“Asambleja Konstituente shpalli Shqipëninë-Mbretni demokratike, parlamentare dhe të trashigueme”
Shqipëria Monarki: Data 1 shtator e vitit 1928 ka qenë një datë e rëndësishme për historinë e shtetit shqiptar. Në atë datë, Shqipëria shpallet monarki dhe Ahmet Zogu mbret.
Shpallja e Mbretërisë i transformoi institucionet në Shqipëri. Një ekspertizë juridike, diplomatike hartoi Statutin Themeltar, Kodin Civil, atë Tregtar, Penal, Procedura Civile dhe u bë e mundur një shkëputje nga ajo që kishte mbetur prej legjislacionit osman.
Tanimë orientimi i Shqipërisë do të ishte nga Perëndimi.
Berisha mbledh Grupin Parlamentar: Në të njëjtën datë, 95 vite më pas, Ish-Kryeministri Sali Berisha, do të mbledhë grupin e tij parlamentar në orën 10:00.
Në këtë mbledhje do të diskutohet rreth vendimmarrjeve dhe funksionimit të Grupit Parlamentar me fillimin e sesionit të ri në muajin shtator.
Thuhet se “Rithemelimi” mund të bashkohet me deputetët e Partisë së Lirisë për të pasur një grup të vetëm opozitar në Parlament. Një skenar tjetër është që “Rithemelimi” të jetë vetë një grup i veçuar parlamentar.
Shqipëria rimerr Presidencën e KS: Një tjetër ngjarje e rëndësishme që do t’i përkasë 23 shtatorit të vitit 2023, do të jetë marrja e Presidencës së Këshillit të Sigurisë nga Shqipëria për të dytën herë. Në një dalje për mediat, ministrja e Jashtme Olta Xhaçka u shpreh se marrja e Presidencës vjen në një moment të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash serioze.
Qershorin e vitit të kaluar, Shqipëria mori për herë të parë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Programi i punës së asaj presidence u konsiderua se ndërlidhi më së miri përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç ishte lufta në Ukrainë, çështje më e ngutshme e momentit.
Koha e Gjithësisë: Ka qenë Papa Françesku që i ka shtuar një vlerë tjetër datës 1 shtator. Më 6 gusht 2015, u themelua prej tij Dita Botërore e lutjes për Krijimin. Pra, 1 shtatori shënon fillimin e së ashtuquajturës “Kohë e Gjithësisë”, e cila vijon deri më 4 tetor. E gjatë kësaj periudhe të krishterët e gjithë botës bashkohen në lutje e në veprime konkrete, në mbrojtje të Tokës, në ndihmë të ambientit, i cili tashmë kërcënohet haptas nga njeriu, që duket sikur dëshiron ta cenojë besëlidhjen me Zotin, edhe në këtë fushë./E.T



