Në samitin e Bernës të mbajtur në Slloveni, përfaqësues të lartë të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor mbajtën referate të gjata duke folur për integrimin. Skepticizmi ishte I madh tek të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
E ndërsa flitet për integrim, Kosovës ende nuk iu kanë liberalizuar vizat, çka qytetarët e saj nuk lëvizin lirshëm. Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali I Zi dhe Serbia kanë hapur negociatat për anëtarësimin si vende candidate, por janë shumë larg futjes në BE. Kjo është mëse e qartë edhe nga liderët e BE-së që për shkak të konjukturave të brendshme dhe rritjes së euroskepticizmit në vendet e tyre në jo pak raste “shpikin kritere të reja” për vendet candidate. Edhe kryeministri Edi Rama ka hedhur kritika ndaj Bashkimit Europian, lidhur me antarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE, përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria. Komentet Rama i bëri gjatë fjalës së tij në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ku tha me ironi se nëse merret për bazë për anëtarësimin në BE se cili vend është në luftë, atëherë sipas tij, të gjithë të pranishmit e Ballkanit Perëndimor në panel, do të sulmonin njëri-tjetrin, vetëm për t’u bërë pjesë e unionit.
Sipas Ramës, për t’u anëtarësuar në BE, Bullgaria do të Sulmonte Maqedoninë e Veriut, Serbia-Kosovën dhe anasjelltas, Bosnja veten dhe Greqia-Shqipërinë. Ai shtoi gjithashtu se procesi i negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE nuk bëhet për të bindur BE-në se Shqipëria është e mirë për ta, por për të transformuar vendin. “Më duhet të them që nuk jam aspak i paduruar, isha e paduruar përpara se të filloja negociatat, sepse kur na thoshin duam të martoheshim me ju, por nuk duam të flasim me ju. Tani që po flasim jemi mirë. Ne do të bëjmë punën tonë sepse në fund të fundit i gjithë procesi i negociatave të pranimit nuk është të bindim BE-në që ne jemi të mirë për ta, por të transformojmë vendet tona. Negociatat për mua janë transferimi i dijes për shtetformimin që ka krijuar njerëzimi”-tha Rama. Më pas Rama u tregua kritik për diskutimet se mund të anëtarësohet më parë Ukraina në BE sesa vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë më shumë se 17 vite që tentojnë afrimin.
“Duke iu kthyer dëshirën unë nuk dua të tingëlloj si i errët këtu, por po dëgjoja Dritanin nga vendi i qejfit dhe diellit që përmendi dicka, ka një qëndrim natyral, sepse BE është një princip i rëndësishëm dhe kjo është ajo që e ka krijuar atë si një projekt i paqes në bazë të vlerave që Ukraina duhet parë si një vend i mundshëm anëtar, por do të dëshiroja që kjo të mos jetë kërcënim për Ballkanin Perëndimor. Përndryshe kur Dritani po fliste, po thoja kush duhet të sulmojë kë në këtë panel, për të marrë më parë anëtarësimin se Ukraina. Bullgaria mund të sulmojë RMV, Kroacia Serbinë, Serbia Kosovën, Bosnja veten. Ne nëse pyesim grekët që të na bëjnë nderin, edhe ata do na sulmojnë ne me shumë kënaqësi, Mali i Zi mund të shullehet në diell dhe ne jemi gati për t’iu bashkuar trenit me Ukrainën. Prandaj këtë do ta përmblidhja në këtë formë. Duket paksa e errët, por pas kësaj historisë me avionin rus dhe duke e mbyllur me një notë pak më lartë, nuk e di nëse Rusia ka negociatën për të unifikuar orën, pasi ka 9 orë diferencë nga njëra zonë te tjetra. Putini tha: Mora Prigozhinin në familje për t’i thënë që avionic nuk po nisej ende”, është shprehur Rama. Ndasitë kanë qenë të mëdha edhe në raportin Bullgari-Maqedoni e Veriut. Bullgaria si vend anëtar I BE-së I ka vënë “veton” maqedonasve për të njohur me kushtetutë minoritetin bullgar si përkatësi shteformuese. Në rast se kjo nuk arrihet Bullgaria ka opërsëritur se vetoja e saj do jetë e pashmangshme. E njëjta situatë por në mënyrë më të butë është mes Greqisë dhe Shqipërisë. Muajt e fundit ka pasur një tension të shtuar politik pas arrestimit të Fredi Belerit në akuzën e “korrupsionit aktiv në blerjen e votave”. Pala greke ka kërkuar lirimin e tij dhe vijimin e punës si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës, ndërsa Rama ka theksuar se çështja nuk është politike, por mirëfilltas juridike dhe gjithçka është në duart e drejtësisë së pavarur nga ekzekutivi. Ministra dhe deputetë grekë kanë kërcënuar se do bëhen pengesë për Shqipërionë për anëtarësimin e saj në BE nëse nuk zgjidhet kjo çështje.
