Nga Elton Qyno
Mundësia e ikjes se Klodjan Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj është karakterizuar gjatë në vendimin 320 faqe të zbardhur nga gjyqtari Erjon Bani.
Bani shkruan duke justifikuar masën e arrestit në burg se Rrapaj dhe Rrjepaj qëndrojnë vazhdimisht jashtë shtetit.Dhe nisur nga kjo situatë caktimi i një mase me të butë, mund ti sjellë mundësi dy personave që të largohen duke ju shmangur përballjes me drejtësinë.
“…Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht zhvillimin normal të procedimit penal, duke pasur parasysh pasojat e veprës dhe marzhin e dënimit të veprës penale që dyshohet se kanë konsumuar që dënohet në 7 dhe 10 vjet burgim.
Gjithashtu gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS. Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë”-nënvizohet në vendim./KB
