Nga Entela Sula Prifti
Izrael/Palestine
“You would need a scarf now to cover your shoulders. We will be in a Muslim area very soon” (Do tju nevojitet një shall tashmë për të mbuluar krahët. Shumë shpejt do të hyjmë në një zonë myslimane). Kështu m’u drejtua një zonje angleze (e cila gjykoi se veshja ime me mëngë të shkurtra ishte jo e përshtatshme për traditat e vendit që do të vizitonim), ndërsa niseshim për në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, në rrugen “Via Dolorasa” ku 2005 vjet më parë Krishti u tërhoq zvarrë dhe u kryqëzua. ….The holy land (tokën e shenjtë), e njihja vetëm nëpërmjet biblës, të cilën kam nisur ta lexoj pas viteve 90’. Për “Tokën e Shenjtë” mësova akoma më shumë pasi fillova të kuptoj fjalën konflikt dhe më pas konflikt në Lindjen e Mesme… Një mur i lartë e i gjatë ta bën menjëherë të qartë vendin ku ndahen Izraeli dhe Palestina ndërsa në qiell fluturojnë herë pas here avionë ushtarakë. Patrulla izraelite prej katër ushtarësh, (rreth të njëzetave) bëri kontrollin e pasaportave pak përpara se të shkelnim Betlehemin. Shtetasit e huaj me emra myslimanë u morën në pyetje. Liliana, ciceronia izraelite që na shoqëroi përgjatë gjithë qëndrimit në Izrael, zbriti në kufi. Kërkoi prej nesh të respektonim zakonet myslimane, madje të fshihnim çdo simbol që përfaqësonte Izraelin. Unë, më e reja e grupit, u sigurova të mbuloja krahët, ndërsa në respekt të fesë myslimane vura në kokë edhe një shami. Sapo kalojmë në anën tjetër të murit vendasit na ftojnë mirëseardhjen. Jo hebraisht por arabisht. Ndryshimi mes dy popujve që jetojnë në të njëjtin territor binte menjëherë në sy. Kamja nga njëra anë e murit dhe skamja nga ana tjetër ishin drithëruese. Edhe pse në udhëtimin tonë na shoqëronin vendasit, ndjeja frikën se nga momenti në moment përpara meje do të shfaqej dikush që brenda pak sekondash do të na hidhte në erë, duke na shndëruarr në trupa të kabonizuar. Shumë më vonë kuptova se media dhe pasqyrimi dramatik i luftes kishin bërë punën e vet edhe tek unë. Teksa hyja në qytetin e Betlehemit fillova të kërkoja me sy ndonjë “butik” por në më të shumtën e rasteve ndesha dyqane artizanale. Përballë dhe krah meje ecnin vajza të reja prej të cilave veshja ime e përshtatur nuk ndyshonte shumë nga e tyrja. Gratë pa dallim moshe në Palestinë ishin të veshura me fustanellën e gjatë dhe shaminë e kokës. Gra të tilla pashë edhe në qytetin e e vjetër të Jeruzalemit, ku pjesa më e madhe banohej nga palestinezë dhe në çdo cep të tregut industrial të qytetit valëviteshin ngjyra-ngjyra shalle dhe shami koke. Por perveç besimit shumë të fortë në Allah, gratë myslimane të Jeruzalemit nuk kishin tjetër gjë të ngjashme. Pjesa më e madhe e tyre punonin, ngisnin makinat, bënin makiazh etj. Kurse gratë myslimane të Betlehemit ishin shumë më të ndrojtura. Shumë prej tyre ishin shtëpiake. Kjo jo vetëm për shkak te ekonomisë mjaft të dobët, por edhe se ekzistonte bindja absolute e forcuar nga besimi se detyra dhe qëllimi i jetës së tyre ishte dedikimi ndaj familjes. Pasi përshkuam disa kilometra të qytetit, në të djathtë të rrugës kryesore, pashë me qindra vajza të vogla të një shkolle, pamja e të cilave nuk ndryshonte aspak nga nënat e tyre. Shamitë e kokës vendoseshin kudo në rrugë në festa në xhami madje edhe në shkolla. Me shpjeguan se vajza myslimane e vendos shaminë që në moshën e Pubertetit dhe kjo shami do ta shoqërojë atë gjatë gjithë jetës së saj. Shumë të reja myslimane në Palestinë nuk i njihnin baret dhe lokalet, ndërkohë që pjesa më e madhe e të rinjve, përfshirë dhe meshkujt nuk kishin shkelur asnjeherë në tokën izraelite…. Si kujtim prej Palestinës mora një pllakë ku në