Elton Qyno
Mes shumë pikave të shkeljes së kontratës konçesionare të sterilizimit të paisjeve kirurgjikale, është hapësira e lidhjes së bashkëpunimeve në këtë biznes përmes skemës së nënkontraktimeve të kompanive të treta.
Gjatë hetimeve të kryera SPAK, ka gjetur shkelje të përsëritura të Nenit 15 të kontratës, që flet për kriteret e “Nënkontraktimit” të subjekteve të treta.
Shkeljet dhe moszbatimi i këtij neni të dakordësuar mes konçesionarit dhe autoritet të Ministrisë së Shëndetësisë, janë kryer nga pronari i konçesionit, Ilir Rrapaj tashmë në burg, ish-zv/ministri Klodian Rjepaj tashmë në burg dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ende i lirë por i vënë në hetim nga SPAK që prej muajit Korrik 2023.
Sipas Nenit 15, “…konçesionari i sterilizimit të paisjeve kirurgjikale, ka të drejtë të nënkontraktojë një ose më shumë shërbime, pasi të ketë marë aprovimin paraprak me shkrim të autoritet të Ministrisë së Shëndetësisë…”.
Në rastin konkret, SPAK thotë se zbatimi i këtij Neni në kontratën konçesionare është bërë vetëm me rastin e nënkontraktimit të kompanisë “Kneo Transport Kompani” alias (Med Red) që rezulton të jetë në pronësi të Kneo Laçit dhe Iris Allajbeut, gruas së pronarit të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu.
Vetëm në këtë rast është zbatuar kontrata mes dy palëve, duke futur si nënkontraktore në shërbimin e pastrimit të mbetjeve spitalore, kompaninë e Klodian Allajbeut.
Autorizimi në këtë rast është dhënë në 23 shkurt 2016 nga Ministria e Shëndetësisë, ku Klodian Rjepaj, kishte dhënë urdhër-porosi që të jepej autorizimi, me qëllim futjen në lojë të kompanisë së Allajbeut.
Kompania nënkontraktore e Allajbeut ka fituar duke kryer shërbimin për llogari të “Sani Service”, plot 173 milion lekë të reja.
Ndërsa në të gjitha rastet e tjera, konçesionari “Sani Servisi” dhe Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Ilir Beqaj, nuk kanë zbatur nenin që flet për nënkontraktorët.
Janë me dhjetëra kontrata miliona dhe miliarda lekë, që “Sani Service” e Ilira Rrapaj ka lidhur me firma nënkontratore të hapura pikërisht nga vetë Rrapaj, duke përdorur kartat e ID të shokëve, punonjësve të tij, nipit, vëllait Mitat Rrapaj dhe fëmijët e punonjësve të konçesionarit.
Për dhjetëra kontrata shërbimesh si “Game Service”, “Globalsher”, Ilir Rrapaj, Umbro Staçini, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed”, “Ujet”, “Eumedica Senior”, “AlbaMed 2014”, “Geonad Systems”, “Steralb”, “Sitec”, “2T”, “Comfort”, “Tecnosanimed srl”, Servet Biçaku, IT Solutions e Rezarta Biba, “Me-Sys” etj, nuk është dhënë autorizimi nga ministri, Ilir Beqaj dhe zv/ministri Klodian Rjepaj.
Futja me nënkontraktim, e të gjitha kompanive të shokëve të Ilir Rrapaj dhe vetë kompanitë e tij, është bërë në mënyrë të njëanshme nga konçesionari “Sani Service”, duke mos pyetur fare për autorizimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Në këtë rast del qartë se ose konçesionari nuk ka pyetur fare ministrinë. Ose titullarët e kësaj të fundit, nuk kanë shfaqur interes dhe s’kanë ushtruar detyrën përmes kontrollit të lejuar me ligj, mbi veprimet e konçesionarit në lidhjen e nënkantraktimeve.
Këto janë shkelje të abuzimit me detyrën, ku përmes veprimit dhe mosveprimit, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë konsumuar veprën penale.
Përmes skemës së nënkontratimeve të kompanive të treta dhe të katërta në pronësi të Ilir Rrapaj, italianit Umbro Staçini dhe pronarët e tjerë të “Sani-Service”, ata kanë kryer mbivaturim të vetvetes tek kompania konçesionare “Sani Service”.
Vetëm në një rast, thotë SPAK 14 subjekte nënkontraktuale kanë faturuar për shërbime të ndryshme me 440 milion lekë të vjetra, kompaninë “Globalsher” të Ilir Rrapaj, e cila ishte futur si nënkontraktore në shërbimin e sterilizimit nga konçesionari “Sani Service” në pronësi të Ilir Rrapaj.
Për të njëjtin shërbim që 14 nënkontraktuesit kanë faturuar 440 milion lekë “Globalsher”, kjo e fundit ka mbifaturuar konçesionarin “Sani service” me 6 miliard 967 milion lekë dhe 321 mijë euro.
Një balancë financiare kjo që tregon vjedhjen e kryer përmes skemës së nënkontraktimeve.
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H
Subscribe to Updates
Get the latest creative news from FooBar about art, design and business.
© 2025 Gazeta Fjala. All rights reserved. Dev by Keminet & iRegister.