Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka hequr dorë për krijimin e një partie të re, duke këmbëngulur në vulën dhe logon e PD-së zyrtare e cila është në duart e Lulzim Bashës. Berisha është shprehur se çështja ligjore do të vijojë, madje do ta çojnë deri në Strazburg. Telenovela e vulës tashmë nga “fenomen kombëtar” mund të bëhet edhe ndërkombëtar.
Në konferencën e përjavshme për shtyp, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Lulzim Bashën për përjashtimet që po u bën deputetëve demokratë që nuk janë rreshtuar në krahun e tij. Berisha ka përsëritur qëndrimin se Basha është shtojncë e Ramës. “Ne do bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën. Por e drejta është me ne. Dhe ju e shihni, ligji është taksativ që Gjykata e Lartë duhej ta kthente përgjigjen brenda 29 ose 30 ditësh dhe kjo është e prerë. Por Gjykata e Lartë, e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg”-tha Berisha. Çështjen e vulës dhe logon së PD-së e konsideron si “të vjedhur” nga dyshja Basha-Rama. Beteja ligjore që paralajmëron Berisha duket se do të jetë shumë e gjatë, ndonëse zgjedhjet e përgjithshme do të jenë në verën e vitit 2025, kohë kur çështja “vulë dhe logo” mund të jetë ende e pashqyrtuar nga sistemi gjyqësor shqiptar. “A e dini ju, shikoni sa interesante është, gjykatësja Sadushi, Petra quhet në mos gaboj, njeh Enkelejd Alibeajn kryetar. E kuptoni ju? Po, është e sigurt, keni vendimin. Gjykatësi tjetër thotë jo, është Lulzim Basha, nuk ka dhënë dorëheqjen. Pra, në vend se ta marrë Lulzim Bashën dhe ta çojë atje ku e ka vendin për mashtrim publik, se minimumi është mashtrim publik, se ka kryer mashtrim publik se thotë se nuk e ka sjellë me shkrim. Është mashtrim publik ky, ai dënohet gjer në 5 vite burg. Kur një personalitet publik përdor pushtetin e tij për të kryer një mashtrim publik, në gjithë botën ai shkon atje ku e ka vendin. Kurse këtu, siç don Edi Rama. Këtu gjykatësit vendosin një herë që nuk është kryetar. Herën tjetër u thotë Edi Rama se këtë do e quash kryetar. E kuptoni çfarë drejtësie? Nuk ka drejtësi këtu, është në kontroll të plotë. Këto janë dy vendime të kundërta. Jo, thotë është kryetar Lulzim Basha se nuk e kam me shkrim dorëheqjen e tij. Nuk e ke dorëheqjen e tij, merre të pandehur për mashtrim publik. Ç’të hysh në këta, janë një kalbësirë”-tha Berisha. Ai gjithashtu zbuloi se më 16 tetor kur në Tiranë do të mbahet Samiti I Berlinit ku do të marrin pjesë liderët e 27 vendeve të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor, nga PD e drejtuar prej tij nuk do të mbahet protestë, por do të denocojë në forma të ndryshme atë që e auan fars elektoral siç ishin zgjedhjet lokale të 14 majit. “Nuk kemi parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të OSBE, BE dhe Këshillit të Europës. Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv profesional që ata kanë publikuar”, tha Berisha në një konferencë për gazetarët”-tha Berisha.
Tabaku: “Për të ndërtuar Europën në rajon, duhet të sakrifikojmë pak nga egoja jonë”
Deputetja demokrate Jorida Tabaku, gjatë konferencës “Roli i Parlamentit në procesin e Berlinit”, u shpreh dje se Kuvendi ka rol thelbësor me përqafimin e standardeve të BE. Tabaku u ndal dhe te debatet në Parlament, ku tha se Kuvendi e ka përzemër debatin partizan me njëri tjetrin, por për çështje jetike si integrimi Europian ne kemi tendencën të ulim tonet tona të larta dhe jemi bashkuar. “Roli i parlamenteve në procesin e anëtarësimit në BE është thelbësorë në dy këndvështrime, përkatësisht nëpërmjet ushtrimit të vazhdueshëm të funksioneve të tij mbikëqyrëse mbi performancën e qeverisë, si dhe përmes mundësisë për të siguruar një përfshirje të gjerë të opozitës dhe palëve të tjera të interesit në këtë proces kombëtar kyç, duke pasur parasysh funksionin e tij përfaqësues, e pikërisht në rolin legjislativ që ka kuvendi rolin thelbësor me përqafimin e standardeve të BE, me miratimin e ligjeve ne jo vetëm meritojmë acqui po vendosim standarde të reja!”, tha ajo. Deputetja foli dhe për Kosovën dhe Serbinë duke thënë se nuk është e pa mundur të rinisin dialogun, dhe këtë e cilësoi si një detyrim për brezat pasardhës.
Mbarëvajtja e ndeshjes Shqipëri-Çeki, ministri Balla: Mirënjohje për punonjësit e policies
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka përgëzuar 2300 punonjësi e policisë, të cilët u angazhuan mbrëmjen e djeshme për mbarëvajtjen e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Çekisë. Balla shpreh mirënjohje po ashtu edhe për qytetarët që sipas tij mirëkuptuan masat e rrepta të policisë, dhe nuk shkaktuan incidente. Po ashtu, ministri nuk ka harruar që të falënderojë dhe urojë lojtarët e Kombëtares, të cilët arritën një fitore mbresëlënëse ndaj Çekisë, me rezultatin 3-0. “Meritojnë një përgëzim të madh 2300 punonjësit e policisë nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, të përfshira në mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe festimeve, përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke. Shumë mirënjohje qytetarëve që i mirëkuptuan masat e rrepta në këtë nivel të ri sigurie në stadiume, i cili mori dhe vlerësimin maksimal nga përfaqësuesit e UEFA, FSHF dhe Federata Çeke. Faleminderit djemve të kombëtares dhe trajnerit për fitoren mbresëlënëse dhe historike”, shprehet ministri./kb