Interi ka vazhduar me fitore teksa ka mposhtur edhe Cagliarin me rezultat komod 0-2.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi është shprehur shumë i lumtur me tre pikët e fituara, teksa ka folur edhe për francezin Marcus Thuram që zhvilloi një ndeshje të mirë duke asistuar tek goli i parë.
“Thuram ishte shumë i mirë, mbërriti 40 ditë më parë dhe filloi të punojë shumë seriozisht që nga dita e parë. Ai është një lojtar që e kupton lojën, di kur të sulmojë thellësinë. Do të kisha dashur që ai të kishte shënuar, e meritoi për punën që bëri”, deklaroi Inzaghi.
Më tej, trajneri italian foli edhe për transferimin e Romelu Lukakut te Roma, duke thënë se verdhekuqtë kanë bërë një nënshkrim të shkëlqyer dhe se nuk është i zemëruar që belgu ka shkuar te Roma.
“Roma ka bërë një nënshkrim të shkëlqyer, ai është i mirë për futbollin italian dhe një lojtar i shkëlqyer që ne të gjithë e njohim. Përveç kësaj, unë jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam dhe shpresoj se ata mund të na japin kënaqësi të madhe. Nuk më zemëron transferimi i Lukakut te Roma, jam thjesht i lumtur që futbolli italian do të ketë një lojtar të madh”, u shpreh Inzaghi.