Çfarë kanë thënë dhe vijojnë të thonë Rama, Berisha, Meta dhe Basha për Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion? Kur e kanë mbështetur dhe kur e kanë sulmuar SPAK-un. Një “guidë” deklaratash që nga dhjetori i vitit 2019 kur nisi nga puna e deri më sot, për të kuptuar përsetë e paqendrushmërisë së qëndrimeve të krerëve të politikës shqiptare.
Nga ROLAND QAFOKU
Që nga 19 dhjetori i vitit 2019 kur nisi nga puna, ka një paqëndrueshmëri qëndrimesh të politikanëve kryesorë ndaj institucionit kryesor të reformës në drejtësi, SPAK. Nuk ka patur asnjë rast që Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion të ketë kryer goditje, arrestime apo nisje procesesh penale dhe politikanët kryesorë në vend Edi Rama, Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ilir Meta të mos kenë dhënë mendimin e tyre. Por si rezultojnë këto qëndrime të shtrira në kohë? A kanë qenë ato koherente, të qendrueshme dhe me një raport të qartë me këtë strukturë nën devizën të gjithë janë të barabartë përballë ligjit? Apo, me çdo dosje është bërë politikë e ditës synimi i të cilës ka qenë përfitimi politik? Rasti më i fundit është arrestimi i disa drejtuesëve të lartë të ministrisë së Shëndetësisë për koncesionin e sterilizimit dhe hetimi me urdhër të gjykatës të dy ish-ministrave të kabinetit të tij Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani. Edhe pse numri i të arrestuarëve, bashkëpunëtorë të kryeministrit, po është vërtetë shumë i madh dhe SPAK është kthyer në makthin e vetëm të kësaj mazhorance, Rama shpërtheu në falenderime sikur kjo strukturë t’i kishte varur në qafë një dekoratë. Tha Rama të enjten e 17 gushtit: “Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime. Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria”. Por duhet thënë se ndonëse Rama vijon ta quajë sukses ekskluziv të tij funksionin e SPAK, si pjesa më e rëndësishme e reformës në drejtësi, opinioni nuk mund të harrojë lehtë kur ai shpërtheu në sulme më shumë se një vit më parë ndaj këtij institucioni. Dhe pakënaqësia e kryeministrit lidhej me faktin përse nuk godiste djathtas duke nënkuptuar Sali Berishën dhe bashkëpunëtorët e tij. Më 7 maj 2022 ai lëshoi një batare akuzash si asnjëherë tjetër. Tha Rama: “Zonja e zotërinj të SPAK-ut, zgjohuni e dilni në mbrojtje Shqipërisë. Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non grate, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tër dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u. Askush tjetër!… A e dini ju që SPAK ka pasur shpejtësinë e rrufeshme për të vepruar minutë për minutë që të bllokojë Ardian Dvoranin, njeriun e vlerësuar nga sekretari i shtetit si një nga kampionët në luftën ndaj korrupsionit, që të mos hynte në proces si gjykatës. Sa gjykatës e prokurorë të nxjerrë jashtë për pasuri të pajustifikueshme do ishin sot në burg? Ku janë ata sot? Me ça merren? Janë në punën e tyre. Asnjë gjemb në këmbë nuk i ka hyrë”. Dukej se Ramës nuk i dilte inati me këtë disbalancë ku nga njëra anë shtohej numri i bashkëpunëtorëve të vet që nga zyrat e shtetit po bëheshin banorë të qelive dhe në të njëjtën kohë kundërshtarëve politikë nuk i hyhej asnjë gjemb në këmbë. Dhe ndaj SPAK ai vijoi me silurën e dytë më 11 maj 2022 teksa “iu ngrit topi” me dënimin e artistit të njohur Bojken Lako për ndërtim pa leje që në fakt ishte rikonstruksioni i disa dritareve të një godine të braktisur. Tha Rama për SPAK: “S’kemi arritur akoma në kohën që do të çojmë njerëz në SPAK për pastrimin, apo të dënojmë Bojken Lakon me burg për dritare, ndërkohë që figura këtu ka vilë në tokën e tjetrit dhe nuk është pas hekurave”.
