Nga Mentor HOXHA, Paris
Akademiku dhe gjuhëtari i shquar shqiptar, prof. dr. Bahri Beci nuk jeton më. Ai u shua përgjithmonë nga jeta në mëngjezin e 21 gushtit të vitit 2023 në Tiranë në moshën 87 -vjeçare. Ai është babai i Kryetarit aktual të Bashkisë së Shkodrës, Z. Benet Beci. Vdekja e tij është një humbje e madhe për familjen e tij dhe për shkencën shqiptare, pasi ai ishte një personalitet shumë i madh në fushën e gjuhësisë dhe të mësimdhënies brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Ai ishte akademik, profesor i nderuar dhe ndër gjuhëtarët më të mirë të Shqipërisë. Ishte gjithashtu një njeri shumë i komunikueshëm dhe korrekt, të cilin kam patur fatin ta njoh dhe të bisedoj shpesh herë me të në muajt e fundit për një projekt timin enciklopedik, ku bën pjesë edhe ai. Gadishmërinë e tij për të më ndihmuar, e dëshmoi që në bisedën e parë që unë bëra me të nga Parisi. Ndihem shumë i trishtuar dhe i përlotur që libri im enciklopedik me titull “Personalitetet shqiptare të Francës” që do të dalë para lexuesit shqiptar dhe frankofon në tetor të këtij viti dhe që do promovohet në Tiranë dhe Paris nuk do të shikohet nga profesori dhe miku im i nderuar Bahri Beci, i cili më kishte premtuar edhe disa radhë për këtë vepër të parë enciklopedike për personalitetet shqiptare të Francës.

Në shenjë mirënjohjeje, respekti dhe vlerësimi, unë po botoj te gazeta ditore “Fjala” biografinë e tij, të cilën ma ka sjellë vetë ai bashkë me foton për këtë enciklopedi. Prof. Dr. Bahri Beci ka lindur më 6 mars 1936 në Shkodër. Studimet fillore dhe të mesme i bëri në qytetin e Shkodrës. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës (1954-1958) në fushën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, kurse studimet pasuniversitare në Paris dhe në Tiranë. Nga viti 1958 deri në vitin 1997, ka punuar në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë si punonjës shkencor. Gjatë viteve 1966-1969 është dërguar me qarkullim në Shkodër si mësues dhe pedagog në Universitetin e Shkodrës. Nga viti 1975 deri në vitin 1977 ka bërë studimet pasuniversitare në Paris. Më 1977 ka mbrojtur në Universitetin e Sorbonës të Parisit doktoratën dhe ka marrë gradën shkencore “Doktor i Universitetit të Parisit” me vlerësimin “shkëlqyeshëm” dhe me “përgëzimet e jurisë”. Më 1979 ka marrë në Shqipëri gradën shkencore “Kandidat i shkencave” dhe titullin “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor, kurse më 1984 dhe 1994 respektivisht gradat shkencore “Doktor i shkencave” dhe titullin “Drejtues kërkimesh” ose “Profesor”. Më 2008 ka fituar titullin “Akademik”. Më 2016 është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Është bashkautor në librat “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” dhe “Atlasi gjuhësor evropian”. Veprimtaria e tij shkencore është shtjelluar më shumë se një gjysmë shekulli në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të gjuhës letrare, të historisë së gjuhës, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike si edhe të gjuhësisë së zbatuar. Në fushën e dialektologjisë ka bërë studime monografike për të folmet e gegërishtes, po edhe studime përgjithësuese për strukturën dialektore të gegërishtes në veçanti dhe të shqipes në përgjithësi.
