Ese nga Bujar Meholli
Në një tregim timin pata shkruar: Pse e keqja nuk shuhet fare, por ngarend dhe futet thellë e më thellë dejve të njeriut? Pse Zoti i plotfuqishëm sheh mbi tokë krijesat e tij dhe vazhdon ta durojë të keqen mes tyre?

A do të ketë një tjetër Bohdan Khmelnytsky, vallë? Po një tjetër Hitler, a thua do të ketë? Sa i ndërlikuar që është njeriu! O Perëndi! Në mes të kësaj që i themi jetë – diku është krijuar muzika impresioniste, shëlbesë, e Debussy-t, diku tjetër janë ndërmarrë pogrome për shfarosje. Të gjitha nga njerëzit! Si t’i biesh në të, kuptimit të kësaj bote?
Ky natyrisht është një problem shumë i vjetër me të cilin janë preokupuar shkrimtarët, artistët, më në zë të shekujve. Virtytet sociale, angazhimin, vetëdijen dhe përgjegjësinë morale e etike njeriu duhet ta ushtrojë si pjesëtar i shoqërisë; kjo është, si të thuash, maksima e punës artistike të Hivzi Sulejmanit dhe gjithë shkrimtarëve humanistë, idealistë, progresistë të shekullit XX.
Po ta krijojmë një paralele për ta parë krejt të zhveshur paradoksin human të shekullit të kaluar, do të merrnim këtë shembull: kur Karac, djali i vogël i solistit të Led Zeppelin, Robert Plant, ndërroi jetë nga një virus në bark, i ati i kushtoi një lirikë prekëse përcjellë me vokalin e ngrohtë dhe muzikën e përbotshme të grupit si tribut për një fëmijë që ende pa e nisur jetën iku drejt qiejve…
“Ashtu si shkëndijat e zjarrit tim ndrijnë në dritë, dashuria ime po më braktis, e po ndjek puplën nëpër erë, drejt atij ndriçimi që e mbulon manteli i kënaqësisë, e krijon thurimën e një filli që s’ka fund e cak… oh, gjithë dashurinë time ta jap ty, tani…” që shënjon njërën ndër përkushtimet më të ndjera nga një artist i famshëm i skenës së viteve ’70. Por kohë më parë kriza e humanizmit u përshkallëzua e shkoi aq larg, mbase më së largu në histori të njerëzimit, kur nazizmi i Hitlerit krijoi e mbrusi një polarizim të llahtarshëm duke nxitur urrejtjen e pashoqe të njeriut për njeriun përmes një propagande të fuqishme. Shembulli tjetër është Julius Streicher, anëtar i partisë naziste, themelues dhe botues i gazetës antisemite Der Stürmer e cila u shndërrua në mekanizëm propagandistik të nazizmit dhe botuesi i saj u bë multi-milioner në kurriz të një populli të përvuajtur duke rendur drejt një konspiracioni e besëtytnie që e sakatosi për fare njerëzimin, nxjerri nga krematoriumet afër 6 milionë shpirtra, mes tyre diku rreth 200.000 fëmijë.
Kjo gazetë fitimprurëse, numrat e së cilës arrinin tirazhe marramendëse, botonte materiale kontroverse, seksualisht eksplicite, propagandë dhe antisemitizëm radikal; hebrenjtë nëpër karikatura paraqiteshin si zvarranikë, me yllin e Davidit sipër, që po e ndotnin botën dhe si të tillë, ata, pjesëtarët e “racës çifute” ishin të destinuar të asgjësoheshin. Se njeriu është kafsha më e rrezikshme, më dëm sjellësja dhe shkatërrimtarja e rendit natyror, s’do mend. Njeriu mund të tejkalojë secilin kufi të mundshëm imagjinativ për ta prekur zenithin e së keqes ngase ana demoniake e tij është tepër e fortë dhe rezistente – luftën dhe fitoren ndaj saj nuk e siguruar as religjioni as bindja e patundur.
A thua pse? Sepse njeriu është besimtar dhe i devotshëm derisa t’i vijë rasti për ta treguar anën e tij demoniake? As arti dhe kultura s’kanë qenë ato që kanë arritur ndër shekuj ta zbusin zemrën e egër njerëzore dhe ta bëjnë të ndjejë për tjetrin. Rreziku më i madh padyshim vjen nga pushteti – njeriu i pushtetshëm kalon në një dimension tjetër, trandës, dehet nga forca dhe kontrolli i tij.
Elias Canetti në esenë “Pushteti dhe mbijetesa” merr shembullin e njeriut të gjallë dhe atij që ka vdekur. I pari ka pushtet, është ende gjallë, i dyti e ka mbyllur siparin. “Tmerri që shkakton i vdekuri, ashtu shtrirë, përballë dikujt që e sodit, zëvendësohet nga një ndjesi kënaqësie: soditësi nuk është vetë i vdekur. Kjo është pikërisht ndjesia që përfton shumë shpejt epërsi; terrori i fillimit shndërrohet tani në kënaqësi.
