Deri ditën e djeshme e gjithë procedura e ndjekur nga Sali Berisha për tu njohur me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “bllokim i pasaportës”, ishin ligjore, proceduriale dhe mëse normale, por pasditen e djeshme procesi ka marrë tjetër rrjedhë. Pasi nuk iu pranuan dy nga katër kekesat drejtuar gjykatës, dy avokatët e ish-kryeministrit kanë braktisur seancën. Në seancë u paraqitën dy përfaqësuesit e tij ligjor, avokat Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Gjatë seancës, këta të fundit janë drejtuar me disa kërkesa, mes të cilave atë për shqyrtim të çështjes nga Gjykata Kushtetuese. Pasi kjo kërkesë është rrëzuar nga GJKKO, dy avokatët e Sali Berishës kanë zgjedhur që të braktisin seancën seancën gjyqësore që u mbajt në ngarkim të klientit të tij për të cilin u vendos masa e sigurisë detyrim paraqitje dhe kufizim i lëvizjes jashtë vendit, në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Për ketë çështje është arrestuar Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës nën akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe të “pastrimit të parave”, ndërsa ndaj Berishës rëndon akuza e “korrupsionit pasiv”.
Gjokutaj tha përpara gazetarëve, se gjykata nuk pranoi që çështjen e masës ta çojë në Kushtetuese për mendim, teksa shtoi se ende nuk është njohur me aktet e saj. “Kemi paraqitur një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares dhe kemi kërkuar dhe procesverbalin. Kemi kërkuar që gjykata të na japë një kopje të akteve.
Pa u njohur me aktet merr vendim për të vazhduar seancën. Ne kemi kërkuar që gjykata të çojë në Kushtetuese çështjen e kufizimit të lëvizjes. Gjykata duke qenë në dijeni të kërkesës për përjashtim mori vendim duke e rrëzuar dhe ne u larguam. Gjykata po përdor instrumente për të mos njohur aktet. Seanca e verifikimit të ekzekutimit rishikon atë të mëparshme. Ne nuk mund të jemi pjesë për sa kohë nuk jemi njohur me aktet”, tha Gjokutaj. Ndërkohë më pas GJKKO ka kërkuar që Berisha të mbrohet nga një avokat i caktuar nga shteti.
Sipas reagimit që ka bërë vetë GJKKO, bëhet me dije se avokat u caktua Artan Simoni. Pas kësaj lëvizjeje, e cila është e para që ndodh për një zyrtar apo ish-zyrtar të lartë, seanca në GJKKO është shtyrë me dy orë, në mënyrë që Simoni të njihet me dosjen. Tashmë duket një betejë nervash mes palëve dhe interpretime të hollësishme procedurash ligjore dhe kushtetuese. Berisha pretendon se ndaj tij nuk mund të merrej një masë sigurie për aq kohë sa nuk është kërkuar autorizim nga Parlamenti.
Ish-kryeministri është shprehur se në rastin e tij është shkelur kushtetuta dhe se kërkon të përballet me drejtësinë për çdo akuzë, por në zbatim të Kushtetutës së vendit. Me caktimin e avokatit kryesisht, çështja do kalojë disa procedura dhe Berisha në të ardhmen mund të thirret në prokurori dhe gjykatë për dëshmi dhe nëse ai refuzon, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të merret forcërisht nga policia. Por gjithsesi ka edhe një mundësi më “neutrale” ku Gjykata Kushtetuese të shprehet nëse vendimi i gjykatës për vendosejn e masës së sigurisë është marrë ose jo në përputhje me kushtetutën dhe kodin e procedurës penale. Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë dje duke u shprehur se opozita do të vijojë aksionin e saj në Parlament ashtu si seancën e fundit plenare. Ai u shpreh se do ketë çdo formë beteje kundër qeverisë, duke mos përjashtuar as protestat, edhe pse nuk dha detaje të mëtejshme.
“Kjo betejë nuk kishte të bënte asgjë me zhvillimet e mëvonshme, por ato nuk ishin të paparashikuara. Edi Rama kur pa deputetët në vendosmëri absolute të qëndrojnë për të drejtat që ai shkelmon, mendoi se duke hapur një proces antidemokratik do na dekurajonte, por e vërteta është se doli e kundërta. Beteja do vazhdojë. Kjo është një betejë kundër diktaturës së instaluar të bazuar në drogë, krim e asgjësimin e opozitës. Opozita ndodhet para de facto asgjësimit të saj nëse vazhdon kështu. Ditën e enjte deputetët të betuar se nisin betejën pa kthim shënon kthesë në qëndresën tonë për rivendosjen e pluralizmit në vend. Çdo formë beteje do ketë. Ju garantoj. Do jetë në çdo formë proteste. Edi Rama nuk pranon opozitë tjetër veç asaj që kontrollon. Asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin tonë si opozitë, nuk pranojmë të jemi opozitë fiktive”, u shpreh ai. Nga ana tjetër mohoi edhe dyshimin se ka favorizuar dhëndrin e tij për të blerë me letra me vlerë ish-kopleksin sportiv “Partizani”.
Sipas Berishës, vendimi për miratimin e bonove nuk është marrë për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, por kanë përfituar të gjithë shqiptarët.
“Dje u njoha ju me njohjen monstruoze të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë, që shkruanin në dacibaon e tyre se vendimi i qeverisë për përdorimin e letrave me vlerë për pagesën në masën 80 përqind të shumës në blerjen e objekteve të privatizuara, nga i cili kanë përfituar qindra e mijëra shqiptarë, duke blerë objekte në privatizim, legalizuar banesat e tyre dhe destinacione të tjera. Ky vendim sipas tyre qenka marrë për të ndihmuar dhëndrin tim, i cili kishte paguar në të holla 88.6 përqind të shumës për blerjen e objekteve të ndërtuara nga shteti komunist në tokën e familjes së tij, të grabitur 50 vite më parë. Dhe ky vendim doli një muaj pasi ata kishin paguar 88.6 përqind të shumës për objekte të ndërtuara në tokën e konfiskuar për 50 vite më radhë”, tha Berisha./kb