Listës së skuadrave fituese të Superkupës së Europës i shtohet Manchester City. Kampionët e Premier League-s vuajtën shumë, por në fund ia dolën të mposhtnin Sevillan në “ruletën” e penalltive (5-4), pasi koha e rregullt u mbyll në barazim 1-1.
En Nesyri zhbllokoi rezultatin në favor të skuadrës andaluziane në minutën e 25-të, i shërbyer nga Acuna.
Baraspesha në rezultat do të kthehej në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 63-të nga Palmer, i asistuar nga Rodri.
Nuk pati më ndryshim rezultati në minutat e mbetura, me fituesin që do të përcaktohej nga goditjet e penalltive.
Nga pika e bardhe për City-n u treguan të saktë me radhë Haaland, Alvarez, Kovacic, Grealish dhe Walker. Për Sevillan realizuan Ocampos, Mir, Rakitic dhe Montiel dhe i vetmi që gaboi, në Serinë e pestë, ishte Gudelj.