Në fakt ka një kronologji të habitshme jo vetëm të kryeministrit Rama në qëndrimet ndaj SPAK. Dhe kjo nis që më 19 dhjetor 2019 kur anëtarët e kësaj strukture u betuan në presidencë dhe nisën nga puna, ndërkohë që politikanët kryesorë deklaruan vrik në mbështetje të punës që priste përpara, por çdo deklaratë ka qenë e shoqëruar me fjalën “por” nga pas. Ato ditë plot pritshmëri, por edhe debat politik, pati meritë edhe presidenti Ilir Meta që dekretoi në kohë rekord dhe organizoi në presidencë ceremoninë e betimit duke dhënë mbështetje maksimale për këtë strukture, ndërkohë që kundërshtarët politikë kishin shumë plot dyshime nëse ai do ta bënte këtë. Bashkëshortja e tij, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi bëri deklaratën më mbështetëse mes eksponentëve të opozitës duke ia kaluar edhe kryetarit të PD Lulzim Basha. Tha Kryemadhi atë ditë: “Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi. Fillimi i aktivitetit të SPAK është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit. Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika. Ngritja e SPAK dhe BKH do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e ‘të fortëve’, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar. Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”,
Edhe kryetari i PD-së Lulzim Basha u deklaruar pro kësaj strukture, por në fjalët e tij ka edhe mungesë besimi, ndryshe nga Kryemadhi. Tha Basha atë ditë në emër të PD:
“PD përshendet fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture…. PD, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të BKH, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën. Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar. Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë. Dhe ky mosbesim u pa qartë në muajt në vijim. Thirrjet e Bashës ndaj SPAK u bënë të shpeshta duke arritur kulmin e tyre më 21 tetor 2020 kur ai doli hapur kundër kësaj strukture duke e cilësuar fajtore. Tha Basha:
“Ja çfarë bëni ju, thirrja për SPAK, zotërinj ju inkurajoni vjedhjen, hajdutërinë, jeni bashkëpërgjegjës që shqiptarët nuk po marrin masat lehtësuese kanë 3 javë e një ditë që po i përsëris ditë për ditë. Sot është koha të hapni gojën, dhe të kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, pasi shqiptarët nuk po marrin dot lekë e tyre edhe pse paguajnë taksa.”
Por dukej që kryetari i PD nuk e kishte parimore. Kur SPAK e thirri në dyert e saj për ta pyetur lidhur me financimet e PD gjatë fushatës elektorale të vitit 2017, qëndrimi i tij ishte në interes personal duke i ndarë prokurorët në të ndershëm dhe të pandershëm. Tha Basha më 10 shkurt 2022 pasi doli nga një seancë pyetjesh:
“Punonjësit e ndershëm të SPAK dhe BKH kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë të PD për të ecur përpara me hetimin e çështjeve nën juridiksionin e tyre. Është arsyeja pse janë krijuar. Është arsyeja pse paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Nuk janë vartësit e askujt përveç ligjit shqiptar dhe taksapaguesve shqiptarë”.
Edhe Berisha rezulton me qëndrime të ndryshme ndaj SPAK. Ndonëse ai ka qenë një mosbesues, atakues i qendrueshëm ndaj kësaj strukture si “vartës të Edi Ramës”, në të njëjtën kohë ka nxitur dhe ka bërë presione që kjo strukturë të hetonte qeverinë. Pra ka besim se mund të hetojë. Por për të njëjtën çështje Berisha rezulton se ka ndryshuar mendim. Kryevepra e këtyre qëndrimeve lidhet me dosjen e inceneratorëve. Përgjatë gjithë qëndrimeve të veta ai ka shigjetuar dhe akuzuar rëndë prokurorët. Në shumë dalje publike ai ka deklaruar se SPAK po e mbyllte këtë dosje. Tha Berisha më 18 nëntor 2022:
“SKAP-i i partisë, po bën gjithçka për të mbyllur aferën e djegësave, për ta shitur si një aferë të disa punonjësve të kësaj sipërmarrje gjigante të krimit ekonomik të Edi Ramës, Agaçit, Ahmetajt, Veliajt dhe Kokës”.
