Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njëherësh zëvendës kryeministre, theksoi se 2024-ta do të jetë viti i certifikimit të Shqipërisë si një vend turistik. Gjatë fjalës në konferencën kushtuar bilancit të sezonit veror, Balluku përmendi rrugën e re Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi.
Ministrja theksoi gjithashtu nevojën edhe në disa akse të tjera, si ai i Ksamilit, vend i cili u kthye në të preferuarin e shumë turistëve të huaj.
“2024 do të jetë viti i certifikimit. Ky ishte viti i provës gjenerale. A vallë ia dalim? A jemi ne ata që ofrojmë shërbimin e duhur. A ka rrugë mjaftueshëm, a ka porte dhe aeroporte, energji elektrike për çdo hotel. Kjo ishte prova gjenerale që kaluam me sukses. 2024 do të jetë viti i certifikimit të Shqipërisë si një vend turistik. Nëse do të jemi Maldivet apo jo, kjo ka pak rëndësi. Ne jemi vendi më i bukur i Ballkanit dhe kjo nuk ka dyshim. Gjatë këtij sezoni, ARRSH, ministria e Infrastrukturës ka hapur dy nga akset më të rëndësishme të bregdetit, Orikum-Dukat dhe Palasë-Dhërmi. Në 2024, do të inaugurojmë një portë të re të infrastrukturës, tunelin e Llogarasë sipas kritereve evropiane, i cili do të jetë i aksesueshëm në muajin qershor.
Ne kemi nisur një punë që është e domosdoshme, dhe bëhet fjalë për Korridorin Blu, që do t’i jepte një frymëmarrje të jashtëzakonshme të gjithë aksit të Ultësirës Perëndimore por edhe aksit Perëndimor të veriut, i cili nuk duhet të mohojmë se ka një trafik të ngarkuar. Kemi planifikuar për vitin e ardhshëm disa ndërhyrje të rëndësishme që u identifikuan si të nevojshme gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për disa akse kryesore si i Ksamilit, që e konsideronim si një aks lokal por meqenëse Ksamili u bë maskoti i Shqipërisë për këtë vit padyshim kërkon një vëmendje tjetër dhe ministria e Infrastrukturës do të ndërhyjë në atë aks. Do të kemi në Levan-Gjirokastër, Elbasan-Lekaj si dhe padyshim në akse të tjera që do të identifikohen gjatë kësaj analize në mbyllje të sezonit.“, tha Balluku./I.S