Ai që rri në këmbë dje që ka mundësi të bëjë gjithçka, s’ka qenë kurrë më i vetëdijshëm se po qëndron mbi këmbët e veta: kurrë s’e ka ndier veten më mirë se tani në pozicionin vertikal.” (Elias Canetti, Pushteti dhe mbijetesa, përkthyer nga Naim Kryeziu)
Pabarazitë sipas Jean-Jacques Rousseau-it ndahen në dy lloje: natyrore/fizike që e determinojnë forcat mbinjerëzore dhe morale/politike; lloji i dytë i pabarazisë është pikërisht problemi më krucial i gjithë gjinisë njerëzore; aty, shprehet Rousseau “paraqiten prioritete të ndryshme të cilat i gëzojnë disa në dëm të të tjerëve, dikush është më i fortë, i pasur, gëzon respekt më të madh, madje detyron të tjerët të nënshtrohen”.
(Rousseau, Mbi prejardhjen dhe bazat e pabarazisë midis njerëzve). Pabarazitë e kanë zanafillën të mungesa e dashurisë, gjegjësisht e respektit, rendja e verbër pas ambicieve të sëmura që e qet në pah ana demoniake njerëzore të cilën s’e maskon dot askush – egoizmi i pafre çon drejt papërgjegjësisë dhe dergjjes së ndjenjave.
Erich Fromm-i përgjegjësinë dhe dashurinë i sheh si pjesë përbërëse të respektit, i cili s’ka të bëjë as me frikë as me adhurim. “Respekti ka kuptim të jesh i vëmendshëm, të vrojtosh, e rrjedhimisht ka kuptimin e aftësisë për ta parë njeriun ashtu siç është, ta kuptosh e perceptosh individualitetin e tij.
Ta respektosh njeriun do të thotë të jesh i interesuar që ai të zhvillohet sipas rrugës së tij individuale. Unë dëshiroj që njeriu i dashur të zhvillohet për veten e tij sipas mënyrës së tij e jo që të më shërbejë mua.” (Erich Fromm, Arti i të dashuruarit, përkthyer nga Vullnet Muço) Pikëpamjet e Fromm-it kanë rëndësi jetike edhe në shekullin e ri, të 21-të, kur njerëzimi po përballet, përgjithësisht, me krizën e re humanitare dhe me shkarje të shumta demokratike.
Me dashtë padyshim do të thotë të japësh nga vetja, jo të presësh për të marrë ngase dashuria nënkupton përgjegjësi, punë dhe përkushtim, assesi parazitizëm. Kur një nxënës thotë se e do shkollën s’mund t’i besojmë nëse ai nuk e merr seriozisht procesin e mësimit, nëse s’vjen çdoherë i përkushtuar e me fokus të qartë për mësimin dhe ngritjen profesionale – pra, siç na mëson Fromm-i, me dashuri duhet të nënkuptojmë veprimtari të shpirtit e cila ta ketë lirinë dhe pavarësinë e brendshme por jo rendjen drejt kënaqësive vetjake, egoizmit.
Max Weber-i do të shprehej: “Ideja e detyrimit që ka njeriu kundrejt pasurisë së besuar atij, të cilës i nënshtrohet si administrator ndihmues apo hapur si “makinë që sjell fitim”, rëndon me peshën e saj rrëqethëse në jetën e tij. Sa më e madhe të bëhet pasuria aq më e rëndë bëhet – nëse qëndrimi asketik ndaj jetës e kalon provën – ndjenja e përgjegjësisë për ta ruajtur për lavdinë e Zotit të pa zvogëluar dhe për ta shtuar nëpërmjet punës së palodhur.” (Max Weber, Etika protestante dhe shpirti i kapitalizmit, përkthyer nga Gaqo Karakashi)
Në letërsinë shqiptare shembulli më i mirë që mund të marrim për temën e trajtuar, pabarazinë dhe shfrytëzimin e tjetrit, është Migjeni, pikëpamjet e së cilit priren drejt një socializmi humanist ku njeriu është epiqendra; njeriu, i bërë nga mishi e gjaku, që para së gjithash ka nevojë për ushqim, një çati dhe ngrohtësi të cilat ia mohonin hierarkitë feudalo-borgjeze të cilat veç sa e shtrinin itinerarin e pasurive marramendëse, të tipit të Shefqet Vërlacit, mbi kurrizin e popullit të përvuajtur.
