Një vit më parë përplasjet mes Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit ishin aq të mëdha sa të gjithë ishin gati të përbetoheshin se këta dy individë që vinin nga e njëjta parti nuk mund të bëheshin kurrë bashkë në ide. E kundërta ka ndodhur në javët e fundit ku Berisha dhe Bardhi janë bashkuar në qënrime dhe vijojnë sulmet ndaj Bashës me të njëtin verb politik.
Ende nuk kuptohet marrëdhënia mes Sali Berishës dhe Gazemnd Bardhit. Në dukje ata duket sikur janë bërë bashkë duke sfumuar dhe atakuar më së shumti Lulzim Bashën për përdorimin e Partisë Demokratike në favorin e tij personal. Bardhi, dikur krahu i djathtë i Lulzim Bashës, sot po vepron në sinkron me Sali Berishën. Lufta e Bardhit dhe Bashës nuk kanë qenë vetëm verbale. Në pak ditë, Gazmend Bardhi mori një përjashtim të dyfishtë, jo vetëm nga seanca e posaçme e 12 tetorit, por edhe nga Partia Demokratike si anëtar i saj. Nëse për të parën e konsideroi si porosi të Edi Ramës, të dytën Bardhi e quan absurditet të 15 vetave që pretendojnë se janë kryesia e Partisë Demokratike. Bardhi nuk mund t’iu shpëtonte pyetjeve për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike, me vendim të Kryesisë një ditë më parë. Sipas Bardhit, Basha gjithçka e bëri për të hequr vëmendjen nga dy katet e kullës që ka përfituar te ‘Lion Residence’. “Tashmë është kthyer në traditë që sa herë Rama vjen në parlament, përjashtohen një pjesë e deputetëve të opozitës. Merreni me të qeshur, aktet joserioze të kolegut Basha. Besoj se ju jeni habitur si unë kur u përjashtuan me një të rënë të lapsit 50 mijë anëtarë që janë shumica. I përjashtoi se shpallën të padëshiruar Bashën. Akt më të rëndë se ky nuk ka”, u shpreh Bardhi. “Merreni pak më me të qeshur aktet jo serioze të kolegut Lulzim Basha. Do të zhvendosë vëmendjen e kam thënë dhe dje. Nëse ky vendim e ndihmon që dy katet e kullës ti mbajë në xhep të marrë vendime të tilla çdo ditë”, tha Bardhi. Vetë, Bardhi s’do të jetë i pranishëm ditën e enjte kur do të mbahet seanca e posaçme për votimin e rezolutës për Kosovën, pasi bashkë me 7 deputetë të tjerë u përjashtua për 10 ditë nga punimet e Kuvendit. Bardhi akuzon Ramën se po përpiqet t’i shmanget një përpalljeje me opozitën, prandaj i përjashtuan. Për Berishën gjithçka është bërë me urdhër të Edi Ramës, i cili sipas tij po bën çmos që të shypë të drejtat e opozitës.
Rezoluta për Kosovën
Deputetët e Gazment Bardhit dhe Sali Berishës nuk e kanë gjetur dakordësinë me Partinë Socialiste për të dalë me një rezolutë të përbashkët për të dënuar sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku. Pas një takimi mes Bardhit dhe Berishës, ata thanë për mediat se nuk kanë rënë dakord me PS, pasi kjo e fundit s’ka pranuar që të bëjë përgjegjëse Serbinë për sulmin në veri. “Nuk ka dakordësi për të dalë me një rezolutë të përbashkët. PS nuk mbështet rezolutën e parlamentit të Kosovës dhe nuk pranon të identifikojë përgjegjësit realë të situatës së krijuar më 24 shtator”, tha Bardhi. Berisha thotë se do të kërkojnë që të votohet rezoluta e tyre. Ndërsa, grupi i Bashës kishte kërkuar interpelancë me Ramën, por ende nuk është dhënë një vendim nga Kuvendi mbi këtë kërkesë. “Deri tani të dhënat janë se mazhoranca nuk pajtohet me problemin se duhet dënuar Serbia për atë që ndodhi në Kosovë, por nëse kjo klauzolë nuk pranohet, ai ky parlament mund të quhet parlamenti i Bjellorusisë, apo një republike vasale të Rusisë”, tha Berisha.
Reagimi i Bejkos
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale pas takimit të Gazment Bardhit me Sali Berishën. Ai shprehet se “aleanca e kullave dhe non grata nuk fshihet dot pas llumit dhe shpifjeve”. “Aleanca e kullave dhe non grata nuk fshihet dot pas llumit dhe shpifjeve. Halli i madh i ka bërë të lëpijnë atë çfarë kanë pështyrë deri më sot, por ky nuk është halli i demokratëve dhe as i shqiptarëve. 14 maji dhe zgjedhjet e fundit në Kukës treguan se kush i shërben Edi Ramës, kush i garantoi fitore Edi Ramës, madje një fitore të tillë që as vetë s’e kishte imagjinuar. Por tashmë është fakt, se sa më shumë e shajnë dhe sulmojnë PD-në, aq më shumë përfitime, leje për pallate e resorte, prona e shpërblime të tjera me oligarkët e përbashkët marrin nga Rama. Shqiptarët tani e kanë të qartë, aleancës së kullave u ka dalë boja. Është nder për këtë vend të jesh në luftë me aleancën e korrupsionit madhor”, shkruan ai./kb