Kreu i PD-së Lulzim Basha po kërkon rifaktorizimin në politikë duke ndjekur dy rrugë: mbështetjen për institucionet e drejtësisë së re dhe opozitarizëm institucional në Parlament. Çfarë synon Basha në sfidën për tu cilësuar ndërkombëtarisht si “opozitar i besueshëm”.
E ka marrë butë, por mjaft aktiv. Disi i kujdeshëm në deklarata, kryetari “i vjetër” dhe “i ri” i PD-së Lulzim Basha duket se e ka zgjedhur strategjinë për tu rifutur në politikë nëpërmjet dy rrugëve…. Së pari ka nisur disa denocime në SPAK në emër të PD-së. Në këtë mënyrë Basha është thuajse i vetmi nga pjesa opozitare që ka përshëndetur disa hetime të SPAK, që nga kërkesa për arrestim të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, apo edhe urdhër-arrestet për 16 persona të lidhur me politikën, krimin e organizuar dhe drejtësinë. Në këtë mënyrë Basha po tenton që të konsiderohet një opozitë institucionale që jo vetëm mbështet “drejtësinë e re”, por e “furnizon” atë me denocime herë pas here, sidomos disa çështje që janë të ndjeshme për publikun. Ai kritikon qeverinë dhe akuzon për afera korruptive, por në asnjë moment nuk përmend protesta, si një nga format demokratike që mund të ndjekë çdo opozitë. Shmangien e protestave duket se e lidh si me pamundësinë për të mbledhur protestues, ashtu edhe për të treguar në pjesën e faktorit ndërkombëtar se është institucional. Një tjetër tregues është se ai do të mundohet që të shfrytëzojë kohën në Parlament që në emër të PD-së të kërkojë ngritje komisionesh hetimore parlamentare, apo edhe nisma të ndryshme ligjore. Jo më larg se dje kreu i PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor për korrupsionin me fondet IPARD për fermerët, pasi BE pezulloi këto të fundit. Basha në ‘Facebook’ shkruan se qeveria e Edi Ramës ka ndërtuar një shtet të korruptuar dhe kjo po ndodh me fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë, pasi vendimi për t’i pezulluar tregon sipas tij abuzimet e bëra për të favorizuar klientët që ndërtojnë vila luksoze. Ndër të tjera thekson se ky skandal ia ka nxirë faqen vendit përpara partnerëve evropianë dhe kjo pengon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. “PD do kërkojë ngritjen e Komisioni Hetimor për korrupsionin me fondet IPARD, paratë nuk shkuan te fermerët por për vila luksoze për klientët e qeverisë. Nuk është hera e parë që propagandës dhe retorikës shtinjake i del boja. Kur arritjet imagjinare ndeshen me faktet, duket qartë se e vetmja gjë që ka ndërtuar Edi Rama është një shtet i të korruptuarve. Kështu ka ndodhur me mega-aferën e Inceneratorëve, kështu po ndodh me fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë”shkruan Basha. Ai shkon më tej se për këtë çështje institucionet zyrtare Europiane vendosën pezullimin e granteve nën dyshimin e korrupsionit. “Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve të programit IPARD tregon makutërinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE-së, duke lënë në mëshirë të fatit fermerët e ndershëm të këtij vendi, për të favorizuar klientët e zakonshëm që me këto fonde ndërtojnë vila në komplekset luksoze të bregdetit. Për këtë skandal që nxiu faqen e Shqipërisë përpara partnerëve europianë dhe që pengon rrugëtimin tonë drejt BE-së, Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të zbardhur shpërdorimin e fondeve për bujqësinë dhe për të garantuar transparencën që qytetarët meritojnë”-mbajti qëndrim kreu i PD-së.
Afrimi me ndërkombëtarët
I ndërgjeshëm se partia që drejton është tkurrur shumë për shkak të çarjes së madhe, ku një pjesë e konsiderueshme kanë shkuar me Berishën, ndërsa të tjerët nuk e gjejnë veten tek asnjë, Basha po tenton të paktën të “rifaktorizohet” ndërkombëtarisht. Në këtë pjesë ai pret shtatorin politik që të nisë takimet me absadaorë, përfaqësues të ndryshëm të delegacioneve të huaja, ose ndonjë vizitë zyrtare jashtë vendit. Si “provë” që është ndryshe nga “liderët e tjerë” opozitarë, Basha po ofron “kartën drejtësi”. Fakti që ka nisur disa denocime në emër të PD-së dhe njëkohësisht ka përshendetur disa nisma të Prokurorisë Speciale SPAK, synon të quhet “mbështetës i invetimit BE-SHBA”, që është bërë në ngritjen e drejtësisë së re. Kredon politike Basha ende nuk e ka fituar ndër demokratë, të paktën në shifra domethënëse, për të arritur shtrirjen më të gjerë tashmë po mundohet të kthehët në “opozitë institucionale” me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.