Propozohet që deri më 2030 BE-ja dhe shtetet kandidate të jenë gati për zgjerim
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, bëri thirrje që viti 2030 të caktohet si afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të jenë të gatshëm për zgjerim.
Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel përsëriti disa herë se tash e tutje vendeve kandidate duhet referuar si “vende të ardhshme anëtare të BE-së”. Në Forumin e Bledit në Slloveni po marrin pjesë liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe liderë të disa shteteve të BE-së. Michel tha se BE-ja duhet të përballet me dilemën se a do të jetë vetëm një union që merret me menaxhimin e krizave apo një aktore që vendos për të ardhmen. Ai pranoi se rruga e gjatë e shteteve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, që ka nisur para më shumë se 20 vjetësh, ka shkaktuar zhgënjim te shumë njerëz, si në rajon, ashtu edhe në bllokun evropian. “Pajtohem me kancelarin [e Gjermanisë, Olaf] Scholz kur thotë se BE-ja duhet të mbajë premtimet e veta”, shtoi Michel. Rruga e vendeve të Ballkanit P. drejt BE-së. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është premtuar perspektivë evropiane prej vitit 2003, në një samit në Selanik. Nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e rajonit është anëtarësuar në BE, në vitin 2013. Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 i kanë nisur edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim -Asociimi (MSA) me BE-në. Më 28 gusht, presidenti i Këshillit Evropian bëri thirrje edhe për caktimin e një agjende të qartë e me afate kohore. “Në kohën kur ne po përgatisim agjendën e ardhshme të BE-së, duhet të vendosim para vetes edhe caqe të qarta. Unë besoj se ne duhet të jemi gati, nga të dyja anët, që më 2030 të zgjerohemi. Kjo do të thotë se buxheti i ardhshëm shumëvjeçar duhet të përfshijë edhe këto qëllime tona. Kjo është shumë ambicioze, por e domosdoshme. Dëshmon se ne jemi serioz. Do të krijojë momentum”, tha ai. Krerët e Ballkanit Perëndimor dhe liderët e BE-së duke shikuar një performancë pas fotografisë familjare të bërë në samitin BE-Ballkani Perëndimor. Tiranë, 6 dhjetor 2022. Michel paralajmëroi se në samitin e ardhshëm të BE-së liderët do të diskutojnë edhe për procesin e zgjerimit. Por, nga temat në kuadër të zgjerimit, ai përmendi vetëm mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe kthimin e Bosnje e Hercegovinës në agjendë. Ai e pranoi se do të ishte ideale që të gjithë të hynin në BE në të njëjtën kohë, por theksoi se procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbesë i bazuar në meritat e vende që janë në proces. Në këtë kontekst ai përmendi edhe përshtatje e vendeve aspiruese me politikat e BE-së, përfshirë edhe në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe. “Zgjidhja e konflikteve dypalëshe nga e kaluara mund të jetë më e dhimbshme sesa reformat. Por, është e domosdoshme. Ju në këtë rrugë do të ndiqni rrugën e njëjtë sikurse edhe vendet themeluese të BE-së. Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, theksoi ai. Presidenti i Këshillit Evropian, duke përsëritur se duhet evituar që konfliktet mes vendeve të ndryshme të bartën në BE, e të cilat më pas mund të përdoren në të ardhmen për të bllokuar proceset e shteteve fqinje, kërkoi që edhe në traktatet e anëtarësimit të përfshihet “klauzola e besimit”. Kjo, sipas tij, do të siguronte që vendet të cilat hyjnë në BE që të mos kenë mundësi të bllokojnë vendet e ardhshme anëtare. Gjatë fjalimit në Forumi e Bledit përsëriti edhe idenë që shtetet kandidate gradualisht të përfshihen në disa politika të BE-së pa pasur nevojë që të presin anëtarësimin formal në bllok. Kjo, sipas tij, do të bëhej në ato fusha në të cilat vendi përkatës do të mbyllë kapitullin në negociatat e anëtarësimit. Në këtë drejtim ai përmendi disa fusha, sikurse atë të energjisë dhe transportit, që tha se do të ofronin mundësi që përfaqësuesit e shteteve kandidate të merrnin pjesë në takimet përkatëse të Këshillit të BE-së. Michel paralajmëroi se gjatë dhjetori do të thërrasë samitin e ri të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor. Ai shprehu mirëkuptim edhe për thirrjet e disa shteteve të BE-së, veçmas të kreut të Francës, Emmanuel Macron, që edhe BE-ja të bëhet gati të pranojë shtete të reja anëtare dhe për këtë çështje të ndërtojë kapacitete absorbuese. “Pajtohem tërësisht me presidentin Macron. Mosreformimi nga ana jonë para zgjerimit të ardhshëm do të ishte një gabim i madh. Të jemi të sinqertë, nganjëherë kemi shfrytëzuar mungesën e progresit nga vendet e ardhshme anëtare për të evituar mospërgatitjen nga ana jonë. Tani duhet seriozisht të shikojmë kapacitetet e BE-së për të absorbuar vendet tjera anëtare. Kjo ide nganjëherë është keqkuptuar si një pengesë e fshehur për zgjerim. Është e kundërta. Është e kuptueshme që për vendet anëtare ka vlerë t’i bashkohen një BE-je që është efikase“, tha ai. Sipas Michel, ndër argumentet se pse BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim në të ardhmen është se të gjitha shtetet kandidate kanë nivel të ulët të bruto prodhimit vendor krahasuar me atë të BE-së. Prandaj, anëtarët e rij do të përfitonin nga buxheti i përbashkët i bllokut evropian. Duke përmendur disa herë edhe agresionin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Michel tha se kjo luftë në themel e ka ndryshuar situatën globale të sigurisë dhe ka pasur ndikim të madh në të ardhmen e kontinentit. “Për të qenë më të fortë dhe më të sigurt ne duhet të forcojmë lidhjet tona dhe të bëhemi më të fuqishëm. Prandaj, tani është koha që të merremi me sfidat e zgjerimit, si për ne në BE, ashtu edhe për shtetet tona të ardhshme anëtare. Por, besoj se ne tani duhet t’i quajmë këto shtete me perspektivë evropiane si shtete të ardhshme anëtare”, tha ai. Forumi strategjik i Bledit mbledh çdo vit pjesëmarrës nga fusha të ndryshme, të cilët ndajnë pikëpamje dhe gjenerojnë ide për të adresuar sfidat e tanishme dhe sfidat e së ardhmes. Anëtarësimi i shteteve në BE është një proces kompleks dhe i gjatë. Për të mbërritur atje, duhen bërë disa hapa dhe kaluar disa faza, si: kërkesa për anëtarësim në BE, rekomandimi për statusin e kandidatit, statusi i kandidatit, nisja e negociatave për anëtarësim, përfundimi i negociatave dhe ratifikimi i traktatit të anëtarësimit.REL/kb