Për të krijuar njeriun koherent duhet punuar në forcimin e parimeve universale me të cilat gjallon gjinia njerëzore, shpëtimi është veç te kultura, ndërgjegjësimi i shpirtit përmes pranimit të tjetrit. Natyrisht një mision tejet të rëndësishëm shoqëror e kanë intelektualët. Por ata assesi s’duhet rrëshqasin në batakun e polarizimit dhe apatisë. Foucault shkruan: “Intelektualëve tashmë u është bërë zakon të mos punojnë më me universalen, me shembulloren, me të drejtën e me të vërtetën për të gjithë, por të punojnë në sektorë të përcaktuar, në pika precize që ua diktojnë qoftë kushtet e tyre të punës, qoftë kushtet e tyre të jetës (strehimi, spitali, azili, laboratori, universiteti, raportet familjare apo ato seksuale).
Kanë fituar kështu një ndërgjegje shumë më konkrete, diktuar prej betejave imediate. Dhe aty kanë gjetur probleme që ishin specifike, jo universale, shpesh shumë të ndryshëm nga ato të proletariatit apo të masave. E megjithatë, ata janë afruar me proletariatin, besoj për dy arsye: për shkak se bëhej fjalë për beteja reale, materiale, të përditshme, e për shkak se shpesh përballeshin, në forma të tjera ama, me të njëjtin kundërshtar që përballet proletariati, fshatarësia apo masat (kompanitë shumëkombëshe, aparati gjyqësor e policor, spekullantët e pronave të patundshme etj.); e këtë lloj intelektuali unë dua ta quaj intelektual specifik, për dallim nga intelektuali universal.” (Michel Foucault: Intelektuali specifik, përkthyer nga Arbër Zaimi)
Shkrimtari dhe eseisti austriak Karl-Markus Gauß në njërën nga esetë e tij me titull “Dy Europa” bën një analizë të hollë për ndarjen mes dy Europave, asaj “kristiane, klasike, e kamur” siç i referohet dhe asaj që “nuk pranohet brenda mureve europiane dhe detyrohet të jetojë antemural – përtej mureve”, pra, pjesa tjetër e Evropës ku bëjnë pjesë popujt e Lindjes dhe Juglindjes.
“Ndërtesa impozante e qytetërimit europian shtrihet mbi kockat e popujve të panumërt, të shtypur, europianë; nuk duhet harruar se ekzistojnë dy Europa. Krahas Europës klasike, perëndimore, muzeale, madhështore, historiko-patetike merr frymë edhe një Europë e dytë, modeste, e rrasur në një qoshe periferike prej shekujsh, Europa e popujve të Lindjes dhe Juglindjes”, shkruan ai duke vazhduar: “Këta janë popujt e Baltikut, e zonës së Danubit dhe të Karpateve, të popujve ballkanikë. Po! Ekzistojnë dy Europa në një kontinent dhe, teksa kufinjtë e Europës sonë po kthehen në një fortesë, pjesa tjetër kërkon me shpërthye.”
Kah fundi i eseut, me tone më të ashpra, autori e quan Europën mashtruese që mëton të jetë sinonim i demokracisë dhe tolerancës. “Europa mashtron duke u bërë sinonim i demokracisë, tolerancës e dinjitetit njerëzor – thua se kanë qenë indianët ata që u sulën të vrasin e presin popujt, thua se kanë qenë aziatikët ata që e shpikën kolonializmin apo afrikanët ata që e vunë në jetë diskriminimin racist-fashist.
Asht e çuditshme, bile misterioze, ajo që ngjet sot në Europë, ku fenomene të kundërta shfaqen në të njajtën kohë; Europa rritet dhe tkurret njikohsisht, zgjerohet tue marrë përmasa t’pamatshme dhe, njikohsisht, zvogëlohet gjithnji e ma tepër.
Zona, të cilat qysh se s’mbahet në mend jetonin qetësisht dhe monotonisht të veçueme, sot janë ba pjesë e qendrës, janë përfshi në vorbullën e modernizimit dhe janë lidhë me metropolet. Përkundrazi, popuj të tanë, banorë të stërlashtë të Europës, në të njajtin moment historik përjashtohen prej kontinentit të tyne, etiketohen me mungesën e pjekunisë europiane dhe degdisen në nji barbari të pandryshueshme jashtëeuropiane. Çfarë po ndodh?
Enciklopediku europian gjenial nga Kroacia, Mirsolav Krleža, i rritun në Agramin austriak, në Zagrebin kroat, konstatonte tue vëzhgue Europën nga njena prej periferive përvëluse të monarkisë së Danubit: “Ndërtesa impozante e qytetënimit europian shtrihet mbi kockat e popujve të panumërt, të shtypun, europianë…” (Karl-Markus Gauß, Dy Europa, përkthyer nga G. Bakalli) Njeriu duhet të investojë veçse njeriun te tjetri, për ta shfrytëzuar fuqinë imanente të universales, të botës së drejtë dhe humane ku secili pranohet hapur, pa paragjykime, ku sundon meritokracia, bëhet hapja ndaj kulturës së tjetrit duke respektuar qenësinë e tij, duke ushqyer ndjenjat më të holla e të sinqerta njerëzore si dhe duke krijuar një tërësi të harmonishme ashtu si krijimet e përbotshme të muziktarëve të mëdhenj.