Duke u mbështetur edhe në të dhënat e ADGJSH ka propozuar një ndarje të re të strukturës dialektore të shqipes në krahina dialektore, zona dhe rajone dialektore. Në fushën e fonetikës ka studiuar me metoda moderne të fonetikës eksperimentale sistemin fonetik të shqipes letrare dhe atë të qytetit të Shkodrës. Ka aplikuar metoda origjinale dhe bashkëkohore në shtjellimin e strukturës gramatikore të shqipes në dy gramatika, të botuara përkatësisht në vitet 1997 dhe 2000. Ka trajtuar gjerësisht dhe me interpretime vetjake historinë e formimit të shqipes standarde. Në fushën e historisë së gjuhës ka sjellë të dhëna që vërtetojnë vjetërsinë e dy dialekteve të shqipes dhe mbi këtë bazë edhe autoktoninë e shqiptarëve në territoret e tyre të sotme. Në fushën e gjuhësisë ballkanike, në dallim nga paraardhësit e tij ka mbrojtur pikëpamjen mbi rolin përcaktues të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike. Në fushën e gjuhësisë së zbatuar ka dhënë një kontribut të veçantë në modernizimin e mësimit të gjuhës amtare në shkollë përmes hartimit të programeve e teksteve shkollore bashkëkohore. Është autor i më shumë se 150 artikujve studimorë të botuar në revista e përmbledhje studimesh, brenda e jashtë vendit, si në Austri, Greqi, Francë, Itali, Maqedoni, Poloni, Rusi, Amerikë dhe në Kosovë. Ka dhënë kurse të nivelit universitar e pasuniversitar në universitetet e Tiranës, të Shkodrës, të Prishtinës, të Napolit, të Kozencës, të Shkupit, të Shën Petersburgut, të Parisit etj. Ka drejtuar diploma e doktorata për gjuhën shqipe, të studiuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ka marrë pjesë në shumë ekspedita gjuhësore për mbledhje dhe regjistrime me magnetofon materialesh dialektore në territorin e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë dhe tek arbëreshët e Italisë, si edhe për Atlasin dialektologjik të Shqipërisë dhe Atlasin evropian. Ka qenë ekspert ndërkombëtar pranë UNICEF-it për problemet e mësimit të gjuhës amtare në shkollë. Ka qenë shef i Sektorit të Gramatikës dhe Historisë së Gjuhës Shqipe (1991-1993), sekretar shkencor (1974-1975) dhe drejtor i këtij Instituti (1993-1997); anëtar i Këshillit drejtues të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë (1993-1997); nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve të Evropës Juglindore (AIESSE, 1993-1997) dhe koordinator i Shqipërisë në projektin evropian për inxhinierinë e gjuhës (TELRI, 1993-1997), anëtar i Këshillit të Politikës Shkencore dhe të Zhvillimit Teknologjik pranë Këshillit të Ministrave (1995-1997), anëtar i asamblesë së përgjithshme të Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe anëtar i redaksisë së revistës shkencore “Hylli i Dritës”.

Ka qenë drejtor i “Seminarit XVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare” (Tiranë, 1995), si edhe i Seminarit të XVIII (Tiranë, 1996). Ka marrë nga Kuvendi Popullor medaljen “Naim Frashëri” (1973), urdhrin “Naim Frashëri” (1986), dhe titullin “Për merita të veçanta civile” (2016). Biografia e tij shkencore është përfshirë më 1998 në “Who’s Who in the World”, USA, më 2008 në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe më 2010 në “Historical Dictionary of Albania”, botuar nga Robert Elsie. 17 veprat kryesore të prof. Bahri Becit janë: Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës (Tiranë 1995), Gramatika e gjuhës shqipe, për mësuesit e gjuhës shqipe (Tiranë 1997, Prishtinë 1998), Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë (Shkodër 2000, Prishtinë 2001, Shkup 2004, Tiranë 2004), Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri (Pejë 2000), Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre (Tiranë 2002), Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike (Pejë 2002), Fonetika e gjuhës shqipe (Tiranë 2004, Prishtinë 2004), Gegërishtja qendrore dhe grupimi i të folmeve të saj (Tiranë 2007), Historia e standardizimit të shqipes (Tiranë 2010), Struktura dialektore e shqipes (Tiranë 2016), Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes (Tiranë 2019), L’union linguistique balkanique a la lumière des données de la langue albanaise (Tiranë 2020), Bashkësia gjuhësore ballkanike në dritën e të dhënave të gjuhës shqipe (Roli i shqipes ose i parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike, Tiranë 2022), Një libër që nuk do të doja ta shkruaja (Tiranë 2013), “Homo ideologicus” në shkencën shqiptare (Tiranë 2015), Përjetime 1936-2021 (Tiranë 2021), Seri të plota të librave të gjuhës shqipe për shkollat nëntëvjeçare (klasat I-IX) në Shqipëri (1970-2004 me bashkautorë) dhe 2004-2022 në Shqipëri, Kosovë (2004-2020) dhe në Mal të Zi (2004-2020) si autor. Vepra me bashkautorë: Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (vëll. I, Napoli 2007), Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (vëll. II, Napoli 2008), Atlas Linguarum Europae (Atlasi gjuhësor evropian, 1975-2015), Të mësojmë shpejt gjuhën shqipe (metodë për mësimin e shqipes nga të huajt, me bashkautor), e botuar dhe ribotuar në gjuhët kryesore, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.