Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj dhe më me ndikim të shekullit XX-të, lindi në Malaga të Spanjës. Babai i tij ishte profesor vizatimi, dhe e edukoi të birin për një karrierë në artet figurative. Picasso çeli ekspozitën e tij të parë kur ishte vetëm 13-vjeç, dhe më vonë e braktisi shkollën e artit, në mënyrë që të mund të eksperimentonte në kohë të plotë me stilet e artit modern.
Ai shkoi në Paris për herë të parë në vitin 1900, dhe një vit më vonë çeli një ekspozitë në një nga galeritë e njohura të artit në kryeqytetin francez. Nëntëmbëdhjetëvjeçari ishte në atë kohë i panjohur jashtë Spanjës, por kishte realizuar tashmë qindra piktura. Duke u ndjerë i vlerësuar nga kritika, ai qëndroi në Paris gjatë gjithë atij viti, dhe më vonë u kthye për të jetuar aty përgjithmonë.
Puna e Picasso, e cila përfshin më shumë se 50.000 piktura, vizatime, gravura, skulptura dhe qeramika të prodhuara në mbi 80 vjet, përshkruhet në një seri periudhash. Në periudhën e parë e tij të shquar – “periudha e kaltër”, Picasso pikturonte duke përdorur kryesisht ngjyrat blu për të ndjellë botën melankolike të të varfërve. Më pas erdhi ”periudha e trëndafilave”, në të cilën artisti përshkruan shpesh skena cirku, e cila pasohet nga puna e tij e hershme në skulpturë.
Ndërkohë me kubizmin, që ndahet në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso vendos parimin modern, sipas të cilit veprat e artit nuk duhet të përfaqësojnë realitetin për të pasur vlerë artistike. Në vitin 1937, kjo rrymë arriti kulmin në kryeveprën e Picasso “Guernica”, një tabllo monumentale që evokon tmerrin dhe vuajtjet e përjetuara nga qyteti bask i Guernikës, kur u shkatërrua nga avionët ushtarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle.
Picasso qëdroi në Paris gjatë pushtimit nazist, duke iu kundërvënë atij, dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze. Puna e Picasso-s e pas Luftës së Dytë Botërore, është më pak e studiuar sesa krijimet e tij të mëhershme, por ai vazhdoi të krijonte me entuziazëm deri sa vdiq në vitin 1973, në moshën 91-vjeçare./kb