arabisht shkruhej emri i një shkolle që ndihmonte femijët në nevojë. Nuk qe i lehtë kthimi në Izrael pasi kisha prekur nga afër një pjesë të kulturës dhe jetës palestineze. Në kthim, gratë me shami në koke dhe fustanellat e gjata dalëngadalë po merrnin një tjetër pamje. Ne pikën e kontrollit të pasaportave djemtë ushtarë izraelit ishin zëvendësuar me vajza. Shumë prej tyre ishin më të shkurtra se arma që mbanin në krah, por uniforma e ushtarakut i jepnin fyrtyrave të vogla një autoritet të padiskutueshëm. Teksa i drejtoheshim qendrës së Jeruzalemit numri i vajzave me uniformë jeshile bëhej më i madh. Ciceronia jonë, Liliana, me të cilën ishim ndarë në kufi, na priste në të hyrë të tempullit. Sapo e pashë më lindi dëshira për t’i bërë qindra pyetje ndërsa ushtaret e reja na kontrolluan sërish përpara se ne të hynim në tempullin e madh. Nuk arrij të besoj që shteti Izraelit mund të mbronte territoret e veta, në gjendje lufte me këto vajza që dukeshin në pamje të pare si “cupelina”. Aq më i dobët të bëhej besimi kur i shihje të strukeshin nga të ftohtit teksa kryenin shërbimin në muret e tempullit. “Shumë prej tyre sot mbajnë pantallona, por në kohen time vajzat patrullonin vetem me fund”- më tregon ne italisht Liliana, e cila fliste shtatë gjuhë të huaja. Për tu bindur akoma më shumë se vajzat me pushkë ishin të vërteta, bëra me to disa foto, madje u kërkova teëmbaja në krahë edhe armën e rëndë. Prej tyre mësova se shërbimi ushtarak për vajza ishte i detyrueshëm. Vajzat izraelite pasi përfundonin shkollën e mesme, me ligj kryenin shërbimin ushtarak për dy vjet dhe më pas ato ishin të lira për të vazhduar një fakultet. Ato duhet të kryenin ushtrine dhe vetëm pas kësaj mund të krijonin një familje. Ndërsa bisedoja me “ushtaret e vogla”, mendja më shkoi në Tiranë. Fillova të imagjinoja vajzat trendy të bllokut, të veshura me uniformën ushtarake, por më kapi paniku… E vetmja gjë që mund t’i afronte disi me vajzat tona të Bllokut ishin ato pak sekonda kur me radio në dorë dhe pushkë në krah, disa syresh e ndërprisnin paksa shërbimin për të shkëmbyer ndonjë puthje të shpejtë me disa djem të gjatë dhe të veshur njësoj si ato. Shumë njerëz ishin mbledhur në tempull së bashku me ta edhe ne për të prekur murin e shenjtë dhe për tu lutur përpara shenjtorëve, qindra të tjerë përgatiteshin për një ceremoni ku ushtria do të kryente një parakalim. Që në hyrje të tempullit, ne vajzat na ndan vec nga djemtë. Përpara tempullit duhet të luteshim veç e veç. Por edhe ushtarët patrullonin po në kete mënyrë. Në njërin krah femrat dhe në tjetrin meshkujt. Liliana me shpjegoi se kjo gjë nuk i dërgonte burrat në mekat. Të vetëm ata përqëndroheshin më tepër në mbrojtjen e vendit, ndërsa besimtaret luteshin më gjatë. Në respekt të besimit, gratë izraelite ishin të veshura me një fund të gjatë deri në fund të këmbëve por edhe krahet i kishin të mbuluara. Vendtakimin me burrat e grupit e lamë përpara derës kryesore të tempullit ndërsa veç e veç shkuam të preknim murin e shenjtë. Pasi vizituam varrin e mbretit David, disa kisha ortodokse e armene, si dhe vendin ku Pjetri e mohoi Jezusin tre herë, arritëm në sheshin ku krishti u gozhdua. Besimtare nga e gjithë bota ishin mbledhur në shesh dhe kryenin ritin e njohur. Ata mbanin ne sup një kryq të madh dhe të ndjekur nga qindra njerez i bin rreth e rrotull vendit të shenjtë. Ndërsa dëgjoja këngën e prifterinjve dhe këmbanat që binin me një tingull të cilin se kisha dëgjuar kurrë më parë fillova të lutesha: “At, faleminderit që jetoj në paqe”…
Shënim: Ky shkrim është botuar në vitin 2005, dhe vijon të jetë aktual për atë që ka ndodhur dhe po ndodh mes Izraelit dhe Palestines.