Në fakt dosja jo vetëm që nuk u mbyll por vijoi me zhvillime të rëndësishme. Shtatë muaj pas kësaj deklarate prokurorët firmosën kërkesën në adresë të parlamenti për dhënin e lejes për arrestimin e deputetit dhe ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Por edhe në këtë çështje Berisha ka treguar luhatjet e tij lidhur me Ahmetajn. Pa marrë ende vendim parlamenti për arrestimin e tij tha Berisha më 13 korrik 2023 gjtë mbledhjes së grupit parlamentar të “Foltores”.
“Arratisja e superministrit tregon moralin e ulët të bandës kriminale që është në pushtet. Pas Edi Ramës dhe Ëngjëll Agaçit, të cilët janë në binom, Ahmetaj është truri, njeriu më kryesor në aferën e korrupsionit. Është hajduti më i specializuar për të vjedhur shtetin në historinë e shtetit shqiptar. Më i madhi është Edi Rama, por aftësitë e tij profesionale si hajdut janë të pakufishme”.
Por kur Ahmetaj u shpall zyrtarisht në kërkim dhe pozita e tij politike u duk kundër Ramës dhe qeverisë, Berisha doli në mbrojtje të tij gjë që krijoi jo pak zhgënjim. Tha Berisha më 4 gusht:
“Përpjekja është kjo, Ahmetaj të paraqitet si truri dhe Mirel Mërtiri e Zoto si dy kryesorët dhe qarku të mbyllet me këta tre persona. Ky është mashtrimi i shekullit. Unë e them këtë me përgjegjësi absolute kushdo tjeter. Nuk kam komunikuar kurrë drejtpërdrejt me Ahmetajn, por ai mund të më shkruajë çdo gjë në telefonin tim, nuk e ka të ndaluar. Të dhënat i kam marr nga qytetari digjital”.
Në nota edhe më të zbutura, pak a shumë kështu ndodhi edhe pas arrestimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Më 6 qershor 2023 ai u prangos nën akuzën e e shpërdorimit të detyrës dhe kjo ishte goditje e rëndë për kryeministrin Rama si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të tij. Megjithatë qëndrimi i Ramës ishte në mbështetje të SPAK. Tha Rama pas arrestimit të Dakos: “Nuk ndjehesh mirë, kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje dhe tani është krah prokurorit dhe gjykatësit. Duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kemi hyrë në një fazë të re, ku për herë të parë në histori po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Por edhe kur shikon që mund të përdoret forca e pushtetin për të bërë gjëra që nuk duhet. Kurrë s’ka ndodhur më parë. Për këtë ne duhet të jemi krenarë për PS dhe kontributin që japim”.
