Jada Pinkett Smith, e cila prej 25 vitesh është martuar me Will Smith (edhe pse jetojnë jetë të ndara, por teknikisht, nuk janë divorcuar), është shprehur se reperi i ndjerë, Tupac Shakur, ka qenë shpirti i saj binjak.
“Një shpirt binjak, po”, tha ajo në një intervistë me Rolling Out. “Nëse ekzistojnë jetët e mëparshme, mendoj se 2Pac dhe unë kemi udhëtuar në disa jetë. E ke parasysh, në forma të ndryshme”.
Jada u pyet nëse është penduar që nuk e ka çuar marrëdhënien e saj me reperin e “All Eyez on Me” në një tjetër nivel dhe tha se thjesht nuk ishte e mundur. “Nuk ka pasur kimi mes nesh. Unë e kam thënë edhe në libër. Është ajo kimia miqësi-dashuri, më beso”, u shpreh aktorja.
Jada, 52 vjeç dhe Shakur u takuan në shkollën e arteve në Maryland, në mes të viteve ’80. Ata ishin miq të afërt, derisa reperi i “Dear Mama” u qëllua për vdekje në shtator të vitit 1996.
Në intervista të mëparshme, Jada ka folur edhe për mënyrën se si është njohur me 2Pac. “Ishte dita e parë, ai erdhi drejt meje dhe u prezantua. Në gjimnaz, 2 Pac kishte paksa një pamje qesharake. Përfundimisht, duke e parë nga pamja e jashtme, nuk ishte fiks tipi me të cilin do merresha. Por, sapo m’u afrua, ishte si magnet. Në momentin që i kushtoje vëmendje, ai të përthithte”, ka thënë ajo./E.Ç