Policia e Tiranës arrestoi pesë persona tre shtetas shqiptarë dhe dy Kosovarë pasi u kapën në flagrancë duke transportuar 11300 tableta drogë sisntetike ekstazi, me një vlerë rreth 400 mijë euro. Mes të arrestuarve është edhe zyrtari lokal i Komunës së Prishtinës, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosja, Besnik Mujeci.
Një operacion I madh u zvillua në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga Policia e Tiranës ku në pranga ranë pesë persona, tre shtatas shqiptarë dhe dy kosovarë. Plot 11300 doza drogë sisntetike ekstazi u kap nga policia pas një operacioni të mirëorganizuar ku ishte punuar për më shumë se tre muaj, madje edhe me agjentë të infiltruar. Policia tha se lënda narkotike kapte një vlerë prej 400 mijë eurosh. Mësohet se pasi droga vinte në Shqipëri me linjë autobusi Prishtinë- Tiranë, të rinjtë që posedonin drogën prezantoheshin si pushues nga Kosova. Më pas ata lëviznin me makina të marrë me qira drejt zonave bregdetare, ku edhe shpërndahej lënda narkotike. Të arrestuarit janë dy nga Prishtina dhe tre nga Tirana, mes tyre edhe një vajzë. Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë. Në janar të këtij viti, është finalizuar operacioni policor i koduar “PUNISHER”, në kuadër të cilit u godit një grup shpërndarësish të drogave sintetike, u arrestuan 3 shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër, si dhe u sekuestruan 1007 tableta ekstazi MDMA. “Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në vijim të veprimeve të thelluara në drejtim të hetimit të furnitorëve për grupin e arrestuar në janar, kanë rënë në gjurmët e një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha droge sintetike, nga Kosova në Shqipëri”-thuhet në njoftim. Pas një hetimi disamujor me metoda speciale të hetimit, nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u siguruan prova ligjore për dokumentinin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi që përbëhej nga 5 persona. “Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit: Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë”-shprehen burimet zyrtare policore. Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nga hetimet ka rezuluar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
VV përjashton nga partia “trafikantin e ekstazisë”
Menjherë pasi u dha lajmi zyrtar se mes të arrestuarve që u kapën me mijëra doza ekstazi ishte edhe Besnik Mujeci, zyrtar lokal I Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, ka reaguar edhe kjo forcë politike. Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar nga strukturat e partisë 40-vjeçarin, Besnik Mujecin, i cili së bashku me 4 të tjerë u arrestua pasi u kapën duke shitur ekstazi në lokalet e Tiranës. Lajmin e ka bërë të ditur Alim Rama, anëtar i kryesisë nga LVV-ja, i cilinë një reagim ne Facebook shkruan se “Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE!” në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE”. “Pas marrjes së informacionit për arrestimin e asambleistit të Komunës së Prishtinës nga radhët e subjektit tonë, Komisionin Diciplinor i LVV menjëherë ka trajtuar këtë rast. Si rrjedhojë Komisioni Diciplinor i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e tij mori vendim për përjashtimin e anëtarit Besnik Mujeci nga anëtarësia dhe të gjitha strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar që dukuritë e tilla të dënueshme dhe kundërligjshme, janë absolutisht të patolerueshme dhe do të luftohen e ndëshkohen”, ka shkruar ai.