Ndonëse nuk e fshehu gëzimin për arrestimin e Vangjush Dakos, Berisha dha edhe versionin e tij pse SPAK e kishte kryer këtë akt. Tha Berisha atë ditë: “Gjushit një fjalë do i them “shkove si ai në vresht për kokë të Saimir Tahirit” e meriton sepse je kriminel elektoral, eksponent i dosjes 339. Nuk është dënuar për këtë ai, as pallatet që kushtuan dhjetëra jetë njerëzish, as për padinë e Bashkim Dakos, iu lut i tha hajde shihi kolonat. U zgjodh me kujdes padia ndaj tij. Megjithatë i them e shkove si ai në varesh për kokë të Saimir Tahirit dhe mirë ta bënë”. Por fraza lapidare që Rama e ka thënë sa herë ka ndodhur një arrestim në radhët e mazhorancës dhe e bërë “copy paste” është se “përgjegjësia është personale”. Kështu tha Rama edhe për arrestimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Të njëjtën gjë por me një theks edhe më të fortë e bëri dhe me arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako. Tha Rama më 7 prill 2022:
“Individët janë të vetes dhe përpara ligjit nuk ka deputet, nuk ka ministra, nuk ka politikanë, nuk ka të fortë, nuk ka të privilegjuar, janë të gjithë të barabartë. Në nivel njerëzor, personal jam shumë i keqardhur. Nuk ka përgjegjësi kolektive, por zgjedhjet që bën në jetë bazohen mbi një sërë arsyesh dhe kriteresh të cilat nuk prezumojnë për askënd se kush zgjedh është përgjegjës, nëse i zgjedhuri në një ditë të caktuar shkel ligjin”. Të njëjtën gjë e përsëriti edhe me arrestimin e Arben Ahmetajt duke shtuar mburrjet se SPAK ishte vepër e PS dhe e tij. Tha Rama më 14 korrik: “Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, dhe për shtetin dhe xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot, por duhet ta mbajë vetë. Qoftë kur sheh veten para pasqyrës, qoftë kur sheh lart nga Zoti, qoftë kur gjendet përballë drejtësisë. Ky i zyrtarit më të lartë shqiptar që gjermësot ka përfunduar në rrjetën hetimore të SPAK-ut, ishte një tjetër test për ne, si nismëtarët e Reformës në Drejtësi, kur ishim në opozitë, udhëheqësit e saj të vendosur kur erdhëm në qeveri dhe garantët e saj të palëkundur që kur Reforma u miratua e hyri në rrugën e zbatimit të saj. Kush më ka dëgjuar, qysh në krye të herës besoj duhet ta mbajë mend se e kam kërkuar me shumë ngulm këtë reformë. Kur kam thënë se nuk duam një tjetër arrnë nga ato të mëparshmet për drejtësinë, po duam një përmbysje të sistemit të vjetër të drejtësisë, e kam menduar shumë mirë ç’ka flas dhe kam folur pikërisht atë që kam menduar”.
Ka patur një interes në rritje për të vëzhguar qëndrimet e Ilir Metës në raport me SPAK. Ndryshe nga esktremitetet e Berishës, ai duket më i distancuar. Ndonëse çdo lëvizje të drejtësisë e cilëson vepër të Edi Ramës me fjalën e re “Ramaformë”, në disa raste edhe shpërfillës ndaj SPAK. Në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit, më 12 shtator 2022 Meta tha:
“Unë kam luftë me mafien, e bëj këtë luftë qetë fare. As nuk më kërcet fare për ta. Unë i ftoj mos bëhen pjesë e lojës së Edi Ramës, se ai vetë do të jetë një kurban i madh. SPAK le të hetojë gjithë ditën nuk ka asnjë shqetësim. Ne nga këto hetim faktike që i kemi me firmë e vulë të Edi Ramës, kësaj çështjeje do t’i shkojmë deri ën fund, ndaj dhe nesër kemi lajmëruar këtë protestë tek inceneratorët”. Por akuza më e rëndë e Metës ndaj SPAK ka qenë përpara zgjedhjeve lokale dhe lidhur me to. Tha Meta Më 13 shtator 2022: “Është e qartë se ka një koordinim perfekt midis rilindjes e SPAK që të blihen zgjedhjet e vendore e të dënojnë ndonjë bedel të dorës së dytë që të thënë se drejtësia e re vazhdon. A nuk vepruan kështu këta me ish-ministrin dhe ish-drejtorin dhe deputetin. Denoncimet për ta u bënë me fakte me numra llogarie, katër muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, por nuk u ndërmor asnjë veprim se me lekët e inceneratorëve duhej të blihej vota e shqiptarëve”. Në këtë mënyrë, në një formë apo tjetër, as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha dhe as Ilir Meta, nuk i ka raportet e mira me SPAK. Fakti që ata herë e sulmojnë dhe herë e mbështesin këtë strukturë tregon se janë të pasigurtë ndaj saj. Ky është një lajm i keq për politikën, por një lajm i mirë për Shqipërinë. Që kuptohet edhe nga qëndrimet që kanë mbajtur dhe mbajnë këta politikanë.