha format e turizmit, ndërkohë që cdo ditë nëpër rrugët e kryeqytetit has grupe të shumta turistësh.
arkiva.fjala.al/, ka bërë një vëzhgim rastësorë paraditen e kësaj të shtune, ku zakonisht kryeqyteti është i zbrazët nga qytetarët e saj.
Vetëm në Sheshin “Skendërbej” janë dhjetra grupe turistësh, ndërsa pjesa tjetër gëlojnë veçanërisht në pedonalen pranë Kalasë së Tiranës, shpesh të shoqëruar nga guida lokale, që i njohin me historinë e vendit.
Nën fokusin e aparatit fotografik të tyre duket se Tirana është një kryeqytet me një të shkuar joshëse, ku çdo objekt evokon kujtimet e së kaluarës, e ku çdo dritëhije nuk është e njëjta si një ditë më parë.