Java Kulturore Ndërkombëtare e Azerbajxhanit ka çelur siparin në Tiranë. Përmes një morie aktivitetesh artistike, mjaft koncerte, ekspozita, por edhe eksperienca kulinarie, kanë sjellë këto ditë kulturën azere në kryeqytet.
Gjatë një takimi me një delegacion të kryesuar nga zv/ministri i Kulturës së Azerbaixhanit, Farid Jafarov, që ka mbërritur në Tiranë për këtë qëllim, kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj tha se bashkëpunimi më i mirë mes vendeve është ai që bën bashkë njerëzit përmes artit kulturës dhe sportit.
Zv/ministri Jafarov, nga ana e tij, nënvizoi faktin se kulturat e dy vendeve tona kanë mjaft pikëtakime të përbashkëta.
“Megjithëse vendet janë mijëra kilometra larg, ne kemi shumë pika të përbashkëta kulturore dhe vlera që ndajmë bashkë, si toleranca dhe bashkëjetesa paqësore. Kjo nismë erdhi kur vitin e kaluar Kryeministri i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, Edi Rama, vizitoi Azerbajxhanin dhe u miratua nga Presidenti i Azerbajxhanit, Shkëlqesia e Tij, Ilham Aliyev.
Ne si Ministri dhe ju si kryetar Bashkie po bëjmë gjithçka që kjo Javë Kulturore të jetë e paharrueshme për të gjithë qytetarët e Tiranës dhe për të gjithë vizitorët e Tiranës.
Mendoj se ka shumë potencial për të bërë më shumë dhe ne do të shtjellojmë gjërat për t’i konkretizuar, se si të ecim përpara, sepse ka një vullnet dhe interes të madh nga Azerbajxhani për kulturën shqiptare dhe për kombin shqiptar,” u shpreh ai./ S.M