Samiti i Berlinit i mbajtur dje në Tiranë ku morën pjesë liderët e vendeve të BE-së dhe të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor temë kryesore pati integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenti i Këshillit Europian Charls Michel u shpreh se viti 2030 do jetë koha limit e integrimit, ndërsa tërësisht të kundërtën tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Schols që theksuan: “Plotësoni kriteret dhe vazhdoni reformat të meritoni anëtarësimin në BE”. Ndërsa kryeministri Rama u shpreh optimist për vendimet e marra në Samitin e Berlinit dhe nevojën e mbështetjes nga BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në Samitin e Berlinit që u mbajt për herë të parë në Tiranë dhe njkohësisht për herë të parë për vendet e BE-së jashtë “bllokut të tyre” u diskutuan çështje të rëndësishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor, situate në rajonin tonë me konfliktin Serbi-Kosovë, por edhe çështje të tjera ndërkombëtare si lufta Rusi-Ukrainë apo konflikti më i fundit Izrael-Palestinë. Një pjesë të rëndësishme samiti ia kushtoi çështjes së integrimit ku Presidenti i Këshillit Europian Charls Michel ishte i qartë kur vendosi afate për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç është viti 2030. Michel tha se “dasma po bëhet gati”, ndërsa sqaroi se procesi i zgjerimit të BE bazohet në meritë, ku vendet kandidate duhet të hartojnë dhe zbatojnë reforma. “Dua të falënderoj juve dhe Scholz për angazhimin e tij. Kam ngritur një pyetje: A është BE e kënaqur vetëm për të menaxhuar kriza, apo dhe për të udhëhequr? Dhe në fakt, pati një përgjigje të qartë. Duam të udhëheqim dhe bashkërendojmë të ardhmen. Zgjerimi është pjesë e kësaj përgjigje, sepse është investim në paqe dhe begati në BE dhe anëtarët tanë të ardhshëm. Ky Proces Berlini është i rëndësishëm për të nxitur bashkëpunimin efektiv dhe operativ mes BE dhe Ballkanit Perëndimor me BE si dritë orientuese. Rrugëtimi juaj ka nisur 20 vite më parë, ka qenë i ngadaltë shumë i ngadaltë, zhgënjyese për ju dhe për ne, por tashmë është koha për të realizuar këtë premtim. Duhet të bëjmë shumë dhe ju duhet të realizoni reformat. Mendoj se duhet të jemi gati në të dyja anët deri në 2030. E di që është haur me disa skepticizma në rajonin tuaj. E di, Edi që e keni krahasuar zgjerimin me një nuse kur dhëndri nuk vjen në dasmë. Ne po e përgatisim këtë dasmë. Në BE zgjerimi është një proces i bazuar në meritë, dhe duhet ta bëjnë që gjërat të lëvizin përmes reformave dhe nga ana jonë për nisjen e debatit serioz të zgjerimit”, tha Michel. Ndërsa më herët kreu i Këshillit Europian Michel kishte specifikuar “vitin 2030” so “kohë për dasmë”… Nga ana tjetër kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama nuk kurseu kritikat lidhur me Procesin e Berlinit, ndërsa ishte i ulur krah kancelarit gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi këtë nismë. Rama u tha në sy liderëve të Bashkimit Europian se premtimet ekonomike të procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht. “Megjithatë më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit te Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese politike që ka sjellë. Angela Merkel e theksoi këtu, e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe në fakt ajo tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, tha Rama. Kryeministri theksoi se mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ekziston një ndarje e frikshme klasore. “Për të folur dhe diskutuar këtë, mund të them që fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë dhe këto shifra janë një dëshmi fillestare e shkallës së frikshme të një ndarjeje klasore do thoja e cila është thelluar dhe ka thelluar në mënyrë progresive ndarjen tonë në të njëjtën ‘’shtëpi’’ të Europës, në të njëjtin vit ku kriza të forta kanë goditur kontinentin ndërkohë që thellësia, rëndësia e këtyre krizave na kanë sjellë edhe më afër në nivel politik e njerëzor”. Kreu i qeverisë shqiptare i kërkoi BE-së të mos vërë afate anëtarësimi. “Në vend të kësaj do të pyesja; do të ishte më pragmatike që të riformësonim rrugëtimin nga bisedimet e anëtarësimit deri në anëtarësim dhe të mos nxitojmë duke vendosur afate anëtarësimi të cilat mund as të mos dakordësohen apo tu përmbahen 27 anëtarëve, por dhe të kundërshtojnë parimet e meritës të integrimit të plotë të secilit prej vendeve?”, tha Rama. Ndërsa kancelari gjerman ka shprehur opotimizëm se rruga e nisur për integrimin e Ballkanit Perëndimor po shtrohet gjithnjë e më shumë. “Është sinjal i fortë edhe fortësinë që ka Rajoni në këtë proces. Integrimi brenda për brenda Rajonit dhe ecuria e BE-së. Ndikimi i marrëveshje të firmosura vjet te qytetarët e BP është konkret”, tha Scholz. Takimi në Tiranë u zhvillua nën sfondin e tensioneve të forta mes Serbisë dhe Kosovës, pas sulmit të armatosur që ndodhi më 24 shtator, ku u vra efektivi Afrim Bunjakj. Për herë të parë, që pas përplasjeve me Ramën, mbërriti në Tiranë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili i kërkoi BE që të ndëshkojë sulmin. Nga radhët e Serbisë mori pjesë kryeministrja Ana Brnabic, e cila bojkotoi foton familjare. Mesazhet e liderëve kanë qenë të qarta edhe për Kosovën dhe Serbinë. Scholz tha se ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet, ndërsa Michel u kërkoi që të mos i “lënë fantazmat e të shkuarës që t’i vjedhin të ardhmen”. “Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar shumë më gjatë dhe që u mbajnë të gjithëve në vend numëro, edhe sulmi në veri të Kosovës e dha këtë mesazh”, tha Scholz. Gjatë fjalimeve të gjithë liderët shprehën mbështetjen ndaj Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Hamas. Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez kërkoi veçanërisht mbrojtjen e civilëve dhe kërkoi njohjen e dy shteteve si e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund luftës. “Dënojmë hamasin për sulmin ndaj izraelit. ka të drejtë të mbrohet. Mbrojtja e civilëve thelbësore. Të shmanget përshkallëzimi i dhunës dhe zgjidhje e paqshme Izrael-palestinë. njohja e dy shteteve që të mund të bashkëjetojnë në paqe e siguri me njëra-tjetrën”, tha ai. Liderët e vendeve të BE-së.