Era Simoni, deri në atë çast që do ta gjente shkrimtarin Ted B të vdekur në vilën e tij në periferi, ishte vetëm inspektorja bionde e policisë. Ajo heton në detaje ngjarjen për të zbardhur shkakun e vdekjes, e cila jo vetëm do të ndryshojë opinionet rreth saj, por do të zbulojë edhe një histori të gjatë korrupsioni, mashtrimi e vrasjeje, që përfshin njerëz nga bota e biznesit, politikës, gjyqësorit… TED B ka lënë pas një seri tregimesh, që, të ndërthurrura me emrat e paktë që gjenden në celularin e tij, krijojnë një subjekt triller të romanit, që të rrëmben deri në faqen e fundit…
Kjo është një pasqyrë e shkurtër e romanit më të ri të shkrimtarit Leonard Veizi, e cila gjendet në pjesën e pasme të kopertinës së librit të sapobotuar.

Leonard Veizi vjen në tregun e librit shqip pas një mungese pesëvjeçare, si kishte botuar romanin e tij të fundit “Rrënimi” nga shtëpia botuese “Buzuku” në Prishtinë. Këtë herë, në bashkëpunimi me “Botimet M&B” ai ai ka nxjerrë në dritë romanin “Ted B”, një triller sa policor asq edhe psikologjik.
Veç surprizës që përgjithësisht jemi mësuar ta marrin në faqet e fundit të librave të tij, çfarë tjetër trajtohet në vëllimin prej 248 faqe të Leonard Veizit?
Ted Bramo është një shkrimtar i cili gjendet i vetëvrare në vaskën e vilës së tij në periferi të Tiranës. Policia nis hetimet në një kohë të ngushtë pasi në lojë futet dhe Prokuroria. Për rastësi, si nga policia edhe nga prokuroria hetimet i ndjekin dy femra. Rivaliteti mes tyre është i dukshëm. Inspektoria e policisë Era Simoni, – e cila e ka çështjen e parë të saj, – për kohën që ka në dispozicion arrin të grumbullojë fakte të cilat dëshmojnë se shkrimtari nuk ka vrarë veten por e kanë vrarë. E gjithë veprimtaria e tij është një mister ku fshihen edhe biznese të cilat e kanë ngritur dhe rrënuar si njeri. Shkrimtari, i cili ishte dhe në një proces divorci me bashkëshorten, – ka lënë dorëshkrimin e tij të fundit gati për botim, i cili është një vëllim me 10 tregime. Inspektoria e policisë, e cila herë pas here lexon faqe nga dorëshkrimi, dyshon se tregimet e Ted Bramos janë kodifikuar dhe pas tyre fshihen fragmente të jetës së shkrimtarit. Për çudi, në pjesën më të madhe të tregimeve Ted Bramo përdor për personazhet emrin e tij.
Pjesë e romanit janë dhe avokati dhe prokurori i çështjes, të cilët duke luajtur një lojë shahu, nisin e zbulojnë pak nga pak problematikat e vetë sistemit të drejtësisë.
Po kush e ka vrarë Ted Bramon?
Policia i paraqet prokurorisë një të dyshuar, që e pranon fajin. Por akti i ekspertizës i një autopsie në morg flet për të kundërtën. Gjithçka mbetet në udhëkryq.
Romani “Ted B” është një triller psikologjik. Ai përbëhet nga 12 kapituj. Në faqet e tij lëvizin rreth 37 personazhe nga të cilët 12 janë parësorë, 10 peronazhe të dytë dhe pjesa tjetër janë personazhe në hije.
Për më tej romani duhet lexuar për të ndjekur me një përfytyrim vetjak të asaj që shkruan Veizi.
***
Leonard Veizi u lind në 29 gusht 1968 në Tiranë. Ka punuar si gazetar në mediat e shkruara dhe elektronike që nga viti 1991. Krijimtaria e tij është mjaft e vlerësuar nga kritika. “Ted B” është botimi i tij i dymbëdhjetë.
BOTIME TË AUTORIT:
*Grahma e shpirtit të mjegullt – novela, 1997
*Ngrehina e përhumbjes – tregime, 1998
*Treni i fundit i metrosë – tregime, 2005
*I dënuar me vdekjen – tregime, 2006
*Surpriza e natës së fundit – roman, 2008
*Rrëfimi – roman, 2009
*I çmenduri i pavijonit 3 – roman, 2012
*Orgji në famullinë e at Ludovikut – roman, 2013
*Lora – roman, 2015
*Rrënimi – roman, 2018
*Depresioni Blu – publicistikë, 2020
*Ted B – roman – 2023