Në Parlament dje pati gjithçka. Debate, kundërshti, akuza të forta mes liderëve politik por në fund, me hir apo pahir të gjithë tentuan të dukeshin “Patriotë në një ditë”, kur me 101 vota Parlamenti miratoi rezolutën e përbashkët në mbrojtje të Kosovës dhe dënimit të agresionit serb që ndodhi më 24 shtator. Çfarë ndodhi në Parlament dhe fjalimet e Ramës dhe Berishës që nuk o shpëtuan “politikës ditore”.
Kuvendi miratoi me 101 vota pro në seancën e djeshme rezolutën e përbashkët në mbështetje të Kosovës. Deputetët e mazhorancës dhe opozitës bashkuan votat dhe për herë të parë pas shtatë vitesh bashkohen për një çështje të madhe. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pozicioni “i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës” në sytë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian po ia bëjnë të vështirë vendit të tij përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës. Duke folur gjatë seancës të Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratua rezoluta për Kosovën, Rama tha se “viktimizimi diplomatik i Serbisë falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut”, po ashtu po ndikon në përpjekjet e Shqipërisë. Rama i bëri thirrje Kosovës të mos e humbasë “shansin historik” për t’u ulur në tavolinën e negociatave me planin franko-gjerman, si dhe ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tij, është kthyer në “litar që po ia shtrëngon këmbët Kosovës.” Kryeministri shqiptar tha se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë dhe për detyrë ta miratojë rezolutë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup serbësh të armatosur, ndërsa Shqipërisë i takon ta mbështesë atë rezolutë. Ai tha se nuk lëkundet nga qëndrimi i tij se KFOR-i duhet të marrë nën kontroll veriun duke theksuar se “është prezent rreziku i përshkallëzimit me armë të konfliktit në veri, edhe përmes ndikimit rus”. “Një turravrap lukunie e etur për sherr, hipokrizi pseudopatrioke. Furia mori kot kur përsërita qëndrimin e njohur. E kam thënë në samitin e NATO-s mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFORI, fokusimi te suksesi i planit franko-gjerman dhe dhënies drejtim të asociacionit me shumicë serbe se është një nyje që nuk duhet mbajtur si litar në këmbë, që e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe largon objektivin për t’u bërë pjesë e OKB-së, NATO-s, BE-së. Ajo nyje duhet këputur një orë e më parë nuk duhet shkencë, por vetëm logjikë, për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në litar, i cili për mendtë e kokës do të vazhdojë të shtrëngojë këmbët e Republikës së Kosovës. Të mos e kuptosh këtë do të thotë të mos duash t’ia dish si duhet hedhur hapi tjetër. Kosova po rrezikon ta humbasë shansin historik që i jep plani franko-gjerman, për të bërë një progres në luftën me Serbinë prej mosbërjes së atij asociacioni besimin e atyre që e njohën si shtet të pavarur. Duke u bërë fakt i kryer ai asociacion që mistifikohet si të ishte kali i rilindur i Trojës, do të kthehet në litar në këmbët e Beogradit. Nëse bëhet si duhet në bashkëpunim me aleatët, Serbia nuk do të lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur këto kohë në Bruksel e SHBA duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës. I kyçur brenda kornizës kushtetuese do të ishte i zhveshur nga çdo kërcënim”, tha Rama.Gjithashtu, sipas saj, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”. Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.
PS rrëzon komisionet
Ndonëse duhet të ishte një seancë e posaçme vetëm për Kosovën, maxhoranca shfrytëzoi rastin për të futur për votim rendin e ditës të seancës plenare të datës 5 tetor. Mes tyre ishin edhe kërkesat për ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita për koncesionet në shëndetësi dhe rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS të cilat u rrëzuan nga socialistët. Por ajo që tensionoi edhe më shumë situatën në sallën e Kuvendit ishte leximi nga Lindita Nikolla të njoftimeve të Lulzim Bashës për përjashtimin e Gazmend Bardhit si deputet të Partisë Demokratike, akt të cilin Sali Berisha e konsideroi si përjashtim tëopozitës nga parlamenti.
Kurti: Sulmi që ndodhi në Banjskë mund të përsëritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten herët se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”. Duke folur gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, Kurti tha se qëllimi kryesor i tyre është “ta fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”. “Për ta arritur këtë nuk do zgjedhin mjet”, theksoi ai. Paralajmerimi i Kurtit vjen rreth tri javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serbësh në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në luftimet që pasuan pastaj në manastirin e fshatit u vranë tre sulmues serbë. Serbia i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, kryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. Kurti kujtoi veprimet e Serbisë pas sulmit, e cila shpalli ditë zie dhe i lartësoi si heronj tre sulmuesit serbë që u vranë në Banjskë, si nxitje për sulme të reja të mundshme në Kosovë. Policia e Kosovës në Banjskë, veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i saj nga një përleshje me persona të maskuar më 24 shtator 2023.“Fatkeqësisht, mbështetja që grupi terrorist ka marrë nga Serbia, në njërën anë duke i trajtuar ata si heronj dhe martirë, dhe në anën tjetër duke i intensifikuar aktivitetet e ushtrisë përgjatë kufirit me republikën tonë, vetëm sa i ka inkurajuar”, shtoi ai. Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës në veçanti “që ditëve, javëve dhe muajve në vijim, të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet e aktet e dhunës të inskenuara dhe dashakeqe.”
NATO fton Kosovën dhe Serbinë të përmbahen nga hapat që rrisin tensionet
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s kanë shprehur shqetësim për rritjen e tensioneve në Kosovë dhe u kanë bërë ftesë Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin mospajtimet e tyre përmes dialogut dhe mjeteve politike. Ky mesazh u dha të enjten në selinë e NATO-s pas përfundimit të takimit të ministrave të Mbrojtjes të aleancës ushtarake perëndimore. Më 24 shtator policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve, të cilët vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve, autoritetet thanë se u vranë edhe tre sulmues. Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Beogradi mohon se ka gisht në ngjarjet që ndodhën në fshatin Banjskë të Zveçanit, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Për shkak të këtij sulmi sulmi, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi për shtimin e numrit të pjesëtarëve të misionit paqeruajtës në Kosovë, KFOR, por edhe rritjen e patrullimeve në veri. Ai tha se Kosova ka qenë një prej temave kyçe në takimin e ministrave të Mbrojtjes. “Kjo ishte një prej temave dhe çështjeve kryesore që u diskutuan sot nga ministrat. Ka pasur një situatë të vështirë dhe të tensionuar dhe ne e kemi ndjekur atë me shumë kujdes. Kemi rritur praninë tonë, sidomos në veri”, tha Stoltenberg. Shefi i NATO-s tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se aleanca koordinon veprimet në terren me bllokun./kb