Në pamje të parë duket sikur Fedez dhe Chiara Ferragni kanë gjithçka për të qenë të lumtur: një familje të bukur e të shëndetshme, famë, pushtet dhe një perandori ekonomike krijuar nga të ardhurat në muzikë dhe modë, por ja që nuk është kështu, sepse problemet shëndetësore vijojnë të trazojnë herë pas here lumturinë e tyre. Një vit më parë, Fedez do të pranonte publikisht se vuante nga një tumor i rrallë neuro-endokrin i pankreasit. Si rrjedhojë artisti iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirugjikale në spitalin “San Raffaele” të Milanos, mirëpo duket se sfidat me shëndetin nuk kanë mbaruar ende për të.
Prej disa ditësh në rrjet po diskutohej që Chiara Ferragni u largua me urgjencë nga “Paris Fashion Week” për shkak të shëndetit të Fedez dhe me sa duket është e vërtetë. Fedez ka bërë një postim në Instagram ku tregon së eshtë shtruar në spital pasi ka patur hemorragji të brendshme.
“Ju falënderoj për të gjitha mesazhet që po më dërgoni sepse mbështetja është gjithmonë e nevojshme në këto momente. Aktualisht jam i shtruar në spital për shkak të dy ulcerave që më shkaktuan hemorragji të brendshme. Falë dy transfuzioneve të gjakut tani jam shumë më mirë. Falënderoj stafin mjekësor që më shpëtuan jetën”, – shkruajti artisti./E.Ç